LAJMI I FUNDIT:

Përvjetori i traktatit Elysee, Franca dhe Gjermania: Pajtimi franko-gjerman, një burim frymëzimi për Serbinë dhe Kosovën

Përvjetori i traktatit Elysee, Franca dhe Gjermania: Pajtimi franko-gjerman, një burim frymëzimi për Serbinë dhe Kosovën

Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës në Kosovë, në 59 vjetorin e traktatit Elysée midis Francës dhe Gjermanisë, kanë dalë me një qëndrim të përbashkët, ku ftojnë Kosovën dhe Serbinë që të ndjekin shembullin e pajtimit franko-gjerman si rezultat i këtij traktati.

Në letrën e përbashkët të ambasadorëve gjerman dhe francez thuhet se pajtim mund të inkurajojë që një gjë e tillë të ndodhë edhe midis Kosovës dhe Serbisë, pasi që përmirësimi i marrëdhënieve vetëm sa do t’u shërbente të dyja vendeve.

“Ky integrim rajonal është, siç e dimë ne francezët dhe gjermanët, njëkohësisht një arsye dhe një përfitim i pajtimit”, thuhet në letrën e përbashkët të dy ambasadorëve.


“Është një rreth virtuoz që fillon sapo të jenë hedhur hapat e parë – të vështirë”.

Sipas letrës së ambasadores franceze, Christine Butel, dhe atij gjerman, Jorn Rohde, status quo midis dy fqinjëve është sklerozë dhe pengesë për zhvillimin e shteteve në fjalë dhe njashtu përbën rrezik për Evropën.

“Prandaj, jemi të bindur se do të ishte gabim të mendohet se status quo-ja aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e mirë për këdo”.

“Është një sklerozë dhe një pengesë për zhvillimin e të dy vendeve, një rrezik jostabiliteti për rajonin dhe për Evropën në tërësi”.

Letra e plotë:

“Më 22 janar 2022, ne festojmë përvjetorin e traktatit Elysée midis Francës dhe Gjermanisë, si gur themeli i pajtimit dhe paqes së sotme franko-gjermane, pasi dy vendet tona kishin qenë në luftë tre herë brenda 70 vjetëve – luftëra që shkaktuan miliona vdekje nga të dyja anët. Më pak se 20 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, udhëheqësit politikë francezë dhe gjermanë – nën udhëheqjen e Presidentit De Gaulle dhe Kancelarit Adenauer – treguan një përkushtim të palodhshëm për të mbyllur faqen më të errët të historisë së tyre të përbashkët dhe nënshkruarnnjë traktat i orientuar vendosmêrisht drejt së ardhmes, duke u fokusuar në një të ardhme më të mirë të përbashkët për brezat e ardhshëm.

Ky traktat mundësoi për shembull themelimin e Zyrës së Rinisë Franko-Gjermane (OFAJ / DFJË). Traktati i Elysée vuri gjithashtu themelet e partneritetit të ngushtë franko-gjerman dhe projektit evropian që ne kemi ndërtuar së bashku me miqtë tanë evropianë që nga viti 1951. Kjo na mundësoi të garantonim një paqe të qëndrueshme dhe një prosperitet të përbashkët brenda Evropës. Paqja dhe prosperiteti lindën nga vullneti i pushtetarëve dhe popujve të Evropës për të tejkaluar tragjeditë e fundit të historisë sonë.

Sot gjejmë frymëzim në historinë e Francës dhe Gjermanisë dhe në pajtimin e suksesshëm të popujve tanë edhe për angazhimin tonë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Të aspirosh për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të thotë gjithashtu të integrosh këtë dimension të ndërtimit evropian. Bashkimi Evropian nuk do të mund të ishte ndërtuar pa vullnetin e popujve për të jetuar së bashku.

Ky është frymëzimi për mbështetjen tonë të vazhdueshme në favor të Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO) në Ballkanin Perëndimor. Për të tashmen dhe të ardhmen, është thelbësore që të rinjtë të njihen me njëri-tjetrin, që klishetë dhe paragjykimet aktuale të dekonstruktohen dhe që të rinjtë e të gjitha prejardhjeve të përvetësojnë shijen dhe zakonin e shkëmbimit, bisedës me njëri-tjetrin, punës së bashku, duke jetuar kështu së bashku në këtë rajon në zemër të Evropës.

Ky frymëzim është edhe arsyeja pse ne kemi mbështetur integrimin rajonal në Ballkanin Perëndimor, për shembull, përmes zbatimit të tregut të përbashkët rajonal, Procesit të Berlinit dhe zotimeve të miratuara në Sofje. Bashkëpunimi rajonal është thelbësor për rritjen ekonomike të rajonit, e cila është thelbësore për të garantuar stabilitetin afatgjatë dhe për t’u ofruar të rinjve perspektiva dhe mundësi në këtë rajon.

Ky integrim rajonal është, siç e dimë ne francezët dhe gjermanët, njekohësisht një arsye dhe një përfitim i pajtimit. Është një rreth virtuoz që fillon sapo të jenë hedhur hapat e parë – të vështirë. Prandaj, jemi të bindur se do të ishte gabim të mendohet se status quo-ja aktuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e mirë për këdo. Është një sklerozë dhe një pengesë për zhvillimin e të dy vendeve, një rrezik jostabiliteti për rajonin dhe për Evropën në tërësi.

Kosova dhe Serbia janë Evropë, Ballkani Perëndimor është në zemër të saj. Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij, në ballë të të cilave janë Franca dhe Gjermania, ofrojnë mbështetje të fuqishme për Kosovën dhe Serbinë, të cilat janë të destinuara të integrohen në Bashkimin tonë.

Kështu që sot ftojmë Kosovën dhe Serbinë që të marrin këtë frymëzim për t’u angazhuar plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe Përfaqësuesi i Posaçëm, Miroslav Lajčák. Kjo është rruga më e mirë drejt paqes, prosperitetit dhe drejt BE-së. Pikërisht në këtë dialog duhet të bëhen propozime konstruktive, të cilat ruajnë të ardhmen dhe interesat reciproke të të dy vendeve, si dhe të qytetarëve të të dyja vendeve. Sepse, përmes këtij dialogu mund të ndërtohet besimi me respekt për njëri-tjetrin dhe për marrëveshjet e kaluara dhe të ardhshme.

Franca dhe Gjermania do të vazhdojnë të jenë aty për të mbështetur dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe të gjitha reformat që i afrojnë të dyja vendet drejt integrimit evropian, në të mirë të demokracisë dhe të gjithë qytetarëve evropianë”, thuhet në letër. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Ndalohet një qytetare serbe për incizim të jashtëligjshëm të postbllokut të Policisë së Kosovës në Bistricë

Ndalohet një qytetare serbe për incizim të jashtëligjshëm të postbllokut të Policisë së Kosovës në Bistricë

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
“Serbia nuk luan dot me Kosovën”, deputeti gjerman: Bisedime të reja pas zgjedhjeve

“Serbia nuk luan dot me Kosovën”, deputeti gjerman: Bisedime të reja pas zgjedhjeve

Lajme
I jepet lamtumira e fundit ish-ushtarit të UÇK-së, Behgjet Hetemi, Kurti: Simbol i qëndresës në veri

I jepet lamtumira e fundit ish-ushtarit të UÇK-së, Behgjet Hetemi, Kurti: Simbol i qëndresës në veri

Lajme
Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Kronika e Zezë
Kalo në kategori