Nga: Robert Prennushi
Sot, mjetet e komunikimit janë të tilla që, bashkë me lajmet e mira e të këqija, mbartin me shpejtësi nga nji cep të botës në tjetrin edhe kangën, gjininë ma të thjeshtë e komunikuese, që bahet kështu edhe ajo nji ‘gjuhë’ ndërkombëtare e kuptueshme për të gjithë, nga melosi e jo vetëm. Tue kalue çdo barrierë gjuhësore e gjeografike, uebi ban që të ‘takohen’ tash e parë popujt njeni me tjetrin, tue shkembye kështu kangët – kartvizitat e tyne. Në këte lëvizje marramendëse asht përfshi edhe kanga shqiptare që, edhe pse e kishte gjetë fytyren e vet në melos, sot – e ky asht nji paradoks – me gjithë mjetet e reja shprehëse që ka fitue, ka luhatje sepse ndokush mendon se sot asht anakronike të flasim për karakter e frymë kombëtare në kangën shqiptare bashkëkohore.
Aftësia e kangës, si gjini, me shprehë në nji kohë minimale, rreth tre minuta, nji emocion të fortë, shpesh edhe nji temë që të ban me mendue, asht në favor të saj, por përban edhe vështirësinë e saj. Në fakt duhet që, në atë ‘kartvizitë’, të identifikohet sa ma mirë, ma bukur e në mënyrë origjinale; ndryshe nuk kuptohet se kush asht, nga cila anë vjen, sidomos kur përballet me shoqe të veta në takime o koncerte në vende të tjera.
Evoluimi asht nji proces që në fakt duhet të vijë në mënyrë të natyrshme, por sot, tue ia lanë ma shumë spontanitetit, jemi kthye mbrapa në raportin mes kangëve të shumta dhe cilësisë së tyne. Zhvillimi i përgjithshëm kulturor, që e ka lanë praktikisht pa punë kritiken muzikore – ban që shijen muzikore ta vendosë, mjerisht, ‘tregu’. Por nëse duem të njihemi edhe në botë si vend i zhvilluem e mbasi nuk kemi fusha të tjera për t’i tregue botës nivelin tonë kulturor, si popull), le të shfrytëzojmë ate që e kemi në gen, talentin e spikatun në fushën e muzikës.
Për këte duhet që ne, të parët, të fitojmë vetdijen për potencialin tonë në këte fushë. Natyrisht kjo vlen edhe për organet shtetnore.
Në nji territor relativisht të vogël si yni – historikisht-rezultat i nji ngushtimi shumë të madh – kemi nji larmi të jashtzakonshme shprehjesh muzikore, që të habisin për pasuninë e ndryshueshmëninë befasuese. Pak kilometra e ndajnë monodinë e Veriut me polifoninë e jugut, po sa kontraste të mrekullueshme kemi!
Pra nuk ka fushë tjetër që mund të na përfaqsojë në botë, pa asnji kompleks inferioritet, ma shumë se kanga e muzika në përgjithësi. E në fakt, sidomos në muzikën klasike, në lamin vokal e instrumental, sot ma shumë jasht vendi, mjaft artistë shqiptarë kanë ba emën. Por në lamin e kangës, që asht kartvizita jonë që i japim nji të hueji kur vjen në vendin tonë, pa pasë frikë se bajmë figurë të keqe, duhet ba shumë ma tepër. Por për çudi ne, në vend që të jemi origjinalë, po përpiqemi të jemi sa ma ‘kozmopolitë’, tue harrue se, krahas kërkesave artistike bashkëkohore, fryma e ngjyra popullore i japin diçka ma shumë kësaj gjinie, e jo vetëm asaj; i japin të veçantën nga popujt e tjerë. Por kanga asht vetëm nji element, edhe pse i randësishëm, në edukimin muzikor, që duhet të fillojë nga shkolla, pra që në fëmini, atëherë kur krijohen shijet e qasja ndaj artit e jo vetëm.
Në vend që në shkolla të ecim përpara në këte drejtim, nji ashtuquejtun ‘reformë’ e ka kthye landën e muzikës gati si nji orë fakultative, sepse në planet mësimore ajo asht përgjysmue. Nji vendim i paprecedent dhe nji qendrim që ka fillue të ketë pasoja që tani. Por largimi i vemendjes i organeve përkatese shtenore, në rastin tonë për muzikën, shihet qartë edhe në qendrimin që mbahet ndaj muzikës së lehtë. Nuk dihet ku po shkojmë, në Europë apo në Lindje? A ka ndonji piksynim a ndonjë masë konkrete për të ndalue shpërftyrimin që ka fillue me fitue terren në shijen për muziken e lehtë?
* * *
Nuk asht anakronike të flasish sot për karakterin e frymën kombëtare, sepse po të hulumtosh thellë në muzikën tonë gjen nji identitet të papërsëritshëm, identitet, që gjen shprehjen në binomin gjuhë-muzikë (që kanë të përbashkët tingullin) për të cilin ne si komb, jemi të papersëritëshem. A nuk janë arbëreshët nji shembull që zor të gjendet në botë, që difton për forcën e binomit tonë gjuhë-muzikë për ruejtjen e identitetit kombëtar?
Ishte koci i fortë i identitetit tonë gjuhësor – (degë e vetme, pa asnji kushrillek në trungun indoeuropian) – që bani të mos latinizohej gjuha jonë, edhe pse pushtimi romak zgjati pak a shumë sa në Rumani, Francë, Spanjë, gjuhë që sot hyjnë në grupin e gjuhëve neolatine). Në pesë shekuj a ma shumë sundim romak, gjuha jonë nuk pësoi trauma shpërftyruese. Edhe fjalët që huazuem iu nënshtruen fonetikës (pra tingllimit muzikor) të gjuhës sonë. Rilindasit ban çmos që të rekuperojnë sa ma parë shekujt e humbun dhe e pasunuen shqipen me neologjizma e shprehje, tue përdorë kritere shkencore gjuhësore. Nji proçes i tillë, madje edhe ma i thellë, ndodhi edhe me kangën e muzikën popullore në përgjithësi, mbasi ndikimi oriental e jo vetëm, sidomos në kangët e ahengut qytetar, ishte i madh. Pa pritë formimin e muzikantëve profesionistë, interpretuesit e saj, me vetëdijen e re kombëtare, që në çerekun e fundit të shek. XIX, tue pasë në bazë të ndërgjegjës së tyne muzikore nji nënshtresë të pasun, arriten ta pastrojnë kangën, jo vetëm në thelbin e vet melodik, – tue e shartue me shije e me tema autoktone, – por edhe në frymën e interpretimin e saj, tue i dhanë kështu nji fytyrë të re. Ky proçes veproi sidomos me kangën qytetare të Beratit, Elbasanit e sidomos me ate të Shkodrës, ku ‘investuen’ artistë amatorë e profesionistë, kangëtarë e kompozitorë me rezultate të jashtzakonshme përtritëse. Pra pas pesë shekujsh populli nuk e la muziken e vet të orientalizohej, por ruejti tiparet e veta ma të qenësishme, nga kanga maje krahu deri tek polifonia e jugut, nga melodia e fyellit e çiftelisë, tek kabaja me klarinetë.
* * *
Pse sot po fiton terren tallavaja? E pra duhet thanë, për hir të së vertetës, se kanga shqiptare e kultivueme, e muzika në përgjithësi, megjithë censuren në formë e përmbajtje që pati gjatë diktaturës, krijoi nji traditë të re e cilsore me krijime që mbesin ende sot modele të frymëzueme, me melos të mbështetun në karakteristikat ma cilësore të folklorit tonë, në frymë e tipare.
Këte traditë po vazhdon edhe Festivali i Kangës në RTVSH, që ka kalue ma se gjysëm shekulli eksperiencë, Festivali ‘Lule borë’ në Shkodër, edhe ky me shumë e shumë vite eksperiencë, shtojmë këtu edhe ndonji veprimtari të kësaj natyre, si Festivali në Elbasan e ndonji tjetër, – që po e vazhdojnë traditën ndonjiherë me mundësi modeste financiare por me nji vizion ma të hapun e të lirë në kultivimin e zhvillimin e kangës shqiptare bashkëkohore. Pra asht nji fatmirësi që zakonisht çdo fundviti kemi veprimtari të tilla, ku kanga e re shqiptare gjen vendin e vet të natyrshëm dhe na ofrohet jo nga kërkesat e ‘tregut’, por nga nji seleskionim i përgjegjëshem profesional. Po bahen pra tre dekada që kompozitorët janë të lirë të përfitojnë nga gjithë eksperjenca botnore në shfrytëzimin e mjeteve shprehëse: ritem, harmoni, orkestracion, interpretim. Ky pasunim që ndjehet në veprimtaritë që përmendem dhe që në nji drejtim janë edhe nji terapi e nevojshme, asht krejt i pamjaftueshme. I pamjaftueshme sepse ‘kjo liri’, në vend që të pasunonte e të naltësonte nivelin cilësor të kangës shqiptare në përgjithësi, lejoi të hidhen në treg kangë e interpretime, që janë krijesa të stërkequna ose kopje, madje edhe të trasformueme për të keq, nga vendet fqij e madje edhe ma larg, që asht zor të njihen se janë tonat. Shija e popullit tonë ka pranue e pranon krijime originale të vendeve të tjera, pelqen origjinalin, pa asnji kompleks inferioriteti, sepse asht koshjent për bukurinë e pasuninë shprehëse të kangës së vet shqiptare. Por kur kopjohen e serviren si tonat, si në interpretim, ashtu në elementet përbasë, kjo sjell veç çoroditje.
Pra, në tanësi, nuk mund të thuhet se kanga shqiptare gëzon shëndet të mirë. Nuk duem ta bajmë tragjike, por aty afër jemi, sepse asht i ligjshëm shqetësimi i muzikantëve e i amatorëve të muzikës sonë kombëtare ndaj këtij invazioni përçudnues të tallavasë. Nuk kemi ndigjue ndonjiherë që dikush me peshë në vendimarrje të ketë shprehë ndonji shqetësim ose të ketë promovue ndonji tryezë ose botim për këto devijime që i bajnë dam fizionomisë së kangës sonë e për rrjedhojë edhe kulturës sonë.
Ma shumë se kanga asht shija muzikore që po sëmuret. Dëgjuesi ynë nuk ushqehet sa duhet me antitrupat e nevojshem për të mos pranue ‘mishin e huej’ që nxirret në treg e shitet si bio. Në emën të globalizimit e vllaznimit me kultura të hueja, kanga jonë, ndonjiherë po shpërftyrohet. Dami filloi të veprojë, pikërisht atje ku ishte ma i lehtë të penetrojë, pra në muzikën e lehtë, kur të gjithë ata që kishin mundësi financiare, fituen të drejtën të vetshpalleshin kantautorë, kompozitorë etj. Le ta quejmë si të duem, por ajo gjini, pra kanga, nuk asht aspak ‘e lehtë’, sepse ka peshë, asht buka e përditëshme që krijon ose prishë shije, për të krijue ‘të reja’, që në fakt janë kopje të kopjeve të hueja. Nëse ky asht rezultati i globalizimit për kangën tonë – kurrë mos qoftë! Por nuk e ka fajin globalizimi.
Ma shqetësues asht fakti që në vend që të shtohet kujdesi për edukimin muzikor të fëmijëve po kthehemi mbrapa. Duken si ishuj të Parrizit festivalet e kangës për fëmijë., mbasi për rreth, fëmijët e jo vetëm ata, ndjejnë tjetër gja. Pra festivali asht pak. Duhet që shkolla ta rrisë rolin e saj në edukimin muzikor. Paradoksi asht se në vend që shkolla ta rrisë rolin e saj, me nji të rame të lapsit janë përgjysmue orët e muzikës në planet mësimore. Kjo asht përgjigja e shtetit ndaj shperftyrimit të kangës sonë, ndaj orientalizmit pa cak të saj, që padyshim asht inkurajue edhe nga ndonji qendrim gjeopolitik i pushtetarvë tanë.
Nuk ka asnji diskutim që pikëtakimet e muzikës sonë me fqinjtë ekzistojnë, mbasi ndikimet e ndërsjellta në muzikën tonë janë të pranishme ashtu si dhe në muzikën e vendeve të tjera. E nuk mund të ndodhte ndryshe ndër shekuj edhe për faktin e pozicionit tonë të veçantë si pikë takimi mes Lindjes dhe Perendimit. Popujt kanë dhanë e kanë marrë në kohë. Kjo marrëdhanie vazhdon edhe sot. Të thuesh pra se muzika jonë, përfshi dhe kangën shqiptare, nuk kanë ndikime a elemente të përbashkëta me popuj të tjerë, asht nji absurditet. Por tjetër janë elementet e përbashkëta e tjetër elementët e imponueme. Të marrish nji bulëz melodike lirike nga folklori ynë, (e krijueme per t’ju drejtue me delikatesë vashës që do) e t’i vesh nji ritem të shfrenuem, nji tekst invaziv, nji interpretim me fioritura të panumerta e vibracione guturale të spikatuna, – ja arrite të krijosh nji krijesë të re, por të sterkequn. Po ç’të keqe ka? E keqja asht se ti po e shet ate si shqiptare, vetëm sepse ka fjalë shqip, por në fakt ti po orjentalizon jashtë mase muzikën tonë, atë që nuk e bani pushtimi i gjatë pesëshekullor. Sa të cekët jemi, kur veprojmë e lejojmë të bajmë kështu, mjafton të kujtojmë se populli (kur nuk e mësonte kush se nga të shkonte nga ana muzikore) kur u njoft për herë të parë me çiftelinë (e ardhun nga orienti), nuk e kopjoi, por i vuni perdet si desht vetë për me këndue me fyellin e vet, vuni tercen as maxhore, as minore, pra nuk e temperoi, tue e lanë të përcaktueme, si vetë natyra e muzikës sonë dhe vazhdoi të krijojë muzikë shqiptare me atë instrument të ardhun nga larg.
Asht e domosdoshme pra të gjejmë forca për të ndyshue këte realitet që na shpërftyron.
Kjo gjendje nuk ndryshohet tue ndalue shkarravinat me ligj, por tue promovue në ma shumë veprimtari kangën e mirë shqiptare, bashkëkohore e moderne, si terapi për sherimin e shijës së sëmurë. Historia na ka mësue se çfarë ndodhë kur nji popull nuk ruen identetin e vet kulturor. E muzika, bashkë me gjuhën janë tiparet ma të dallueshme të nji kombi.
E nëse dikush ma në fund do të vendosë ta ndryshojë këte gjendje, kjo duhet fillue nga mosha e njomë, nga shkolla. Asht çeshtje zgjedhjesh. Ne, me fjalë duem ‘të shkojmë’ në Europë, por me vepra, – në rastin tonë me atë lloj muzike për të cilën folëm,- duem të trasferohemi edhe ma shumë nga lindja.
Përgjysmimi i orëve të muzikës në shkollë, ka sjellë përgjysmimin e nevojave për mësues muzike e për pasojë edhe shkollat profesionale të muzikës nuk janë ma preferueme, si ma parë, mbasi përgjysmohen kërkesat për mësues muzike. Shkolla nuk duhet të jetë vetëm vendi ku mësohet, por ku mësohet tue qenë të gëzuem. Injoranca në këte vendim, bashkohet me habinë pse nuk janë parashikue reaksionet zinxhirë që po vijnë nga ky vendim, që asht zor të rekuperohet. Ato po boshatisen dhe, për t’i mbajtë në kambë, ulen edhe kërkesat. Pse do të ushtrohet katër-pesë orë në ditë, përveç studimit të landëve të kulturës së përgjithëshme, nji nxanës pianist ose violinist, kur ai dhe prindi shohin të përgjysmueme mundësinë e punësimit? Sot, nji mësuesi muzike, për të plotësue normen i takon të bajë mësim në tre shkolla. Po a ka mundësi nji mësues të mbulojë veprimtaritë muzikore jashtëshkollore të tri shkollave? Ne ankohemi sot për frekuentimin e paktë, gjithnji e ma të paktë, të koncerteve me muzikë klasike ose të veprave skenike muzikore. Nesër do të jetë edhe ma e ndjeshme kjo mungesë. Pra të përgjysmosh orët e muzikës në mes të Europës, kur dihet se deri në adoleshencë formohet shija muzikore, asht ma se e pafalshme, asht edhe antieuropiane… Shikoni librat e muzikës të të gjithë botës, që i mësojnë fëmijve, edhe të vegjël, jo vetëm kangë, por edhe temat (laitmlotivet) e veprave ma të njohuna të muzikës klasike. E kjo – jo rastësisht. Fëmia i mëkuem me këte shije, kur të rritet, refuzon nji kangë që asht e rendomtë e preferon muzikën e mirë, ate që i ka rezistue kohës, ate që edukon ndjeshmeni ndaj të bukures dhe së mirës.
Por tue përgjysmue orët e muzikës, zvoglohet edhe roli i kësaj lande, i këtij arti në formimin e përgjithëshem. Po i drejtohemi shkencës që ka vertetue se fëmijët që merren me muzikë zhvillojnë ma shumë sinapsin (lidhjen e shpejtë mes neuroneve) por edhe sferën e djathtë, tue përfeksionue ma shumë ndërveprimin e dy sferave në të njejten kohë. Muzika rritë kapacitetin e trunit me zgjidhë probleme matematike dhe me ba arsyetime komplekse. Janë këto të dhana e prova të publikueme jo vetëm ndër revistat shkencore. Po spjegohemi thjeshtë me nji shembull. Nota la e diapazonit ka frekuencen 440 hertz, ndërsa nota la nji oktavë ma nalt, ka 880 hz. Për nji fëmijë të edukuem muzikalisht, mjafton që nji violinist a nji za të gabojë vetem 5% të frekuencës së nji semitonit, ai kupton se aty ka nji stonim. Jemi në kufijtë e nji precizioni të naltë. Në këte ushtrim të vazhdueshëm të precizionit të naltë truni i fëmijës perfeksionohet e ushtrohet në vazhdimsi, gja që sjell dhe zhvillimin e tij, po themi, edhe fiziologjik. Tue u marrë me muzikë fëmijtë shtojnë edhe kapacitetin e trunit për memorjen dhe vemendjen Dhe e gjithë kjo bahet tue ndie kënaqësi, sepse muzika sjell gëzim, për të cilin ka nevojë fëmija mes shumë landëve ku impenjohet për disa orë. Pra kush ka përgjysmue orët e muzikës në shkollat shqiptare ka përgjysmue edhe kënaqësinë e fëmijve me shkue në shkollë, por ka pengue edhe mundësinë që truni fëminor të zhvillohet ma shumë.
* * *
Vërtetë kanga, si formë, asht e vogël; vërtetë muzika, si art, asht mjaft abstrakt dhe nuk ka masa që tregojë zhvillimin e vet. Ka dhe nji ‘të metë’, tjetër muzika. Nuk i sjell fitime materiale shtetit, aty për aty. Por pa fytyren e kangës shqiptare në buzët e fëmijëve, nji komb nuk e paraqet fytyren e vet të vertetë.
Nuk asht anakronike t’i sillemi për ndihmë karakterit e frymës kombëtare të muzikës sonë për ta ba jetën shqiptare ma të gëzueshme. Nuk asht anakronike t’i sillemi për ndihmë kangës e muzikës shqiptare edhe për të dashtë ma shumë njeni tjetrin. Të paktën kangën tonë ta këndojmë së bashku.
Ne kemi nevojë për nji kangë, ku të ndjehet jo vetëm e reja e modernia, por edhe fryma shqiptare. Kjo nuk do të na vorfnojë në marrëdhanie me botën, aq ma shumë me fqinjët tanë. Përkundrazi, me kangët tona shqiptare, do të pasunojmë me nji ngjyrë origjinale mozaikun e madh të muzikës në rajon e Europë.
Nji i ri i edukuem muzikalisht do të mahnitet para madhështisë së kangës maje krahu, para misterit të thellë të polifonisë së Jugut, do të përjetojë bukuritë e vendit të vet tue ndigjue meloditë e fyellit dhe kabasë me klarinetë, do të shtanget para madhështisë e bukurisë së Sinfonisë së IX të Beethovenit e me kangën-hymn në gojë do të dijë të nderojë flamurin e vet. /Gazeta “ExLibris”/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëMOS U DORËZO KURRË
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare
Fjalimi i Skënderbeut!?
Xhafer Deva, tmerri i Kosta Peçancit: Ky arnaut i vogël ka me na... deri në Nish!
GJUHA SHQYPE
Thënie të zgjuara të emrave të mëdhenj: Jeta është përgatitje e gjatë për diçka që nuk ndodh!
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje