LAJMI I FUNDIT:

Pentagoni vendos 8.500 trupa në “gatishmëri të lartë” mes tensioneve në Ukrainë

Pentagoni vendos 8.500 trupa në “gatishmëri të lartë” mes tensioneve në Ukrainë

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd J. Austin III ka vënë 8,500 trupa amerikane në “gatishmëri të lartë” për vendosje të mundshme në Evropën Lindore, ndërsa NATO dhe Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një pushtim të mundshëm rus të Ukrainës, ka bërë të ditur Pentagoni.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, shumica e 8.500 trupave do të marrin pjesë në një forcë reagimi të NATO-s që mund të aktivizohet së shpejti, tha John F. Kirby, zëdhënësi i Pentagonit.

Personeli i mbetur do të ishte pjesë e një reagimi specifik të SHBA-së ndaj krizës në thellim, thanë zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes, me shumë gjasa për t’u dhënë garanci aleatëve amerikanë në Evropën Lindore, të cilët kanë frikë se planet e Rusisë për Ukrainën mund të shtrihen në Baltik dhe vende të tjera në të ashtuquajturin krahu lindor i NATO-s.


“Është shumë e qartë se rusët nuk kanë asnjë qëllim për momentin të de-përshkallëzojnë”, tha zoti Kirby në një konferencë shtypi të hënën. “Megjithatë, ajo që bëhet fjalë është siguria për aleatët tanë të NATO-s”.

Njoftimi i zotit Kirby vjen pasi New York Times raportoi të dielën se presidenti Joe Biden po konsideronte vendosjen e disa mijëra trupave amerikane, si dhe anijeve luftarake dhe avionëve, në aleatët e NATO-s në Baltik dhe Evropën Lindore.

Pjesa më e madhe e trupave që janë vënë në gatishmëri më të lartë janë trupa tokësore në detyrë aktive, duke përfshirë brigada luftarake, dhe forcat mjekësore, aviacioni, transporti, inteligjencës dhe mbikëqyrjes me pajisjet e tyre, u tha zoti Kirby gazetarëve.

Ai nuk pranoi të identifikonte njësitë specifike, duke thënë se familjet po njoftoheshin të hënën. /Telegrafi/