LAJMI I FUNDIT:

Szunyog: Kosova të shqyrtojë mundësitë e reja për furnizim me energji elektrike

Szunyog: Kosova të shqyrtojë mundësitë e reja për furnizim me energji elektrike

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka thënë se njerëzit në vend meritojnë qasje të përballueshme dhe të besueshme në energjinë e gjelbër.

Szunyog në tryezën me temën “Presidenca Franceze e Këshillit të Bashkimit Evropian”, ka shprehur shqetësimin edhe për mungesën e kuorumit në Kuvend dhe ecurinë e ngadaltë të akteve legjislative.

“Në Kosovë, furnizimi jo i besueshëm me energji, i cili bazohet kryesisht në thëngjill, mbetet një shqetësim. Ne inkurajojmë fuqimisht Kosovën që t’i përafrojë prioritetet e saj me ato të Bashkimit Evropian dhe të shqyrtojë opsionet për të ndryshojë furnizimet me energji. Kjo është edhe më e rëndësishme tani kur ne po përballemi edhe me krizën në Evropën Lindore. Kosova duhet të rrisë këtë përkushtim politik për të adresuar degradimin e mjedisit dhe sfidat klimatike, gjithashtu në këndvështrimin e përmbushjes së agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Njerëzit në Kosovë meritojnë qasje të përballueshme dhe të besueshme në energjinë e gjelbër. Rreziqet dhe kostot e mos kalimit në një energji të pastër për njerëzit, për mjedisin, krijimin e vendeve të punës për investime dhe ekonominë në përgjithësi, janë dhe do të jenë të mëdha”, ka deklaruar Szunyog.


E, ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine Butel theksoi se janë aktiv në agjendën ndërkombëtare që ka të bëjë me zvogëlimin e emetimit të gazrave dhe mbrojtjen e ambientit. Po ashtu, ajo me theks të veçantë ka folur për digjitalizimin, ku tha se Franca është e gatshme që të bëjë “Evropën Digjitale”.

“Është e nevojshme që të kemi diplomaci edhe në fushën e ekonomisë, ambasada ime është duke e shikuar shumë afër situatën në Kosovë. Dhe jemi të kënaqur që ka qëndrueshmëri në zhvillimin e pikave të cilat i përmenda. Kemi të bëjmë edhe me digjitalizimin, teknologjia digjitale është shumë e rëndësishme për të gjitha shtetet. Duhet ta zhvillojmë këtë fushë edhe më tej. Franca është e gatshme që ta bëjë Evropën digjitale dhe ta promovojë integrimin e tregut digjital. Ambicia jonë është që ta promovojmë digjitalizimin dhe duke zbatuar edhe Ligjin për Konkurrencë”, u shpreh ajo.

Sipas saj, Kosova tashmë ka hedhur hapat e parë për digjitalizim. Ajo ka rekomanduar që një gjë e tillë të bëhet në mënyrë sensitive, duke marrë parasysh mbrojtjen e klimës.

Më tej, ajo ka shtuar se digjitalizimi deri në vitin 2024 do të jetë shumë i përhapur dhe se duhet të zbatohet në mënyrë të mençur. /KP/Telegrafi/