LAJMI I FUNDIT:

Pesë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë

Pesë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë
Foto: Ilustrim

Vetëm në 24-orët e fundit në Kosovë janë raportuar pesë raste të dhunës në familje në qytete të ndryshme të Kosovës.

Sipas të dhënave të raportit të Policisë së Kosovës, rastet e fundit kanë ndodhur në Podujevë, Prishtinë, Prizren, Malishevë e Mitrovicë.

Po ashtu, policia njofton se vetëm njëri nga pesë të dyshuarit në këto raste është dërguar në mbajtje, ndërkaq të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.


Detaje nga raporti i PK-së:

Podujevë 25.06.2021-13:30. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar e kishte kanosur. Viktima ka deklaruar se me te dyshuarin jetojnë në një shtëpi të përbashkëte dhe deri te rasti kanosje kishte ardhur në lidhje me pronën. Në lidhje me rastin është arrestuar i dyshuari dhe pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Prishtinë 25.06.2021-18:10.Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës femër- bashkëshortes së tij. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Prizren 24.06.2021 – 21:00. I dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhune fizike ndaj  babait të tij me këtë rast viktima ka pësuar lëndime trupore. Viktimës i është ofruar ndihma mjekësore. I dyshuari  është  arrestuar  dhe me vendim te prokurorit  dërgohet ne mbajtje.

Malishevë 24.06.2021 – 23:15. I dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij viktimës kosovare. Palët janë intervistuar dhe me  vendim të prokurorit i dyshuari është  liruar në  procedure të  rregullt.

Mitrovicë 25.06.2021 – 15:00. Ankuesja femër kosovare ka informuar se e dyshuara femër kosovare, ka ushtruar dhunë ndaj saj. Nuk raportohet për të lënduar. Me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt. /Telegrafi/