LAJMI I FUNDIT:

Administrohen provat në gjykimin ndaj ish-deputetëve të akuzuar për gazin lotsjellës

Administrohen provat në gjykimin ndaj ish-deputetëve të akuzuar për gazin lotsjellës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën janë administruar provat materiale në gjykimin ndaj ish-deputetëve Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala.

Të dy këta po akuzohen se kishin hedhur gaz lotsjellës në një seancë të Kuvendit të mbajtur më 30 nëntor 2015, si dhe kishin penguar zyrtarët policorë, gjatë kohës kur këta të fundit po mundoheshin ta shoqëronin në polici, Albin Kurtin, i cili atë kohë kishte qenë deputet.

Fillimisht, prokurori Menduhi Kastrati, mbrojtësja e të akuzuarit Kurteshi, avokatja Teuta Zhinipotoku dhe mbrojtësi i të akuzuarit Haxhi Shala, avokati Naser Sopjani deklaruan se mbesin në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë në seancat e kaluara.


Ndërsa, i akuzuari Kurteshi deklaroi se e mbështet fjalën hyrëse të mbrojtëses se tij dhe shtoi se i njëjti ka lexuar fjalorin e gjuhës shqipe dhe sipas tij fjala “gaz lotsjellës” nuk është armë.

“Prapë po them që e mbështes fjalën e avokates, por dua të shtoj se përveç që e mbështes mbrojtësen time në fjalën hyrëse, vet pala e cila pretendohet që është e dëmtuar nuk paraqitet në seancë, do të thotë që nuk e konsideron veten të dëmtuar edhe tjetra thash që e kam konsultuar fjalorin e gjuhës shqipe, fjala gaz lotsjellës nuk është armë”, tha i akuzuari Kurteshi.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Sopjani në fjalën hyrëse shtoi se sipas tij në këtë rast prokuroria ka vepruar përtej autorizimeve të veta, pasi që sipas tij Kuvendi i Republikës së Kosovës vepron sipas mekanizmave dhe autoriteteve të tij për të ndërmarrë veprime të brendshme në rast se vlerëson se deputetët e Kuvendit pengojnë punën brenda këtij institucioni.

“Tani në këtë fazë konstatohet se prokuroria e shtetit ka vepruar përtej autorizimeve të saja kur dihet se Kuvendi i Kosovës vepron në bazë të rregullores së punës të datës 29 tetor 2010 e që i ka mekanizmat dhe autoritetet e veta, për të ndërmarrë veprime të brendshme, në rast se e vlerëson se deputetët e Kuvendit janë duke penguar punën brenda shtëpisë se tyre (Kuvendit të Kosovës)”, tha avokati Sopjani.

I njëjti shtoi se për këtë arsye, Kuvendi i Kosovës nuk e vlerëson veten si të  dëmtuar apo të penguar në kryerjen e punës edhe në rastin konkret.

Tutje, seanca ka vazhduar me administrimin e provave nga gjykatësi Eroll Gashi, e si prova ai ka cekur raportin informues të datës 17 nëntor 2015, foto-dokumentacioni dhe është bërë shikimi i video-incizimit për rastin e 2015-ës.

Këto prova i ka kundërshtuar mbrojtja në tërësi dhe sipas avokates Zhinipotoku, me këto prova nuk vërtetohen veprimet të cilat prokuroria pretendon lidhur me veprat penale për të cilat akuzohet mbrojtësi i saj.

Tutje, ajo tha se edhe me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit, sipas saj me ekspertizën toksikologjike nuk është konstatuar se gazi lotsjellës paraqet rrezik për jetën dhe shëndetin e njeriut.

Lidhur me këtë, i akuzuari Kurteshi deklaroi se gazin lotsjellës e ka ndezur tek këmbët e tij, veprim ky me të cilin nuk i ka shkaktuar dëm askujt.

“S’kam çka them përveç asaj se thënia e kam sulmuar ose dëmtuar Kuvendin ose të pranishmit, nga ato pamje shihet se nuk qëndrojnë, pasi që unë atë gaz lotsjellës e kam hedhur tek këmbët e mia dhe nëse dikujt do t’i shkaktoja dëm, do t’i shkaktoja vetes,  por as veten se kam dëmtuar”, tha i akuzuari Kurteshi lidhur me administrimin e CD në këtë seancë.

Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Sopjani lidhur me provat e administruara deklaroi se në asnjë formë i mbrojturi i tij nuk është i përfshirë në këtë çështje.

“Me provat e administruara sot, saktësisht raporti informues i datës 17 nëntor 2015 konstaton se në asnjë formë, i mbrojturi im nuk është i përfshirë në këtë çështje dhe ky raport pra prova e parë e prokurorisë flet se kryesia e Kosovës paska pasur një plan operativ që të ndalohet deputeti Albin Kurti dhe ky plan paska filluar gjysmë ore para fillimit të seancës së Kuvendit”, deklaroi avokati Sopjani.

Tutje, ai tha se edhe me video-incizimet e paraqitura shihet se i mbrojturi i tij gjendet në sallën e Kuvendit duke qëndruar në këmbë dhe në asnjë formë nuk identifikohet se çfarë gazi ka qenë, çfarë forme dhe materie ka pasur ky gaz, pasi që sipas tij ka mundur të shkaktojë ose dëmtojë shëndetin e dikujt.

Më pas, prokurori Kastrati i ka propozuar gjykatës që në cilësinë e dëshmitarëve të ftohen zyrtarët policorë Isuf Xhemjali, Mejdi Kozhani dhe Rifat Gashi, pasi që sipas tij vërtetohet gjendja faktike për sa i përket veprës penale të kryer nga i akuzuari Shala sipas diapozitivit të dytë saktësisht pika numër 2 e kësaj aktakuze.

Një propozim të tillë nga e prokurorit e kanë kundërshtuar në tërësi mbrojtësit e akuzuarve, avokatja Zhinipotoku dhe avokati Sopjani.

Sipas avokates Zhinipotoku, një propozim i tillë nga ana e prokurorisë lë përshtypje se prokuroria po tallet edhe me gjykatës në këtë rast.

“E kundërshtoj ne tërësi një propozim të tillë, sepse kjo të lë përshtypje se prokuroria po tallet edhe me gjykatën në këtë rast duke e pasur parasysh se aktakuza është ngrit më 8 janar 2016, e sot është 1 nëntor 2021”, tha avokatja Zhinipotoku.

Po ashtu sipas saj, duke e pasur parasysh po ashtu faktin se në seancat e kaluara as Polica e Kosovës e as Kuvendi i Republikës së Kosovës përkatësisht përfaqësuesi i tij nuk e kanë ndier veten si palë të dëmtuara, me çka konsiderohet se asnjë dëm nuk u shkaktuar të njëjtëve.

Ndërsa, avokati Sopjani lidhur me këtë propozim deklaroi se fillimisht prokuroria së pari duhet të vërtetojë se çfarë fakti do të vërtetohet konkretisht nga secili dëshmitar i propozuar.

“Sa kuptova nga prokuroria, dëshmitarët e propozuar kanë qenë hetues të rastit dhe besoj se hetuesit e rastit atë çfarë kanë ditur dhe kanë pasur i kanë paraqitur në raport në shkresat e tyre”, tha Sopjani.

Ndërsa, shtoi se është duke u krijuar një situatë jo e aq e mirë qe fatkeqësisht po aprovohet nga ana e gjykatës që një hetues që heton një rast të ftohet si dëshmitar i rastit, kjo është një fazë analogjie sikur ta propozojmë prokurorin e rastit si dëshmitar.

Më pas, ky propozim nga ana e prokurorisë është refuzuar nga gjykata.

Ndryshe, në këtë seancë kanë munguar edhe përfaqësuesit e autorizuar nga Polica e Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, për të cilët gjykatësi Gashi deklaroi se të njëjtit janë ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.

Seanca e sotme do të vazhdonte me dhënien e mbrojtës nga ana e të akuzuarve Kurteshi dhe Shala, mirëpo avokatët Zhinipotoku dhe Sopjani kanë kërkuar ndërprerjen e kësaj seance me arsyetimin se të njëjtit nuk janë konsultuar mjaftueshme me të mbrojturit e tyre.

Në këto rrethana, seanca e sotme u ndërpre dhe e radhës u caktua për 15 nëntor 2021.

Ky rast ka qenë duke u gjykuar në Departamentin e Krimeve të Rënda, por tani lënda ka kaluar për gjykim në Departamentin e Përgjithshëm, tek gjykatësi Eroll Gashi.

Sipas aktakuzës së ushtruar më 8 janar 2016, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala po akuzohen se më 30 nëntor 2015, rreth orës 11:00, në Sallën e Seancave Plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, me qëllim të ndërprerjes së punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës, të cilën e posedonin pa autorizim.

Sipas aktakuzës, derisa Kryetari i Parlamentit ishte duke i njoftuar deputetët me rendin e ditës, të akuzuarit Kurteshi dhe Shala e kishin aktivizuar gazin lotsjellës.

Për këto veprime, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshme” nga neni 375 par.1 të Kodit Penal.

Kurteshi dhe Shala po akuzohen edhe se kishin penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht pjesëtarët e Policisë dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Një gjë të tillë, Haxhi Shala akuzohet se e ka bërë në cilësinë e deputetit nga radhët e Nismës për Kosovën, ashtu që me disa deputetë të tjerë janë munduar që ta pamundësojnë shoqërimin në Polici të deputetit Albin Kurti nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës si dhe kishte hedhur gaz lotsjellës duke pamundësuar mbajtjen e seancës plenare.

Kurse, Kurteshi akuzohet se në seancën e 30 nëntorit 2015, kishte hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit duke pamundësuar mbajtjen e seancës.

Për këto veprime, Kurteshi dhe Shala akuzohen edhe për veprën penale “Pengimi i personit zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409 par.1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal.

Në trend Lajme

Më shumë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Kalo në kategori