LAJMI I FUNDIT:

Rrjeti i Grave kërkon nga partitë politike të përfshijnë më shumë gra në zgjedhjet e tetorit

Rrjeti i Grave kërkon nga partitë politike të përfshijnë më shumë gra në zgjedhjet e tetorit

Rrjeti i Grave të Kosovës i është drejtuar partive politike me një letër të hapur para zgjedhjeve lokale, ku kërkojnë Zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore, dhënie të hapësirës për përfaqësim të barabartë të grave në medie dhe financim të fushatave të grave gjatë zgjedhjeve lokale që do të mbahen me 17 tetor.

Përmes kësaj letre, RrGK-ja thekson se në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, u dëshmua rritja e përfaqësimit të grave në Kuvendin e Kosovës, duke cekur faktin se shumë gra u zgjodhën pa pasur nevojë për kuotë gjinore.

“Me votën e tyre për gratë, qytetarët treguan që duan më shumë gra në pozita udhëheqëse dhe në përfaqësim politik, andaj partive politike u mbetet ta lexojnë qartë këtë mesazh dhe të ofrojnë hapësirë të barabartë për gratë dhe burrat në këto zgjedhje lokale”, thuhet në letrën e RrGK-së drejtuar partive politike.


Letra e plotë:

Letër e hapur drejtuar partive politike në Kosovë,

Zgjedhjet lokale të këtij viti po afrohen, e me këtë rast ka filluar edhe publikimi i kandidaturave për kryetarë/e të komunave.

Këto zgjedhje do të mbahen vetëm pak kohë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit 2021, të cilat sollën një ndryshim shpresëdhënës për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në politikë dhe procese vendimmarrëse. Në këto zgjedhje, ne dëshmuam rritjen e përfaqësimit të grave në Kuvendin e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe faktin se më shumë gra u zgjodhën pa kuotë se sa që u zgjodhën falë saj.

Me votën e tyre për gratë, qytetarët treguan që duan më shumë gra në pozita udhëheqëse dhe në përfaqësim politik, andaj partive politike u mbetet ta lexojnë qartë këtë mesazh dhe të ofrojnë hapësirë të barabartë për gratë dhe burrat në këto zgjedhje lokale.

Këtë kohë, teksa ju brenda partive po diskutoni kandidaturat e mundshme për kryetarë/e të komunave, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ju fton që të angazhoheni për përfshirje të barabartë të grave dhe burrave përmes:

Zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore

Gratë në Kosovë mbesin të nënpërfaqësuara fillimisht brenda partive, e më pas edhe në kandidatura për kryetare të komunave. Deri më tani, asnjë grua nuk është kandiduar për kryetare të ndonjë komune.

Kjo bie ndesh me nenin 14 të Ligjit për Barazi Gjinore (LBGj), i cili obligon partitë politike që të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të burrave dhe grave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji- i cili përcakton qartë se në ato raste kur ekzistojnë pabarazitë, duhet të merren masa të veçanta të përkohshme me qëllim të përshpejtimit të realizimit të barazisë faktike ndërmjet grave dhe burrave në ato fusha ku ekzistojnë pabarazi.

Sipas LBGj-së, përfaqësimi i barabartë gjinor arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) në jetën politike dhe publike, punësimin, arsimin, shëndetësinë, ekonominë, përfitimet shoqërore, sportin, kulturën dhe sferat tjera të përcaktuara me këtë ose ndonjë ligj tjetër. Kurse, kujtojmë se pas zgjedhjeve lokale të vitit 2017, gratë përbëjnë vetëm 33% të anëtarëve të kuvendeve komunale, dhe 0% të kryetarëve të komunave.

Për më tepër, në përfaqësimin politik nuk është marrë fare parasysh aspekti i ndërthurjes dhe përfaqësimi i grave me aftësi të kufizuara, grave rome, ashkali, egjiptiane, gorane dhe serbe, të cilat nuk janë të përfaqësuara fare.

Kandidimi i deritanishëm vetëm i burrave për kryetarë të komunave jo vetëm që qëndron larg përfaqësimit të barabartë, por përbën shqetësim tejet të madh për themelet demokratike dhe ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.

Bëjmë thirrje që ju, si parti politike, ta luftoni këtë diskriminim të shumëfishtë ndaj grave, dhe të kandidoni gra për kryetare të komunave, si parakusht për arritjen e përfaqësimit të barabartë  në sferën publike.

Dhënies së hapësirës për përfaqësim të barabartë në media

Pjesëmarrja dhe përfshirja e grave në politikë assesi nuk mund të shihet si e shkëputur nga paraqitjet e grave në publik, qoftë përmes tubimeve elektorale apo përmes emisioneve televizive. Në anën tjetër, për vite tashmë dihet se gratë në politikë nuk përfaqësohen barabartë as në debate televizive e as në fushata.

Përvoja disavjeçare e RrGK-së në përcjelljen e zgjedhjeve nacionale dhe atyre lokale, tregon se gratë përballen me padrejtësi të shumta në këto raste. Ato nuk kanë hapësirë të barabartë me burrat brenda organeve të partive, e as në paraqitje publike gjatë kohës së fushatës. Partitë duhet të bëjnë përpjekje efektive që struktura partiake të mundësojë promovimin e barabartë si për gra, po ashtu edhe për burra.

Financimit të fushatave të grave

Partitë politike duhet të rrisin mbështetjen e grave kandidate edhe përmes ndarjes së burimeve financiare për fushatë. Deri më tani, kemi parë se gratë nuk kanë burime financiare për të garuar, për të bërë fushatë cilësore, apo për të krijuar ekip që do të punonte për promovimin e tyre. Po ashtu, partitë nuk ofrojnë ndonjë trajnim për ngritje të aftësive për gratë kandidate, kështu përkrahja e partive për gratë në shumicën e rasteve përfundon me ndihmë modeste rreth materialeve të fushatës. Duke pasur parasysh stereotipet gjinore që mbizotërojnë në shoqëri, gratë kanë më pak mundësi që të vetëfinancojnë fushatën, e kjo gjë natyrisht që përshkallëzon diskriminimin ndaj tyre.

Për fund, sjellim ndër mend, se ashtu siç ceket në Analizën Gjinore të Kosovës që u hartua nga RrGK, pengesat për pjesëmarrjen e grave në politikë përfshijnë stereotipe gjinore që sygjerojnë se gratë nuk janë të kualifikuara apo të afta për të qenë lidere politike; rezistencë e partive politike për t’i përfshirë gratë; financimi i vogël; mbulim minimal mediatik i grave politikane; kufizimet kohore të grave për shkak të përgjegjësive në shtëpi; dhe kontaktet e dobëta me votuesit.

Prandaj, përmes kësaj letre, ju ftojmë që të kryeni obligimin tuaj drejt fuqizimit të pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje, sidomos duke rritur numrin e pjesëmarrjes së grave të margjinalizuara në procese politike në nivel lokal.

Sinqerisht,

Rrjeti i Grave të Kosovës. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Lajme
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Lajme
Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Lajme
Kalo në kategori