LAJMI I FUNDIT:

Rahovecasi mohon se e vrau e më pas e dogji vëllanë e tij

Rahovecasi mohon se e vrau e më pas e dogji vëllanë e tij

I akuzuari Gani Kriezi ka mohuar se në shkurt të 2020-së në Bërnjak të Rahovecit, e ka vrarë dhe më pas e ka djegur vëllanë e tij, B.K.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramiz Buzhala, i akuzuari mohoi fajësinë për vrasje të rëndë, ndërsa e ka pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Të dy armët që janë gjetur në shtëpinë time i kam dorëzuar vet”, tha i akuzuari Kriezi.


Më pas, prokurori Buzhala e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë të bërë nga ana e të akuzuarit sa i përket veprës penale të armëmbajtjes pa leje, pasi që sipas tij, armët për të cilat i akuzuari e pranon fajësinë janë të involvuara në kryerjen veprës penale të vrasjes së rëndë.

Përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokati Halim Shala, e ka mbështetur deklarimin e prokurorit për mospranimin e fajësisë sa i përket armëmbajtjes pa leje.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Afrim Radoniqi tha se pas konsultimit me të mbrojturin e tij, kanë ardhur në përfundim për pranimin e fajësisë lidhur me pikën dy të aktakuzës.

Më pas, gjykatësi Drilon Haraçia, e ka refuzuar pranimin e fajësisë të bërë nga ana e të akuzuarit sa i përket armëmbajtjes pa leje, pasi që vepra penale e vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje kanë lidhshmëri mes vete.

Ai i njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet, por se kanë të drejtë që brenda 30 ditësh të parashtrojnë me shkrim kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Sipas aktakuzës, më 11 shkurt 2020, në fshatin Bërnjak, Komuna e Rahovecit, pikërisht në shtëpinë e tani të ndjerit, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, i akuzuari Gani Kriezi, me dashje ka privuar nga jeta vëllanë e tij, B.K.

Aktakuza thotë se i akuzuari, paraprakisht kishte njohuri se vëllai kishte një shumë të konsiderueshme të parave, të cilat i kishte marrë me vete nga shteti i Zvicrës dhe në ditën kritike, Gani Kriezi kishte shkuar në shtëpinë e tij gjoja për t’ia dërguar një shumë të hollave prej 7 mijë euro, të cilat i kishte marrë nga djali i të ndjerit B.K, Altinit Jashar Cukiqit, në emër të një borxhi.

Aktakuza thotë se gjatë një bisede të përbashkët, i akuzuari ishte fyer nga tani i ndjeri, me pretekst se po i ndërhynë në familjen e tij.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i revoltuar nga kjo, i akuzuari kthehet në shtëpinë e tij, merr revolen, ku rreth orës 11:00 përsëri shkon në shtëpinë e tani të ndjerit B.K, hyn brenda në shtëpi, dhe në sallon, ku po qëndronte i njëjti, e ka goditur me predha në gjoks duke e lënë të vdekur në vend.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më pas i akuzuari e merr kufomën, duke e tërhequr zvarrë me një batanije, e vendosë në oborr të shtëpisë, më pas kufomën e mbulon me materiale të ndryshme si: drunj, plastikë, thasë letre, dërrasa, letër të zezë, e gjëra tjera, të cilat më pas i ndez duke krijuar një zjarr të madh, i cili qëndron i ndezur 2-3 ditë dhe më pas mbeturinat se bashku me disa mbetje kockore të tani të ndjerit thuhet se i hedh jashtë shtëpisë, në një vend deri tani të paidentifikuar, më qëllim për t’i zhdukur gjurmët e krimit.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 dhe 1.6 të Kodit Penal, e cila dënohet me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Tutje sipas prokurorisë, i pandehuri më parë e deri më 11 shkurt 2021, pa autorizim ka poseduar armë dhe municion, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Republikën e Kosovës.

Me këto veprime, i njëjti ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal. Kjo vepër dënohet me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi/

Në trend Lajme

Më shumë
“I harxhonte lekët me gra të tjera, veprova në gjaknxehtësi”, dëshmia në polici e 30-vjeçarit që vrau babanë në një fshat të Durrësit

“I harxhonte lekët me gra të tjera, veprova në gjaknxehtësi”, dëshmia në polici e 30-vjeçarit që vrau babanë në një fshat të Durrësit

Lajme
Paralajmërohen bllokada, MPJD apelon te qytetarët të shmangin vendkalimet kufitare me Serbinë

Paralajmërohen bllokada, MPJD apelon te qytetarët të shmangin vendkalimet kufitare me Serbinë

Lajme
Hoxhaj: Çmontimi i shtetit serb në veri, çmontoi Kosovën ndërkombëtarisht

Hoxhaj: Çmontimi i shtetit serb në veri, çmontoi Kosovën ndërkombëtarisht

Politikë
Përjashton bashkëqeverisjen me LVV-në, Hoti: Nëse s’i fitojmë zgjedhjet, rrimë në opozitë

Përjashton bashkëqeverisjen me LVV-në, Hoti: Nëse s’i fitojmë zgjedhjet, rrimë në opozitë

Politikë
Peci: Nëse dikush mendon se me masa policore mund të integrohet veriu e ka shumë gabim

Peci: Nëse dikush mendon se me masa policore mund të integrohet veriu e ka shumë gabim

Lajme
Kurti: Ndërmjetësimi ofron zgjidhje efikase në rastet e mosmarrëveshjeve

Kurti: Ndërmjetësimi ofron zgjidhje efikase në rastet e mosmarrëveshjeve

Lajme
Kalo në kategori