LAJMI I FUNDIT:

Gashi: Nëpër burgje janë 17 të burgosur që vuajnë nga sëmundjet terminale, 278 nga çrregullimet mendore

Gashi: Nëpër burgje janë 17 të burgosur që vuajnë nga sëmundjet terminale, 278 nga çrregullimet mendore

Zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ali Gashi, tha se janë 1 mijë e 830 të burgosur në gjithë vendin.

Sipas tij, janë 17 që vuajnë nga sëmundjet terminale dhe 278 që vuajnë nga çrregullimet mendore.

Ai shtoi se problemi më i theksuar është tek të burgosurit që janë me çrregullime mendore, pasi që disa prej tyre duhet të përcillen në mënyrë permanente.


“Prej gjithë këtyre kemi një numër të konsiderueshëm që  janë me sëmundje të ndryshme kronike, kemi me sëmundje të rënda, kemi  njëkohësisht edhe me çrregullime mendore. Ne kemi një bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë, gjegjësisht me Drejtorinë Shëndetësore të Burgjeve, ku kemi shërbime në të gjitha institucionet korrektuese edhe kemi staf shëndetësor ku renda mundësive dhe kapaciteteve që i kanë, ofrojnë ndihmën shëndetësore për këtë kategori të personave të privuar nga liria”, ka thënë Gashi, njofton betimiperdrejtesi.

Sipas tij, problemi më i theksuar është tek personat që janë me çrregullime mendore e që numri i tyre është rreth 278.

“Ky numër në tërësi na vështirëson punën përsa i përket Shërbimit Korrektues të Kosovës, sepse gjithë këta që janë me çrregullime mendore kërkojnë angazhim shtesë edhe nga stafi shëndetësor, por njëkohësisht kërkojnë angazhim shtesë edhe nga  stafi korrektues, sepse disa prej tyre, sipas rekomandimeve të komisionit multidisiplinar, kanë nevojë për përcjellje permanente, ku përcillen përmes kamerave. Por një numër i konsiderueshëm i tyre, sipas rekomandimeve të psikiatrit, psikologut, mjekut etj, stafi janë të detyruar që të përcjellin në vazhdimësi në kohë disa prej 15 minutash, pra çdo 15 minuta, disa të tjerë çdo 30 minuta”, tha Gashi.