LAJMI I FUNDIT:

Konjufca të premten udhëton drejt Hagës, takon ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim

Konjufca të premten udhëton drejt Hagës, takon ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim
Foto: Arkiv

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca do të udhëtoj nesër drejt Hagës, për t’u takuar me ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar, Ilir Kërçeli shef i kabinetit të Kryetarit të Kuvendit.


Kërçeli ka bërë të ditur se në Hagë do të takohen me të gjithë të ish-krerët e UÇK-së.

“Nesër udhëtojmë, do t’i vizitojmë të gjithë”, ka deklaruar Kërçeli.

Lidhur me këtë vizitë, kryeparlametari Konjufca ka thënë se këtë vizitë po e bëjnë me qëllim që të shohin nga afër sesi po trajtohen ish-krerët e UÇK-së.

“Duket qartë se në disa aspekte ata apo shkelin të drejtat e tyre. Ata po i afrohen kohës 2-vjeçare të paraburgimit dhe s’është bërë asgjë. Nuk u është siguruar as mbrojtja e tyre në liri. Jemi të shqetësuar si institucione. Do flasim me zotërinjtë Thaçi, Selimi, Krasniqi dhe Veseli për këto çështje”, ka deklaruar Konjufca për RTSH.

Në Hagë, ish-liderët e UÇK-së, pos vizitave nga anëtarët dhe deputetët e PDK-së, janë takuar edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Por të njëjtët kishin refuzuar një takim me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre./Telegrafi/