LAJMI I FUNDIT:

Bashkëpunimi i policisë Kosovë-Shqipëri, kapen shtatë të dyshuarit për kontrabandë, në mesin e tyre tre policë

Bashkëpunimi i policisë Kosovë-Shqipëri, kapen shtatë të dyshuarit për kontrabandë, në mesin e tyre tre policë

Shtatë persona janë arrestuar nga Policia e Shtetit në Shqipëri, në mesin e tyre tre zyrtarë policor të dyshuar për kontrabandë të mjeteve motorike dhe grup të strukturuar kriminal e shpërdorim i detyrës.

Kjo është bërë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ku po vazhdonë bashkëpunimi për të identifikuar edhe të tjerë të përfshirë

“Vijon puna në bashkëpunim me autoritetet Policore të Kosovës, për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, thuhet ndër të tjera në njoftim.


Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga Policia e Shtetit.

Sipas njoftimit, është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Nacional”.

“Operacioni nga DVP Tiranë në bashkëpunim me AMP (Agjencia e Mbikëqyrjes Policore), DVP Kukës dhe Komisariatin e Policisë Krujë. Goditet një grup i strukturuar kriminal, vihen në pranga 7 shtetas, 3 prej tyre punonjës Policie. Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre”, thuhet në komunikatë.

Tutje, është bërë e ditur se Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë në bashkëpunim me AMP, DVP Kukës dhe Komisariatin e Policisë Krujë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Nacional”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve.

“S. Sh., 31 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”; N. Sh., 24 vjeç, banues në Tiranë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”; E. C., 24 vjeç, A. Sh., 25 vjeç, të dy banues në Kamzë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”; V. D., 29 vjeçe, punonjëse Policie në strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe  E. A., 24 vjeç,  punonjës policie në  DVP Kukës, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”; F. B., 38 vjeç, banues në Kukës, me detyrë punonjës Policie në DVP Kukës, arrestuar në flagrancë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, shtetasi S. Sh., i cili ishte në rolin e drejtuesit, në bashkëpunim me lidhje të tij familjare dhe shoqërore, kishte krijuar një rrjet personash që funksiononin si një grup i strukturuar kriminal, dhe trafikonin mjete motorike të vjedhura, nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

“Shtetasi N. Sh., nëpërmjet lidhjeve të tij shoqërore në Kosovë, siguronte automjetet e vjedhura në këtë shtet. Trafikimi i këtyre mjeteve bëhej nëpërmjet PKK Morinë, dhe kalimin e tyre, e kryente shtetasi F. B., me detyrë punonjës Policie në stacionin e Policisë Kufitare Morinë, i cili nuk i regjistronte mjetet motorike që kalonin. Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi J. Sh., 30 vjeç. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 mjete, një shumë parash dhe 6 aparate celulare”, thuhet në njoftim.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprime të mëtejshme procedurale. /Telegrafi/