LAJMI I FUNDIT:

Halil Berisha përfundon dëshminë në Hagë, ish-krerët e OVL-UÇK mbesin në paraburgim

Halil Berisha përfundon dëshminë në Hagë, ish-krerët e OVL-UÇK mbesin në paraburgim

Ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u është vazhduar paraburgimi deri në marrjen e vendimit pas pranimit të informatave që kanë kërkuar nga Policia e Kosovës, ka vendosur kështu trupi gjykues i kryesor nga gjykatësi Charles L Smith III.

Seanca gjyqësore nda tyre ka vazhduar edhe sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, me dëshminë e ish-gazetarit Halil Berisha i cili është përgjigjur rreth raportimeve që ka bërë në kohën kur OVL-UÇK kishte bërë të ditura dokumentet të cilat pretendohej që kishin rrjedhur nga Specialja.

Halil Berisha, i cili qysh në fillim të paraqitjes së tij në Hagë ka deklaruar që është detyruar të shkojë të dëshmojë në këtë gjykim dhe nuk ndjehet i lumtur për një gjë të tillë, ka thënë se ai dhe kolegët e tjerë redaktorë në Gazetën Infokusi kanë marrë vendim që mos t’i shpërndajnë dokumentet që ai i ka marrë nga drejtuesit e OVL-UÇK.


“Jo vetëm në këtë rast por gjithmonë kur një media ka material që nuk kanë mediat e tjera atëherë ekziston me ndodh bashkëpunimi, me shpërnda me të tjerët, por zakonisht për këto çështje pyetet personi më i lartë në hierarkinë e medias, nuk marrin vendim gazetarët ose redaktorët në këtë rast. Edhe ne kemi diskutu me ekipin redaktorial të Gazetës Infokus edhe kemi ardh në përfundim mos me i shpërnda këto dokumente me askënd kështu që të unë nuk më kujtohet që ka pasur ndonjë kërkesë për me i marrë mediat dokumentet, por këto kërkesa kanë shku të personat që kanë qenë në hierarki më lartë se unë”, ka thënë Berisha.

​Dëshmitari: Një pjesë e dokumenteve ishin kërkesa të TFHS drejtuar serbëve për t’u siguruar dëshmitarë
Lexo po ashtu ​Dëshmitari: Një pjesë e dokumenteve ishin kërkesa të TFHS drejtuar serbëve për t’u siguruar dëshmitarë

Halil Berisha, ish-gazetar dhe redaktor në Gazetën Infokus është dëshmitari i dytë në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Hardinajt.

Ai kishte raportuar për konferencën e parë të OVL-UÇK rreth dosjeve për të cilat akuzohen Gucati e Haradinaj, ku edhe kishte marrë një kopje të tyre.

Dëgjimi i Halil Berishës ka përfunduar sot në Dhomat e Specializuara në Hagë ndërsa gjykimi pritet të vazhdojë nesër me paraqitjen e dëshmitarit të tretë në këtë rast.

E avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees ka thënë se veprimet e ish-kreut të OVL-UÇK kanë qenë në interes të publikut.

“Zoti Gucait ka bërë atë çfarë ka bërë për interesin e publikut, ne do të parashtrojmë se sjelljet dhe veprimet e tij nuk qojnë në vepër penale. Nëse trupi gjykues është kundër nesh në këtë pozicion atëherë ne do të themi që ai ka vepruar duke ndjekur nxitjen nga të tjerët, dhe siç e kemi ngritur kjo është një çështje sa i takon kësaj procedurë në kuptimin që kush është nxitur, dhe sa i takon kësaj çështje do të ketë nxitje të policisë dhe do të duhej të shqyrtojmë sek ush është përfshirë në këtë nxitje për të kryer krimin”, ka thënë avokati Rees.

Ai ka thënë se do të parashtrojnë që veprimet e Gucatit nuk çojnë në vepër penale.

“Ne do të parashtrojmë që në instancën e parë trupi gjykues të shqyrtojë se çfarë veprimesh ka ndërmarrë zotëri Gucati dhe nëse këto veprime qojnë në vepër penale apo jo, ne do të parashtrojmë që veprimet e tij nuk qojnë në vepër penale dhe pjesë e këtyre parashtrimeve do të përfshijnë përmendjen e interesit publikut. Nëse trupi gjykues është kundër nesh dhe nëse do të marrë vendime për të kundërtën atëherë ne do t’i kërkojmë trupit gjykues pse ka vepruar ai, jo sa i takon pistës së interesit të publikut por çfarë ka ndodhur përpara kësaj dhe do të ndjekim shtegun e nxitjes për kryerjen e veprës”, ka shtuar Rees.

Ndërsa mbrojtja e Nasim Haradinajt, Toby Cadman ka thënë se pozicioni i tyre është i njëjtë me atë të avokatit Rees.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.