LAJMI I FUNDIT:

Dyshohet se ish kryetari i Shtërpcës përfitoi 1 milion euro nga lejet për ndërtimin e vilave – gjithçka nga aksioni i Policisë së Kosovës

Dyshohet se ish kryetari i Shtërpcës përfitoi 1 milion euro nga lejet për ndërtimin e vilave – gjithçka nga aksioni i Policisë së Kosovës

Policia e Kosovës një ditë më parë ka ndërmarrë një aksion të gjerë në Shtërpcë, ku arrestoi 10 persona, në mesin e të cilëve edhe ish kryetarin Bratislav Nikoliq.

Arrestimi i tyre është bërë nën dyshimin për vepra penale si keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrjes dhe dhënies së ryshfetit, gjegjësisht për dhënien e leje për ndërtimet në Brezovicë.

Për ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq, Prokuroria dyshon se ka përfituar 1 milion euro nga dhënia e lejeve për ndërtim të vilave në zonën e Brezovicës.


Për këtë rast janë bastisur 10 lokacione në regjionin e Ferizajt, Prishtinës dhe në Shtërpcë, ku janë sekuestruar para, armë, vetura si dhe disa dokumentacione.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, ka thënë se ky aksion është kryer në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë e hetimeve të krimeve të rënda në Prishtinë, sot në orët e hershme të mëngjesit ka organizuar një operacion me ç’rast janë bastisur 11 lokacione në regjionin e Ferizajt, Prishtinës dhe Shtërpcës.

Gjatë bastisjes së këtyre lokacioneve janë sekuestruar si prova materiale para, armë, vetura, disa dokumentacione. Po ashtu është bastisur edhe dy zyre të Kuvendit Komunal të Shtërpcës, zyra e kadastrës dhe e urbanizmit.

Në këtë rast janë ndalur me vendim të prokurorit të shtetit ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, drejtori aktual i urbanizmit, inspektorë komunalë, pronarë të kompanive të ndërtimit, disa qytetarë për shkak të dyshimit për veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrjes së ryshfetit”, ka thënë ai.

Prokurori i rastit Rasim Maloku, tha se aksioni i së martës ka qenë shumë i suksesshëm ku janë sekuestruar një sasi e madhe e provave. Ai deklaroi se lidhur me këtë çështje penale askush nuk do të jetë i paprekur.

“Në këtë çështje hetimet kanë filluar qysh në vitin 2019 dhe është ngritur një aktakuzë ndaj 10 personave, e cila veç është në fazën e gjykimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj, kurse në vitin 2020 kemi filluar një hetim të ri edhe ndaj 10 personave, e pastaj e kemi zgjeruar edhe ndaj disa personave për veprat penale kryesisht të natyrës së korrupsionit, dhënie ryshfeti, keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, ushtrimi i ndikimit…. Për këtë çështje do të vazhdojmë edhe më tutje dhe askush nuk do të jetë i paprekur qoftë në këtë çështje apo edhe në çështje penale që do të jetë objekt i trajtimit nga Prokuroria”, tha ai.

Shefi i hetimeve të krimeve të rënda, Agron Haziri, tregoi se gjatë kontrollit janë sekuestruar para të gatshme në vlerë 61 mijë e 470 euro dhe prova të tjera materiale.

“Operacioni ka rezultuar me 10 persona të arrestuar dhe 12 lokacione të kontrolluara. Tetë persona nga personat e arrestuar janë nga rajoni i Ferizajt, ndërsa dy persona janë nga rajoni i Prishtinës. Gjatë operacionit dhe kontrollit do të thotë janë sekuestruar prova dhe dëshmi materiale si në vijim, para të gatshme në vlerë prej 61 mijë e 470 euro, monedha në vlera të ndryshme si denarë maqedonas, dollarë, lekë shqiptarë, dinarë të Serbisë dhe franga zvicerane.

Është sekuestruar një pushkë ajrore, katër pistoleta, dy pushkë gjuetie, 531 fishekë të kalibrave të ndryshe, tre karikatorë, dy gëzhoja, një palë pranga, 21 thika, tetë vetura të ndryshme në vlerë prej rreth 300 mijë euro, 13 telefona, nëntë laptop, pesë USB dhe katër hard diska, fletore dhe dokumente të ndryshme, 60 negativë të aparatit telefonik, si dhe janë sekuestruar aparate për prodhimin e kriptovalutave të cilat Dogana e Kosovës i ka sekuestruar”, tha ai.

Të dyshuarit janë intervistuar nga Policia e Kosovës dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

Arrestohen dhjetë zyrtarë në Shtërpcë, në mesin e tyre edhe ish kryetari i komunës Bratislav Nikoliq
Lexo po ashtu Arrestohen dhjetë zyrtarë në Shtërpcë, në mesin e tyre edhe ish kryetari i komunës Bratislav Nikoliq

Sa i përket vilave që dyshohet se janë ndërtuar pa leje në Brezovicë, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, tha se të gjitha ato vila që janë ndërtuar pa leje do të bëhet sekuestrimi i përkohshëm i tyre.

“Të gjitha ato vila, të cilat janë ndërtuar pa leje, do të bëhet edhe sekuestrimi i përkohshëm i tyre. Fillimisht duhet të konstatohet se ato më të vërtetë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme. Pavarësisht se të kujt janë ato vila”, tha ai.

Sa i përket këtyre vilave, prokurori i rastit Rasim Maloku, tha se dyshohet që ish-kryetari i komunës së Shtërpcës ka marrë mbi 1 milion euro.

“Edhe pse jemi në fazën e hetimeve, megjithatë dyshimet tani për tani konsistojnë në vlera që kalojnë milionëshin, pra vetëm ish-kryetari i komunës së Shtërpcës dyshohet se ka marrë mbi 1 milion euro. Dyshohet që janë disa vila që janë përfituar si dhurata, vetura që janë marrë si dhurata për lëshimin e lejeve… Është e vërtetë që dyshohet se ka vilat që janë fare pa leje, por shumica e vikend-shtëpizave që quhen janë të ndërtuara në kundërshtim me ligjet që e rregullojnë ndërtimin në parkun kombëtar Sharri, në këtë kontekst edhe në zonën e Brezovicës… Disa zyrtarë kanë marrë dhurata para për të ushtruar ndikim tek zyrtarët që kanë lëshuar leje për këto vikend-shtëpiza në zonën e Brezovicës”, tha ai.

Sa i përket aparaturave që janë sekuestruar për prodhimin e kriptovalutave, u tha se janë gjetur në një shtëpi dhe që pronari nuk ka ofruar dokumentacione që ato janë futur ligjshëm në Kosovë. Ai ka mohuar se ato janë gjetur në shtëpinë e ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës.

Për aksionin e Policisë në Brezovicë, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sveçla në një postim në Facebook thotë se kjo qeveri është zotuar për luftimin e krimit në çdo cep të vendit.

“Ashtu siç jemi zotuar se do të luftojmë krimin në çdo cep të vendit, sot u zhvillua suksesshëm aksioni i Policisë së Kosovës ndaj krimeve me ndërtime që kanë shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të maleve në zonën e Brezovicës”.

Ai ka thënë se aksioni në Brezovicë nuk ka pasur qëllim persona apo etni të caktuara.

“Ky aksion nuk ka pasur cak persona të përveçëm apo të etnive të caktuara. Ky aksion, si çdo aksion tjetër i Policisë së Kosovës, ka pasur cak shkelësit e ligjit që në mënyrë të vazhdueshme, përmes formave të ndryshme kanë shkatërruar pasurinë publike për përfitime personale apo klanore”.

Ministri i Punëve të Brendshme thotë se shkelësit e ligjit do të luftohen pa asnjë dallim.

Ndryshe, në aksionin e së martës Policia ka arrestuar ish kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq dhe nëntë zyrtarë tjerë gjatë aksionit për ndërtime pa leje. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Kronika e Zezë
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Kalo në kategori