LAJMI I FUNDIT:

Shtrembëroi deklaratën e zv.sekretarit të Këshillit të Evropës, LDK kërkon dorëheqjen e zv.kryeministrit Bislimi

Shtrembëroi deklaratën e zv.sekretarit të Këshillit të Evropës, LDK kërkon dorëheqjen e zv.kryeministrit Bislimi

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqje të menjëhershme të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, pasi ky i fundit u demantua nga zëvendës-sekretari i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, lidhur me përshkrimin e asaj që është biseduar sot në takimin mes tyre.

Zëvendës sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, ka thënë se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nuk ka bërë përshkrimin e drejtë të takimit që kanë pasur të mërkurën për aplikimin e mundshëm të Kosovës për pranim në këtë organizatë.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi tha se përfaqësimi jo dinjitoz i Bislimit dëmton procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.


“Kjo ndodh kur Kosova me të drejtë kërkon përshpejtimin për anëtarësimin e saj të domosdoshëm në NATO, BE, Këshill të Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi demantohet rëndë nga zëvendës-sekretari i Këshillit të Evropës, zotëri Berge, i cili thotë se ajo çka kam biseduar me zotëri Bislimin nuk është ajo çfarë ai ka paraqitur”, tha Halimi, transmeton Telegrafi.

Zëvendës-sekretari i Këshillit të Evropës i reagon Bislimit për deklaratën: Ky nuk është përshkrimi i saktë i asaj që deklarova në takim
Lexo po ashtu Zëvendës-sekretari i Këshillit të Evropës i reagon Bislimit për deklaratën: Ky nuk është përshkrimi i saktë i asaj që deklarova në takim

Ajo tha se ky është një skandal i madh diplomatik, që po i kushton rëndë vendit tonë.

“Është një përfaqësim jo dinjitoz nga z. Bislimi, i cili dëmton rëndë procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, institucion ky që kishim gjasa të mëdha për anëtarësim, pas suspendimit të Rusisë”.

“Andaj, LDK kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Bislimit, pasi i njëjti nuk është i denjë për të përfaqësuar vendin tonë në politikën ndërkombëtare. Rrjedhimisht Kosova po e paguan çmimin e paaftësisë së tij”, tha ajo.

Edhe ish-ambasadorja e Kosovës në Washington, nënkryetarja e LDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj huqjes së zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi pas takimit që bëri me zëvendës-sekretarin e Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.

Çitaku, në Twitter tha se deklarata e Bislimit ka dëmtuar rëndë agjendën e Kosovës.

Sipas Çitakut, ky veprim është mungesës e profesionalizmit, dhe përpos që është skandal, është edhe e dëmshme për Kosovën. /Telegrafi/