Nga: Ndriçim Kulla
Këto ditë po bëj gati për shtyp librin “Rënia e Perëndimit” të Oswald Spenglerit, aktualitetit i të cilit sot meriton të quhet ndërgjegjja e botës së rrezikuar.
Historia ime e vjetër që e mbajta të fshehtë dekada me radhë mbi këtë libër të ndaluar nga komunizmi dhe më parë edhe nga fashizmi, do të shpjegohet në faqet e librin tim me titull “Herr Spengler, a keni qenë dhe juve kaq në vështirësi sa unë tani, në kohën që shkruanit librin ‘Rënia e Perëndimit’?” (fragmente të të cilit mund t’i lexoni më poshtë) …
Kur kthehesha nga puna i lodhur dhe më duhej vullnet i fortë për ta detyruar trupin që të vihej në shërbim të dëshirës sime për të lexuar, shikoja nga fotografia e Spenglerit dhe më dukej sikur ai me vështrimin e tij urdhërues e komandonte trupin tim.
– Javol (Si urdhëron) herr Spengler! – i thosha me shaka, e më dukej se funksiononte.
Por, megjithatë vazhdova t’ i shmangesha leximit të librit “Rënia e Perëndimit” dhe me këtë po i shmangesha për pasojë edhe botimit të tij. Kur pas kthimit nga emigracioni nisa punën si botues, një nga titujt që kisha në mendje në planet e mia afatgjata ishte dhe botimi i këtij libri të Spenglerit. E ndjeja detyrim që ta bëja këtë gjë si homazh ndaj tij për shkak të lidhjes së veçantë që kisha pasur me këtë autor, akoma pa lexuar qoftë edhe një libër të tij. Do të më kishte pëlqyer që librin e Spenglerit ta përktheja vetë, qoftë edhe sikur kjo punë të më merrte një kohë të gjatë, pasi ai është një libër voluminoz. Por, përkthimin e librit mund ta bëja vetëm nga një gjuhë e dytë, pasi nuk dija dhe akoma edhe sot nuk di gjermanisht. Njohuritë e mija në këtë gjuhë kufizohen në diskutimin e titullit të librit të Spenglerit që e kam sjellë më lart për lexuesin.
Si botues nuk më kanë pëlqyer asnjëherë përkthimet nga një gjuhë e dytë në një gjuhë të tretë. Nëse libri i Spenglerit duhej përkthyer në shqip, ky përkthim duhej të bëhej nga gjuha origjinale në të cilën ishte shkruar, nga gjermanishtja. Meqenëse isha i sigurt që nuk do t’ i hyja mësimit të gjermanishtes në të ardhmen, më mbetej që të isha vetëm botuesi i librit. Dhe, bashkë me vendimin për të botuar librin mora edhe vendimin për ta lexuar paraprakisht atë, siç bëj me shumicën e librave që botoj. Kështu do të kisha mundësi ta shqyrtoja më mirë përkthimin në shqip, duke qenë se tani e di sesi është përkthyer libri në anglisht. Me një autor si Spengleri, një përkthyes ka shumë dilema për mënyrën sesi duhet t’ i përkthejë shumë terma të përdorur prej tij. Në vitet tridhjetë, Branko Merxhani me gazetarinë e tij futi në gjuhën shqipe një shkollë përkthimi që vinte në kllapa termat origjinale pas përkthimit të tyre në shqip. Mendoj se është një praktikë e mirë që duhet ringjallur dhe sot.
Në kohën që unë po i shmangesha librit të Spenglerit ashtu si Ismail Kadareja librit për historinë sekrete të mongolëve, ishte Spengleri dhe libri i tij “Rënia e Perëndimit” që më shfaqej mua gjithandej në leximet e mia, siç e kam treguar më lart. Dhe, e ndjeja se sa më tepër e ndeshja librin e Spenglerit në librat dhe artikujt që lexoja, aq më tepër po çlirohesha nga ngërçi që kisha me librin e tij . Gjithsesi, paragjykimi që kisha krijuar për librin nuk ishte keqdashës ndaj tij sidoqoftë.
Isha bërë, nëse përdor një shprehje të Ismail Kadaresë, një rast i mosmarrëveshjes së shqiptarëve me vetveten. Librin e Spenglerit nisa ta lexoj më 2018, në 100 vjetorin e botimit të vëllimit të parë të tij. Pasi e përfundova së lexuari librin, vendimi i mëparshëm për ta botuar librin u përforcua duke vendosur që t’i jepja këtij libri prioritet në botim dhe ta botoja jo më vonë se njëqindvjetori i botimit të vëllimit të dytë, që binte në 2022.
Duke bërë këtë plan katër vjet më parë, po mendoja se çfarë do të thoshte Faik Konica i cili iu kishte tërhequr vëmendjen shqiptarëve për këtë libër që në 1929, po të shikonte se 89 vjet më vonë (e kam fjalën për vitin 2018) në tregun shqiptar të librit mungonte “Rënia e Perëndimit”, por ky treg ishte i mbushur me gjithfarëlloj librash të autorëve të huaj të quajtur okultistë, që në fakt nuk janë veçse spekulues sharlatanë. Konica do të këpuste një nga ato ironitë e tij për shqiptarët të cilët tani po i gjente jo më me mungesë librash si në kohën e tij, por të përmbytur nga libra të këqij okultistë ku pretendohet të shpjegohet historia e botës, e shkuara dhe e tashmja si dhe të parashikohet e ardhmja, por që në të vërtetë nuk janë gjë tjetër veçse “hashash” për mendjen e lexuesve. Dhe, pasoja më e keqe që shkaktojnë këta të ashtuquajtur libra është se dëmtojnë marrëdhënien e lexuesve me librat e mirë dhe veçanërisht me autorë si Spengleri dhe librat si “Rënia e Perëndimit”.
Konica me siguri do të na përsëriste atë që kishte thënë dikur për shitjen e jashtëqitjeve që për të ishte punë më me leverdi se të bënte njeriu një punë intelektuale për shqiptarët. Por, Konica, sado që ankohej kështu vazhdoi të punonte me mendjen dhe penën e tij deri në fund të jetës për shqiptarët, madje edhe pas vdekjes me veprën e tij që e kemi trashëguar sot. Prandaj, edhe njerëzit si unë do të bëjnë të njëjtën gjë, ndonëse duke u ankuar, ashtu si ai. Edhe unë si ai me shpresën se shqiptarët do të ndryshojnë një ditë.
Dhe, kështu mes shumë dilemash të brendshme dhe pengesash të jashtme, për shkaqe që vareshin nga unë dhe nuk vareshin nga unë, më në fund e realizova planin tim për botimin e këtij libri . Shkaqet që vareshin nga unë i kam treguar më lart. Sa për shkaqet që nuk vareshin nga unë dhe që më penguan, ato ishin dhe më të vështirat për t’ u kapërcyer. Duhej që përkthyesja ime e nderuar Ilirjana Angoni, te e cila kisha besim, të mbaronte angazhime të tjera që i kishte marrë më parë, dhe përveç kësaj i dukej koha e mjaftueshme për të përkthyer këtë libër voluminoz. Pastaj duhet të gjeja kohë për ta lexuar përkthimin dhe duhet të kemi parasysh se në mes hyri dhe periudha e gjatë e pandemisë. Plus duhen marrë parasysh edhe vështirësitë financiare që ndesh një botues shqiptar si unë i cili duhet të botojë pa sponsorizim një libër voluminoz si “Rënia e Perëndimit” dhe këtë botim dëshiron ta bëjë sa më cilësor ashtu si e meriton Spengleri dhe lexuesi shqiptar.
Në Shqipëri botohen shumë libra me financimin e ambasadave dhe fondacioneve evropiane dhe amerikane, për të mos përmendur të tjerat. Shpesh në këto libra vihet shënimi që pikëpamjet e shprehura atje janë të autorit dhe nuk kanë të bëjnë me ambasadën përkatëse dhe qeverinë e saj. Kjo gjë ndodh kur në këto libra, ka pikëpamje kontroverse. Është një praktikë normale kur respektohet liria e mendimit. Por, është e pamundur që një ambasadë apo fondacion perëndimor të sponsorizojë botimin e librit të Spenglerit “Rënia e Perëndimit”. Ky është tregues se vazhdon të ekzistojë ende paragjykimi i vjetër ndaj këtij libri. Nuk iu bën nder këtyre ambasadave dhe qeverive të tyre që mbajnë këtë qëndrim ndaj një libri të ndaluar nga nazistët dhe komunistët, njëkohësisht. Është kuptimplotë fakti që këto ambasada dhe fondacione perëndimore nuk kanë sponsorizuar as botimin e librave të Orwellit në gjuhën shqipe duke e vënë kështu Spenglerin në një shoqëri shumë të mirë moralisht. Dhe, duket se mua edhe në punën e botuesit më ndjek pas fati me privime dhe përndjekje i Spenglerit dhe jo fati i mirë financiar i Thomas Mannit!
Gjithsesi jam shumë i kënaqur që afati që kisha vendosur në mendjen time, sa i përket botimit të librit të Spenglerit dhe për të cilin isha betuar se nuk duhej shkelur (viti 2022) i cili, siç kam thënë, shënon njëqindvjetorin e botimit të vëllimit të dytë të librit “Rënia e Perëndimit”, nuk u shkel. Kështu që botimi në gjuhën shqipe i këtij libri vjen në një jubile. Në momentet e vështira që kalova gjatë pandemisë kur m’u desh të përballoja personalisht sfidën e paparashikuar të koronavirusit duke u puthur me vdekjen, pati çaste kur m’u duk si mision i pamundur botimi i këtij libri voluminoz brenda afatit të menduar nga unë, dhe po i thosha vetes se nuk kisha ç’ bëja dhe detyrimisht do ta lija të kalonte njëqindvjetori i botimit pa qenë ai i përkthyer dhe i botuar në gjuhën shqipe. Në çastet e mia pesimiste kisha caktuar si afat të fundit vitin 2029, me rastin e njëqindvjetorit të rekomandimit që iu bëri Konica shqiptarëve për këtë libër. A thua vallë të kujtohej dikush tjetër për ta botuar këtë libër në shqip deri atëherë?
Në përfundim dua që të them edhe diçka për vlerën e librit të Spenglerit në kohën e sotme.
Gjëja më e çuditshme që po i ndodh Spenglerit është se sot shumica e studiuesve, gazetarëve, politikanëve në botë po flasin në terma spengleriane pa iu referuar Spenglerit. Kështu ndodhë shpesh edhe me Makiavelin ose At Valentinin në shqip.
A është aktual Spengleri sot? Është e qartë se po, kur po shohim se në 2022, në njëqindvjetorin e botimit të vëllimit të dytë të librit të Spenglerit (vëllimi i dytë përmban parashikime për të ardhmen në vija të përgjithshme) po flitet seriozisht për rrezikun e kataklizmës bërthamore të botës, për shkak të luftës në Ukrainë që erdhi pas pandemisë, madje pa përfunduar kjo. A e ka pasur gabim Spengleri që ka bërë parashikime të zymta për të ardhmen?
Kurrë më parë nuk është folur më tepër se sot për pasojat e mospërputhjes mes zhvillimit kulturor dhe atij teknologjik, mospërputhje që është në dëm të kulturës. Qytetërimi global sot po bëhet gjithmonë e më tepër teknologjik, po vihet re se kultura rrezikon të bëhet thjesht një nënprodukt i teknologjisë. Në thelb, ky është mendim i Spenglerit se kultura degradon në qytetërim teknologjik, me theksin te mirëqënie materiale, pa dinamikë krijuese kulturore dhe shpirtërore.
Në vitin 2016, Libraria e Kongresit të ShBA-së përzgjodhi filmin amerikan me tre pjesë “The Decline of the Western Civilization” (Rënia e qytetërimit perëndimor), i prodhuar në 1981, për t’ u ruajtur në “National Film Registry”, duke u cilësuar si “I rëndësishëm historikisht, kulturalisht dhe estetikisht”.
Kjo do të thotë se shteti amerikan po e quante këtë film si vlerë të rëndësishme kulturore. Titulli i filmit është një referencë e qartë ndaj librit të Spenglerit, “Rënia e Perëndimit”, madje është një konfirmim dhe zhvillim i mendimit të Spenglerit. Në librin e tij Spengleri dikur kishte folur për rënien e kulturës perëndimore, që ishte duke kaluar në fazën e qytetërimit teknologjik. Tani po flitej edhe për dekadencën e këtij qytetërimi teknologjik.
Në librin “Rënia e Perëndimit”, Spengleri ka parashikuar se në shekullin XXI në Perëndim do të dalin breza “cezarësh”, pra liderësh autoritarë militaristë. I mbetet lexuesit të gjykojë nëse shekulli ku jetojmë ka nisur ashtu siç ka parashikuar Spengleri, apo jo.
Një nga veçoritë e këtij libri të Spenglerit është se vizioni i tij nuk është eurocentrik, siç ka qenë librat e filozofisë së historisë të botuar deri në kohën kur doli ky libër. Këtu duhet pasur parasysh se deri në vitet 1918-22, kur dolën dy vëllimet e këtij libri, të gjithë librat për filozofinë e historisë kanë qenë eurocentrikë (ShBA në atë kohë akoma shihej thjesht si një zgjatim i Evropës dhe për shkak të politikës më së shumti izolacioniste se pesha e saj në rang global ishte e kufizuar).
Padrejtësia më e madhe që mund t’ i bëhet Spenglerit është që të thuhet se ai e ka dëshiruar rënien e kulturës dhe qytetërimit perëndimor. Ka studiues që janë përpjekur ta shpjegojnë pesimizmin dhe fatalizmin e Spenglerit me gjendjen e tij të keqe shëndetësore, duke i atribuuar mendimin sadist se meqenëse organizmi i tij ishte i sëmurë dhe në dekadencë të parakohshme, ai e pa edhe Perëndimin dhe botën si një organizëm të tillë kulturor dhe shoqëror.
Por, cili ka qenë qëllimi i vërtetë i Spenglerit kur paraqiti teorinë e tij të quajtur fataliste, pesimiste, kataklizmike? Profetët nuk i zbulojnë qëllimet e tyre, por presin që njerëzit t’ i kuptojnë ato, duke u bërë të mençur nga përvojat e vështira. A mos ka qenë qëllimi i Spenglerit që t’iu thotë brezave të ardhshëm në mënyrën e tij, se duhet të bëjnë ndryshime themelore në kulturë si parakusht që të shpëtojnë nga katastrofat në të ardhmen? (Diçka të ngjashme për rëndësinë e kulturës do t’ iu thoshte dikur shqiptarëve edhe Branko Merxhani në vitet tridhjetë, por pa e përmendur Spenglerin, siç duket sepse mendonte që ishte një dozë e rëndë dhe e parakohshme filozofike për mendimin shqiptar të kohës).
A nuk ka sot gjithandej në vendet perëndimore dhe në botë kritikë të dekadencës kulturore dhe të prevalimit të teknologjisë, e cila uzurpon edhe kulturën? Askush nuk i akuzon këta kritikë si Spenglerianë, edhe pse mendimi i tyre është tekefundit në linjë me mendimin e Spenglerit. Spengleri ka qenë profeti i kësaj linje mendimi dhe sot meriton të quhet si ndërgjegjja e botës së rrezikuar, veçanërisht asaj perëndimore. Koha e sotme vërtetoi pikërisht atë rrezik për të cilin tërheq vëmendjen Spengleri në librin e tij, se kur nënvlerësohet kultura nga entuziazmi për teknologjinë, kultura evoluon në drejtimin e padëshiruar të një qytetërimi teknologjik që e tjetërson njeriun dhe me këtë hyhet në trajektoren e rënies.
Profesori Hub Zwart i Universitetit “Erasmus” të Roterdamit, pasi na thotë se Spengleri nuk tha asgjë për kulturën post-faustiane (nuk mund të pritej prej tij një gjë e tillë), atë që na intereson ne sot provon të bëjë një parashikim sesi mund të jetë ajo. Zwart parashikon se arti dhe shkenca do të interferojnë te njëra tjetra dhe do të zhduket ndryshimi mes shkencave humane dhe atyre natyrore, e gjithë kjo në kuadrin e shkrirjes të teknosferës dhe të biosferës. Kolegu i profesorit Zwart, profesori tjetër holandez Rene ten Bos, shtron pyetjen tjetër të rëndësishme se si do të jetë tranzicioni nga faza faustiane në atë post-faustiane. Shihet pra qartë se ajo që mund të quhet si Spenglerologji është bërë me apo pa dashje një fushë interdisiplinare informale në universitetet perëndimore. Elitat e mendimit në Perëndim sot me mençuri po e rilexojnë Spenglerin duke e kuptuar më thellë se deri tani atë.
Kjo është një sfidë edhe për ne shqiptarët sot. Por, tashmë që ky libër po e shikon dritën e botimit edhe në shqip nuk na mbetet veçse të shpresojmë se shtatë vjet më vonë, më 2029, në njëqindvjetorin e paraqitjes që Faik Konica i bëri këtij libri për shqiptarët, ky libër të ketë shkuar në sa më shumë duar të lexuesve shqiptarë dhe të jetë lexuar prej tyre. Është një libër që do të pasuronte çdo bibliotekë personale, si dhe padyshim edhe bibliotekat e shkollave tona nëse qeveria, bashkitë apo edhe sponsorët e mundshëm privatë do ta futnin këtë titull në listën e librave për të cilët këta japin ndonjëherë financime.
Kanë kaluar dyzetekatër vjet që nga koha kur zbulova atë revistën e vjetër të viteve tridhjetë, së cilës akoma dhe sot nuk ia di titullin dhe ku lexova artikullin për Spenglerin dhe librin e tij, të cilit artikull akoma dhe sot nuk ia di emrin e autorit. 44 vjet janë sa katër të pestat e jetës së Spenglerit. Atij iu deshën nëntë vjet për ta shkruar dhe botuar librin e tij. Mua m’u deshën 44 vjet për ta gjetur dhe botuar librin e tij. Në një pjesë të madhe të kësaj kohe nuk kisha asnjë mundësi për ta gjetur librin e Spenglerit dhe madje ishte e sigurt që përfundoja në burg nëse e kisha atë. Në një tjetër periudhë të kësaj kohe më duhet të mendoja dhe punoja për mbijetesën time, duke marrë kurajë edhe nga vështrimi i Spenglerit në fotografinë e tij që kisha gjetur. Para se të mund të gjeja librin e tij, gjeta fotografinë e tij.
Duke shkruar këto faqe më shkonin herë pas here sytë tek një fotografi e Konicës në murin e zyrës sime dhe më dukej sikur shikimi i tij më thoshte:
– A mos ndoshta ka pasur edhe një shkak tjetër që nuk ia ke pohuar as vetes për ngurrimin tënd për ta botuar këtë libër? A mos vallë dyshoje nëse shqiptarët janë pjekur vërtet sa duhet për të lexuar libra si ky i Spenglerit?
Ul sytë për një moment mbi fletët e printuara të përkthimit të librit të Spenglerit pastaj ngre kokën dhe i them me mend Konicës në mur:
– A nuk shkoje dhe ti me shpresë kur ke shkruar për Spenglerin dhe librin e tij në 1929? Edhe ti kishe të njëjtin dyshim por shpresoje që dikush në Shqipëri ta botonte librin. Kjo po ndodh pas 93 vjetësh. Vonë? Më mirë vonë se kurrë, thonë. Mund që të jetë e nevojshme që të kalojnë edhe 93 vjet që shqiptarët ta lexojnë këtë libër dhe të tjerë si ai, në atë masë sa ç’ do të na pëlqente ne të dyve. Apo ndoshta mund të duhet edhe më shumë kohë. Por, këtë gjë do ta dinë vetëm ata që do të flasin me fotografinë time 93 vjet më vonë ashtu siç po flas unë me tënden sot.
Jo më kot kanë thënë latinët e vjetër se librat kanë fatin e tyre dhe ky fat rrallë lidhet me fatin e botuesve, madje në shumë raste as me atë të autorëve. Por, dua t’ u bëj një pyetje z. Konica, mos ndoshta jeni juve autori i atij artikullit për Spenglerin në atë revistën e vjetër që kam parë dikur dhe nuk e kishit vënë emrin për shkak të detyrës që mbanit në atë kohë si ambasador? Dua të them, meqenëse në artikull thuhej në mënyrë kritike se libri i Spenglerit ishte i ndaluar në Gjermaninë naziste dhe nëse autori i artikullit ishte një ambasador shqiptar, kjo gjë do të shkaktonte një protestë zyrtare nga ambasadori gjerman në Tiranë.
Më dukej sikur fytyrën e Konicës në fotografi kalonte një grimasë nënqeshjeje, apo kjo përshtypja m’ u krijua pasi më bënë sytë nga lodhja pasi kisha punuar deri pas mesnatës?
Pavarësisht se nuk mora përgjigje dua që botimin në shqip të këtij libri, t’ua dedikoj si botues Faik Konicës, si tribut për artikullin e tij të vitit 1929 për Spenglerin dhe librin “Rënia e Perëndimit”, si dhe autorit të panjohur të revistës së panjohur (të cilin e kam shpjeguar në libër lidhjen me këtë revistë) , për të njëjtën arsye. Dhe, ka shumë mundësi që të bëhet fjalë për të njëjtin person!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje