LAJMI I FUNDIT:

Escobar dhe Lajçak në Prishtinë dhe Beograd me 24 e 25 gusht

Escobar dhe Lajçak në Prishtinë dhe Beograd me 24 e 25 gusht

Të dërguarit amerikan dhe evropian për Ballkanin Perëndimor dhe bisedimet Kosovë – Serbi, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, do të qëndrojnë në Prishtinë e Beograd të mërkurën dhe të enjten e kësaj jave.

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian i tha Zërit të Amerikës se vizita e tyre është në vazhdën e përpjekjeve për të shënuar përparim drejt një marrëveshjeje që do të shmangte tensionet në terren, të cilat pasuan reagimet serbe ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit mbi përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.

“Në vazhdimësi të takimeve të javës së kaluar, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Borell, ka kërkuar nga i dërguari i BE-së Miroslav Lajcak të udhëtojë në Kosovë dhe Serbi (me 24 dhe 25 gusht) për të shënuar përparim në arritjen e një marrëveshjeje me të cilën pajtohen të dyja palët, për të shmangur rikthimin e tensioneve në teren. Në misionin e tij, zoti Lajcak do të shoqërohet nga i derguari amerikan për bisedimet, Gabriel Escobar”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit të Bashkimit Evropian.


Takimi i së enjtes së kaluar në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, nuk shënoi ndonjë përparim. Por, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, u zotua se përpjekjet do të vazhdojnë, duke theksuar se palët janë pajtuar për vazhdimin e diskutimeve.

Escobar nesër në Prishtinë, pritet të zhvillojë takim me presidenten Osmani
Lexo po ashtu Escobar nesër në Prishtinë, pritet të zhvillojë takim me presidenten Osmani

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha të dielen se është i vendosur të kërkoj një zgjidhje kompromisi me Kosovën për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave brenda dhjetë ditëve, duke ju referuar 1 shtatorit kur qeveria e Kosovës pritet të rinisë zbatimin e masave të reciprocitetit për këtë çështje. Por paralajmëroi se serbët e Kosovës mund të largohen nga të gjitha institucionet nëse nuk gjendet zgjidhje për shqetësimet e tyre.

Të hënën nuk pati ndonjë reagim të qeverisë së Kosovës, e cila të enjten tha se kishte diskutuar për dy çështje, kuadrin e përgjithshëm të marrëveshjes përfundimtare dhe për targat e dokumentet serbe.

Nga zyra e kryeministrit Kurti, thanë se ai pritet të flasë më gjerësisht për bisedimet e javës së kaluar këtë të mërkurë në mbledhjen e qeverisë.

Bisedimet në Bruksel që filluan 11 vjet më parë, synojnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Serbia llogaritë në përkrahjen e Rusisë në kundërshtimin ndaj pavarësisë së Kosovës të cilën e njohin Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore perëndimore.

Normalizimi është kusht për të dyja palët që të përparojnë drejt integrimeve evropiane./VoA