Rrudhat në duar janë dëshmi e historisë të shumë grave në Kosovë, për të cilat kuzhina, oborri e puna në ara përgjatë gjithë jetës u janë shndërruar në profesione të papaguara.
Oborri i duket i ngushtë në krahasim me arat që ka korrë. Shtëpia e re po ashtu është e vogël në krahasim me shtëpinë prej tullave që e kishte ndërtuar para më shumë se tre dekadash me dy duart e saj në fshatin Stroc të Vushtrrisë.
Dikur e re në moshë dhe e fuqishme për punë, tashmë 66 vjeçarja Miradie Selimi e cila nuk mund të ecë lirshëm për shkak të problemeve me njërën këmbë, nuk ka punë shtëpie që nuk e ka bërë përgjatë gjithë jetës së saj. Gjithë këtë punë, ajo e vlerëson si obligim prej të cilës vetëm mbijetoi, por asnjëherë nuk përfitoi.
Për një jetë të tërë, pensionerja e njeh veten vetëm si një amvise që gjithçka çka ka bërë është kontributi për familjen. Kontribut si vajzë shtëpie, sakrificë si nuse e re e përkushtim si grua në ‘fis të huaj.’
“Kur jam ardhë nuse, tulla kam pre e kam maru furra. E marojshim lloqin e me ta marojshim tulla. Ma mirë kisha punu në punë të shtetit e kisha marrë ni rrogë se sa me pre tulla” rikujtoi ajo.
“Edhe i kena ba punët e shpisë, edhe kam pre tulla, edhe kena korr edhe kena zhvosh, kena herr. U dashke me u qu heret me i kqyrë fminë, me shti bukë, me kthy kafjall, sillë e bo vakia edhe darkë puntorëve” rrëfen e moshuara për rutinën e saj më shumë se 40 vjeçare.
E lodhur nga mërzitë me të cilat e ka ndeshë jeta, Selimi e cila jeton vetëm me bashkëshortin e saj, ende vazhdon të punoj edhe pse më me dëshirë e kishte jetuar pleqërinë me një pension meritor si rezultat i punës që ka bërë gjithë jetën.
Për të, të punosh gjithë jetën punë të cilat je e obliguar tradicionalisht t’i bësh, por në fund të mos arrish t’i kesh as dy euro për të vizituar familjen, ose për të blerë diçka për veten tënde është thyerje e madhe për gjithësecilin.
“Kena punu gjithë ditën e kërkush kurrë si dinar nuk na ka jep. S’kemi pasë pare tona. Në kamë shkojsha te vllaznia e mi. Nuk është rrnesë, me punu ni jetë pa u vlerësu. S’kemi guxu as me ia lyp paret burrit a vjehrrit me shku, se as për veti nuk kanë pasë” tregon ajo.
Këtë dhimbje e ka përcjellë fakti që nga puna e madhe dhe e përditshme nuk ka arritur as t’i përkushtohet maksimalisht edukimit të fëmijëve të saj. Përpos që ishte detyruar në moshë të re të e ndaloj shkollimin për shkak të paradigmës se “çikat nuk bonë me dalë vetë”, ajo nuk arriti që ëndrrat e saj t’i përcjellë tek fëmijët.
“Kur shkojshin në shkollë në aksham ia lajsha këpucat edhe sabah se lloq, shkolla larg. S’kemi pas kohë as me kap e me mësu fminë” rrëfeu e dëshpëruar ajo, duke uruar që çdo grua në Kosovë të bëhet e zoja për veten e saj.
Një jetë e tillë e cila ka hendikepuar nga profesioni shumë gra në Kosovë, ka bërë që ato të jetojnë një jetë nën varësinë e dikujt tjetër, pa pasë mundësinë të provojnë veten në tregun e punës së paguar.
Kur liria të vjen shumë vonë në jetë
Edhe për Hatixhe Rrahmanin nga Prishtina jeta si amvise nuk ka qenë e lehtë, përkundrazi një jetë e atillë e ka sjellë në një situatë që barnat t’i blejë me ato pak të holla të pensionit.
73 vjeçaren të cilën mëngjesi e zë në një ulëse te lagjes ‘Ulpiana’ në Prishtinë, dëshira për të qenë e pavarur nuk iu shua asnjëherë.
Ajo tash shijon jetën e lirë të cilën fatkeqësisht nuk e ka jetuar sa ishte e re. Rrahmani çdo mëngjes e mbrëmje del e shëtitë nëpër lagjen e saj.
“Atëherë nuk kam pas as vakt me u merr me diçka që kam pas qef. U dashtë me i ba punët. Jena myt bre atëherë, shumë kena hjekë, krejt gratë. Zor o boll me ia lyp burrit do pare. Po atëherë as me mendu diçka me ble s’kemi mujtë e le ma me lypë” kujton ajo momentet e vështira të jetës së saj.
Por, duke krahasuar situatën që ka qenë para shumë vitesh, Rrahmani thotë se gratë kanë arritë të pavarësohen mjaft mirë dhe shpreson që një gjë e tillë të vazhdoj e të rritet edhe më shumë.
“Kam punu punë të arave e të shpisë. Err e terr, dilsha korrsha, qitsha dorëza për grur, vija i bojsha punët e shpisë. Nuk dijsha tyneherë se kurrë në shpi nuk kisha nejt. Kisha punu diçka që isha pagu, najsen në të shtetit. Shyqyr që bile pak ma mirë iu ka ardhë koha të rejave” thoshte 73 vjeçarja duke iu lutur vajzave të reja që mos të jetojnë jetën si të saj, por të shkollohen.
Nivel i lartë i pasivitetit ekonomik
Rreth 79.2 për qind e grave në Kosovë janë regjistruar si joaktive nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në vitin 2020. Një raport i Bankës Botërore thotë se përgjegjësitë familjare janë arsyeja kryesore për pasivitetin ekonomik të grave. Problem është edhe mungesa e kujdesit ndaj fëmijëve, e cila ndikohet edhe nga normat sociale.
Sipas një raporti të Bankës Botërore, në vitin 2019 Shqipëria kishte shkallën e punësimit të grave mbi 50 për qind, Mali i Zi dhe Serbia afër 50 për qind, Maqedonia e Veriut mbi 40 për qind, derisa Bosnjë e Hercegovina rreth 30 për qind.
Ndërsa, Instituti GAP në raportin e tij të vitit 2020 ka theksuar se shkalla e punësimit për gratë në Kosovë ishte vetëm 14.4 për qind, ndërsa për burrat ishte 46.2 për qind.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) gjithashtu tregojnë se shkalla e punësimit për gratë e Kosovës është vetëm 14 për qind. Sipas këtyre të dhënave, nga një numër i përgjithshëm i grave në moshë pune mbi 600,000, vetëm 85,601 janë në punë.
Në Kosovë, sipas ASK-së, numri i grave punëkërkuese me arsim të lartë është gjithashtu më i lartë se numri i burrave.
Të dhënat e saj thonë se në vitin 2020, 7 mijë e 557 gra që aplikuan për punë kishin diplomë të nivelit bachelor ose master, ndërsa punëkërkuesit me të njëjtin nivel arsimimi ishin 4 mijë e 370. Shkalla e përgjithshme e papunësisë në Kosovë është rreth 30 për qind dhe çdo vit deri në 25,000 njerëz hyjnë në tregun e punës.
Punësimi i grave duhet të jetë prioritet
Drejtoresha e Qendrës për Barazi Gjinore, Luljeta Demolli, thotë se politika sociale për punësimin e grave është prioriteti i parë që duhet të vendoset mbi tavolinën e qeveritarëve.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që gratë lehona të papuna të përfitojnë nga 170 euro për 6 muaj, kurse ato të punësuara do marrin nga 170 euro për 3 muaj. Kjo pagesë do të bëhet krahas kompensimit të rregullt të pushimit të lehonisë.
“Nëse ti i thua gruas lind se shteti të subvencionon, pa ia dhanë shancën me dalë në treg të punës, nuk je duke bërë diçka që nuk e ka ba patriarkati. Barrën krejt ia ke dhanë gruas”, thotë Demolli.
Ajo thotë se nuk duhet të krijohen ‘politika populiste’ që ulin aktivitetin e grave kur norma e aktivitetit të grave është shumë e ulët, por duhet të nxitet punësimi.
“Varet çfarë prirje kanë gratë. Ato duhet të subvencionohen në bujqësi, t’u i qu serra, t’u ia kriju një jetë sociale, t’u ia kriju afër shkollës një kurs ku ajo mësohet e aktivizohet, të bëhet aktive në tregun e punës, të shes produktet e veta bujqësore. Me këtë ia garanton shteti që i ka nën përkrahje”, thotë Demolli për BIRN.
Sipas saj, e drejta për punë është e drejtë elementare, dhe në këtë mënyrë duhet të veprojnë edhe institucionet, duke i dhënë mundësi grave që ta shohin veten në tregun e punës.
Nevojiten më shumë iniciativa për gratë
Theranda Beqiri, profesoreshë e ekonomisë dhe biznesit në Universitetin “Haxhi Zeka” në Prizren, thotë se niveli i ulët i grave në tregun e punës është i lidhur ngushtë me kulturën dhe ekonominë e Kosovës.
Një anketë e vitit 2017 e Institutit Riinvest mbi kohën që gratë shpenzojnë duke punuar vuri në pah se gratë në Kosovë shpenzojnë mesatarisht shtatë orë e 28 minuta në ditë në punë me pagesë dhe dy orë e 57 minuta tjerë në punë pa pagesë, duke u kujdesur për familjen dhe duke bërë punët e shtëpisë.
Kështu, mesatarisht, gratë kalojnë 10 orë e 25 minuta duke punuar çdo ditë.
Profesoresha theksoi se papunësia e grave në Kosovë varet pjesërisht nga traditat kosovare, nga niveli i remitencave nga diaspora dhe nga mungesa e motivimit për të raportuar në zyrën e punësimit, pasi përqindja e grave që gjejnë punë është e ulët.
“Një nxitje do të ishte ofrimi i trajnimeve profesionale lidhur me zhvillimin e aftësive që kërkohen në tregun e punës ose pagesa e sigurimit social kur lajmërohen si të papunësuara, që është praktik ë e vendeve nordike e perëndimore.”
Të dhënat e Forumit Ekonomik Botëror për vitin 2016, tregojnë se gratë punojnë mesatarisht 8 orë dhe 49 minuta në ditë, duke përfshirë këtu punën e paguar dhe të papaguar. Ndërsa burrat punojnë 7 orë dhe 47 minuta.
Në anën tjetër, burrat shpenzojnë vetëm 1 orë e 30 minuta në punë pa pagesë e punë të kujdesit, ndërsa gratë duke pasur barrën më të madhe të punës së kujdesit e asaj të papaguar, punojnë deri në 4 orë 47 minuta në ditë punë të tilla. /BIRN/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë
Sllovakia nuk e njeh Kosovën, por do të dërgojë ushtarë në kuadër të KFOR-it
Tri organizata bashkojnë forcat për të luftuar keqinformimin gjatë zgjedhjeve në Kosovë
Sekuestrohet një Lamborghini në Prizren, duke e vizituar atë ishte një fëmijë 11 vjeçar
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje