LAJMI I FUNDIT:

Shpallen heronj në SHBA, babë e bir nga Ulqini

Shpallen heronj në SHBA, babë e bir nga Ulqini

38-vjeçari Louie Suljoviiç dhe babai i tij Qazim Suljoviç, 68-vjeç, nga Ulqini, që jetojnë në SHBA, po luftojnë për jetën në spital pasi u plagosën me thikë mbrëmjen e të shtunës.

Ngjarja ka ndodhur në picerinë e tyre në Queens, New York pasi ata ndërhynë për të ndihmuar një grua 61-vjeçare që ra pre e grabitësve, raporton New York Post.


Babai u godit me thikë nëntë herë dhe së bashku me djalin mori plagë të rënda në mushkëri, sipas prokurorëve dhe një të afërmi të tyre.

E moshuara u godit gjithashtu me thikë në shpinë nga njëri prej grabitësve.

“Qazimi është në gjendje të rëndë. Louie po përmirësohet dhe besoj se do të jetë mirë. Ata janë heronj, vepruan menjëherë për të shpëtuar një të huaj”, tha kushërira e Qazimit, Remzija.

Babai dhe djali po trajtohen në Spitalin Elmhurst, i njëjti objekt ku ata dhuruan ushqime për stafin dhe punonjësit e vijës së parë gjatë pandemisë Covid.

E moshuara u tha policëve se të dyshuarit i ishin afruar asaj nga prapa, dhe pasi e kishin shtyrë ia kishin grisur çantën me thikë.

“Louie dhe babai i tij janë ndër qytetarët më të mirë që ka New Yorku. Ne i falënderojmë ata për trimërinë e tyre dhe iu urojmë shërim të shpejtë,” shkroi në twitter policia amerikane.

Për të ndihmuar në shërimin e tyre është hapur edhe një GoFundMe, ku deri të martën janë mbledhur më shumë se 170,000 dollarë.

Policia i ka arrestuar dy personat që sulmuan gruan për ta grabitur./Telegrafi/