LAJMI I FUNDIT:

Siguria në shkollat e Kosovës shqetësuese – ekspertët tregojnë çfarë duhet ndërmarrë

Siguria në shkollat e Kosovës shqetësuese – ekspertët tregojnë çfarë duhet ndërmarrë

Një aksion i zhvilluar në Ferizaj, për të cilin njoftoi Policia e Kosovës këtë të premte, riktheu në vëmendjen e opinionit publik çështjen e sigurisë në shkolla.

Aksioni, i cili rezultoi me konfiskimin e disa armëve të zjarrit, thikave dhe mjeteve të tjera të dhunës, tregon për gjendjen shqetësuese të sigurisë së nxënësve në shkolla, sipas njohësve të çështjeve të sigurisë.

Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, në një prononcim për Telegrafin tha se faktori kryesor që ka shkaktuar këtë gjendje është menaxhimi i dobët në arsim, duke filluar prej nivelit ministror e deri te drejtoritë e shkollave.


“Preferencat politike në emërime, nepotizmi dhe korrupsioni, kanë mbizotëruar sektorin e menaxhimit, i cili gjatë përzgjedhjes së stafit mësimor ka skandalizuar sistemin. Ky është një problem nacional, i cili nuk zgjidhet nga një individ apo parti”, deklaroi Kajtazi.

“Futja në binar e këtij sistemi do një konsensus të përgjithshëm shoqëror, i cili edhe mund të jetë i dhimbshëm për momentin, por që do t’i sigurojë vendit perspektivën. Kjo nuk bëhet nga militantët, e as nga pseudo-intelektualët, të cilët qe 20 vite i kanë prodhuar universitetet tona. Kjo bëhet nga profesionistët e vërtetë, atdhetarë dhe të përkushtuar, që mendoj se në Kosovën tonë të shumëvuajtur ende ka”.

Aksioni në shkollat e Ferizajt, Nagavci: Po e trajtojmë çështjen me prioritet
Lexo po ashtu Aksioni në shkollat e Ferizajt, Nagavci: Po e trajtojmë çështjen me prioritet

Ai tutje tha se rezultatet e aksionit të fundit policor në Ferizaj, janë reflektim i gjendjes së përgjithshme në të cilën ndodhet shoqëria kosovare.

“Kriza ekonomike që ka kapluar vendin – papunësia, ndjenja e paperspektivës ka shkaktuar një efekt psikologjik të pasigurisë së përgjithshme shoqërore dhe prirje deviante të shtresave të ndryshme, në veçanti rinisë”, dreklaroi Kajtazi, teksa shtoi se dhuna në shkolla është fenomen në vete, i ndikuar nga faktorët e lartpërmendur, por “në veçanti nga defektet e sistemit edukativo – arsimor”.

Aksion policor rreth shkollave në Ferizaj, nxënësve ju konfiskohen armë zjarri, boksa metali e 40 thika
Lexo po ashtu Aksion policor rreth shkollave në Ferizaj, nxënësve ju konfiskohen armë zjarri, boksa metali e 40 thika

Arsye për këtë të fundit, siç tha, janë eksperimentimet që në vazhdimësi i janë bërë sistemit arsimor si dhe ndërhyrjet politike në menaxhment.

“Fatkeqësisht, arsimi ndodhet në një krizë të cilës një shtytje drejt humnerës i ka dhënë edhe pandemia. Për shkak të ndërhyrjeve politike të reduktuara në klane, kemi një kuadër të dobët të udhëheqjes së drejtorive komunale të arsimit, pastaj të drejtorëve të shkollave dhe si tërësi mungesë të nivelit të procesin edukativ-arsimor, që reflekton me nivel të ulët të dijes së nxënësve, mungesë disipline dhe favorizim të zhvillimit të aktiviteteve deviante në shkolla, ku bullizmi, narkomania, bartja e armëve janë shndërruar në modë të rinjve”.

Fadil Kajtazi, ekspert i sigurisë

Ndërsa, eksperti tjetër i sigurisë, Avni Islami, thotë se një nga faktorët kryesorë të kësaj gjendje është armëmbajtja pa leje e qytetarëve.

Sipas tij, fëmijët janë pasqyrë e familjes. Ndërsa shtoi se është shqetësuese se si fëmijët kanë qasje në armët që familjarët e tyre i mbajnë ilegalisht në shtëpi.

“Çështja e posedimit të armëve pa leje është problem që ngërthen në vete shumë faktorë. Pra, armët ilegale që qarkullojnë në duart e qytetarëve – sipas të dhënave janë mbi 300 mijë – por pavarësisht shifrave, duket se numri është i madh dhe problematika e armëve fillon nga familja”, deklaroi Islami.

“Në shoqërinë tonë nuk ka vetëdijesim, pra në familje nuk janë të trajnuar për mbajtjen e armës dhe përdorimin e saj. Fëmijët janë pasqyrë e familjes. Kjo është shqetësuese. Një fëmijë armën e merr nga familja, e cila nuk është duke e trajtuar problemin si duhet. Ky është institucioni i parë që duhet të merret me këtë problem”.

Institucioni i dytë pas familjes që duhet të merret me këtë problematikë, sipas Islamit, është shkolla, e cila duhet t’i monitorojë sjelljet dhe veprimet e nxënësve.

“Duke qenë se në shkolla nuk ka aparate për identifikimin e nxënësve siç janë kabinat e posaçme për kontrollimin e njerëzve që kalojnë, duhet që drejtori bashkë me mësimdhënësit të punojnë me nxënësit dhe t’i përcjellin lëvizjet e tyre”, përfundoi ai.

Avni Islami, ekspert i sigurisë

Lidhur me këtë çështje është deklaruar edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se janë duke e trajtuar me prioritet.

Në një postim në Facebook, ajo ka shkruar se ka nevojë urgjente për reflektim sa i përket gjendjes dhe sigurisë së nxënësve në shkolla.

“Falënderoj Policinë e Kosovës për aksionin e realizuar në afërsi të shkollave në Ferizaj, ku janë sekuestruar armë e mjete të dhunës. Nga ky aksion dhe këto gjetje mësojmë nevojën urgjente për reflektim në shoqërinë tonë sa i përket gjendjes dhe sigurisë së nxënësve, përkatësisht fëmijëve tanë”, ka shkruar Nagavci.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se kanë themeluar Forumin Nacional për Shkolla Miqësore, i cili do të përcjellë situatën e sigurisë në shkolla.

“Në Ministrinë e Arsimit po e trajtojmë këtë çështje me prioritet dhe përveçqë po avancojmë politikat edukative dhe arsimore, së fundmi kemi themeluar edhe Forumin Nacional për Shkolla Miqësore, i cili do të përcjellë situatën e  sigurisë, rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve/nxënësve në shkolla me qëllim të këshillimit, vlerësimit dhe orientimit të veprimeve të integruara ndërinstitucionale”.

Megjithatë, ka thënë se roli i mësimdhënësve në edukim është kyç, “duke qenë se janë ata pika e parë e kontaktit me fëmijët në shkollë”.

“Por, menaxhmentet e shkollave dhe drejtoritë komunale të arsimit, duhet të jenë më të përgjegjshme dhe të adresojnë shqetësimet që kanë të bëjnë me sigurinë e nxënësve”.

Tutje, Nagavci ka shtuar se janë duke punuar në mënyrë që të bëhen ndryshime strukturore në sistemi edukativ dhe arsimor.

Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit

“Por, fenomene si kjo nuk presin ndikimin afatgjatë të politikave arsimore. Duke qenë e vetëdijshme se ne ballafaqohemi me situata të vështira individuale, familjare, sociale e  ekonomike, por, ju lutem prindërve që të mbajnë fokusin te fëmijët dhe të sigurohen se çdo gjë është në rregull me ta”.

“Një raport më i afërt institucion dhe familje jam e bindur se do ta përmirësojë këtë gjendje. Duhet të angazhohemi të gjithë. Bashkë për sigurinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë!”, ka përfunduar ministrja Nagavci. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Kalo në kategori