LAJMI I FUNDIT:

Moti i nxehtë dhe vapë

Moti i nxehtë dhe vapë
Foto: Arkiv

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se mot i nxehtë dhe me vapë do të vazhdoj të mbajë edhe këtë javë, ndonëse deri të mërkurën ka mundësi që të ketë ndryshim të motit, por jo në gjithë territorin.

IHK njofton se javën që e lamë pas, reshje kishte në jug dhe jugperëndim të vendit, ndonëse kishte parashikime që të kemi reshje edhe në pjesët tjera të territorit, por prezenca e masave të fuqishme të ajrit që ishin nga perëndimi i vendit i ndryshuan kushtet meteorologjike.

Si rrjedhojë vranësira janë zhvendosur rrëzë maleve dhe reshjet e shiut në formë rrebeshi kishte kryesisht në malet e Sharrit, duke i përfshirë gjitha fshatrat e rrethit të Dragashit e deri në pjesën jugore të qytetit të Prizrenit, kurse pjesa tjetër e territorit mbeti nën ndikimin e masave të ajrit me presion të rritur atmosferik, vranësira të paqëndrueshme dhe rreze dielli.


Temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve të parashikimit do të lëvizin ndërmjet 14- 17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31—36 gradë Celsius.

Indeksi UV mbetet i lartë prandaj këshillat e IKSHP që nga ora 10-17 të mos jemi në kontakt direkt me rrezet e diellit, ose të mbajmë masa mbrojtëse.

Do të fryjë erë nga juglindja dhe jugperëndimi e lehtë dhe lokalisht e fortë. /Telegrafi/