LAJMI I FUNDIT:

(Mos)emancipimi i shoqërisë mbi paraqitjen e grave në emisionet sportive

(Mos)emancipimi i shoqërisë mbi paraqitjen e grave në emisionet sportive

Deri para viteve 1960, gratë dhe paraqitja e tyre në botën e raportimit sportiv ishte shumë e rrallë, për të mos thënë fare. E nëse kishte gra që raportonin për sport, ishin kryesisht për ekipet sportive të grave.

Megjithatë, kur Titulli IX hyri në fuqi atëherë paraqitja e tyre dhe raportimi mbi sportet në përgjithësi ndryshoi, pasi ky është një ligj federal për të drejtat civile i miratuar si pjesë e Ndryshimeve të Arsimit të vitit 1972. Ky ligj mbron njerëzit nga diskriminimi i bazuar në seks në programet arsimore ose aktivitetet tjera.

Ndërsa koha kalonte, gratë filluan të përdorin ekspertizën e tyre të raportimit të sporteve për t’u futur në raportimin e sporteve kryesore, e kjo shihet edhe në Kosovë ku gazetarja Alba Merovci tregon se ka ndjekur arsimin universitar si gazetare e sportit dhe tani punon në Radio Televizionin e Kosovës.


Foto: Alba Merovci

Shpesh herë paraqitja e grave nëpër televizionet dhe emisionet sportive janë përcjellë me paragjykime nga më të ndryshmet, mirëpo të cilat me kohë kanë ndryshuar, këtë e thotë edhe Mervoci.

Problemet dhe sfidat janë të pranishme në çdo fushë, mirëpo sipas saj gazetaria është profesion me të cilin krijon lidhje emocionale. “Pavarësisht paragjykimeve, të bën të mos dorëzohesh vetëm atëherë kur këtë punë e bën me hapa të sigurt dhe pa kthim mbrapa. Unë personalisht kam vërejtur që çdo vit ka vetëdijesim të njerëzve përballë gazetareve të sportit, në bazë të ‘feedback-ut’ që e pranojmë”.

Merovci beson se paragjykimet do të jenë të pranishme gjithmonë, në çdo fushë, por fakti se sot shumica e redaksive të sportit në mediumet tona përbëhen të paktën nga një gazetare ose prezantuese, si dhe numri i gazetareve të sportit çdo vit po rritet si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, atëherë kjo mund të merret si bazë për pranimin tonë në shoqëri dhe vetëdijesimin e audiencës.

Ajo e sheh inkuadrimin e grave si në lëmine e sportit po ashtu edhe në lëmit e tjera si jo shumë të avancuar. E për këtë problem, Mervoci thotë: “I takon edhe shoqërisë civile që të avokojë dhe insistojë që përmes animimit medial të këtij defekti të ndikojë në institucionet shtetërore që dominohen nga meshkujt që të përfshijnë femrat në sport dhe të punojnë në masivizimin e sportit femëror në Kosovë”.

Në përgjithësi, sportet janë konsideruar si diçka me të cilën merren burrat dhe audienca më e madhe e sporteve është menduar të jenë pikërisht ata, e kjo e ka bërë më pak të pranueshme idenë që një grua mund të jetë e informuar për sporte, e aq më pak të udhëheqë ndonjë emision sportiv, ka shpjeguar gazetarja tjetër e sportit Erza Brahushi.

Foto: Erza Brahushi

Brahushi merr pjesë në emisionin “Dueli Sportiv” në RTV Dukagjini dhe mendon se ka përmirësim në paragjykimet e shkaktuara nga shoqëria. “Fatmirësisht mendoj që kjo mendësi ka filluar të hiqet në vendin tonë, me faktin që viteve të fundit ka pasur shumë femra që kanë treguar suksese në gazetarinë̈ dhe raportimin në fushën e sportit, një prej fushave më me interes në mediat tona”.

Tutje ajo thekson se njëri nga problemet më të mëdha që ajo përballet është pikërisht gabimi, i cili shpesh herë gjykohet shumë nga njerëzit. “Gabimi gjykohet më shumë nëse vjen nga një gazetare grua e sportit se sa një mashkull, pikërisht për shkak të mendësisë se gratë nuk janë të mira në këtë fushë”.

Përpos kësaj, problem tjetër janë edhe paragjykimet me të cilat përballen prezantueset e sportit. “Nuk jam përballur direkt me gjuhë fyese, por ka pasur komente të tipit “Pse ti po merresh me sport?”, “Sa je e informuar për sportin?”, “është e vështirë një femër të merret me sport”…Pra jo ofendime direket ndaj meje, por komente skeptike për femrat në fushën e sportit”, ka thënë Brahushi.

Prezantuesja e Duelit Sportiv mendon se përfaqësimi i grave në sport po rritet çdo ditë e më shumë, me iniciativë të mediave, përkrahje nga redaksitë e sportit, por natyrisht edhe nga sukseset që gazetaret e sportit kanë treguar viteve të fundit, e që është motiv edhe për gjeneratat e reja që këtë fushë ta shohin si potenciale për të tregu veten si një gazetare të mirë, pavarësisht paragjykimeve që mund të hasin.

Se sa shumë janë ‘thyer’ barrierat për profesionin e gazetarisë ndër vite, tregon edhe Merovci, ku thotë se  të jesh gazetare e sportit nuk duhet të kesh tipare mashkulli apo të jesh shtatlartë ; mjafton dëshira dhe vullneti për ta bërë. “Në përvojën time personale, deri sot nuk kam hasur në padrejtësi apo gjuhë-fyese. Ndërsa, si rrjedhojë e të drejtave të barabarta në gazetarinë sportive, vlen të përmendet edhe fakti se në Shtator të vitit 2019, me votat e kolegëve gazetarë të sportit, në Kuvend Zgjedhor, u zgjodha Nënkryetare e Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, duke u bërë kështu Nënkryetarja e parë femër që prej kur ekziston kjo shoqatë”.

Foto: Florentina Kallaba

Se sporti nuk njeh gjini dëshmon edhe trajnerja e futbollit, Florentina Kallaba, e cila ka qenë pjesë e klubit të atletikës KA Rogana për tetë vite me radhë dhe është themeluese e klubit futbollistik të femrave KFF Intelektualët nga Gjilani. Po ashtu, ka qenë edhe kapitene e këtij klubi dhe ka ndjekur trajnime dhe seminare të ndryshme që janë organizuar lidhur me futbollin dhe futbollin e femrave në veçanti.

Ajo ka katër vite që punon si trajnere futbolli me grupmoshat 5-10 vjeç për djem në klubin e futbollit 2 Korriku në Prishtinë. Rrugëtimi sportiv i saj nuk përfundon këtu. Paralelisht me angazhimet që ka në këtë klub, ajo ushtron edhe profesionin e gjyqtares në futsall ku edhe për vitin 2021 është pranuar në FIFA si gjyqtare e futsallit.

Sidoqoftë, ajo ka treguar edhe problemet me të cilat është përballur dhe vazhdon të përballet ndër vite. “Të jesh trajnere femër e futbollit mund të jetë punë pak më e vështirë jo për shkak të angazhimit të madh por për shkak të mentalitetit që tek ne ende ekziston por është gjithashtu kënaqësi e madhe të punosh, sidomos me fëmijë”.

Kallaba për fund ka thënë se sportet janë një portë drejt barazisë për femrat. Ato i lejojnë femrat t’i tregojnë botës se janë të forta, nuk kanë frikë të punojnë shumë dhe mund të arrijnë gjithçka për të cilën ata mendojnë.

Foto: Emanuell Syla

Edhe gazetari i televizionit Klan Kosova, Emanuell Syla, beson se ka paragjykime mbi paraqitjen e gazetareve sportive në televizion. “Po hyj në vitin e nëntë prej se punoj në televizionin Klan Kosova, prandaj gjatë kësaj periudhe, shpesh, direkt dhe indirekt kam vërejtur që gratë paragjykohen në sport, sidomos në futboll dhe basketboll, sporte që nga masa konsiderohen ‘të burrave’”.

Por, Syla tregon se gjithmonë tenton që të ketë barazi midis të ftuarve, por ka hezitim të madh mbi këtë gjë. Ai kujton një moment ku thotë se në ndeshjen kualifikuese të Kosovës ndaj Suedisë, ishte një panel i gjithi me gra, gjë që kishte ndodhur për herë të parë ndonjëherë  në Kosovë.

“Sanije Krasniqi si trajnere mbuloi pjesën e analistes, më pas kishim gjyqtaren Lumturie Muhadri, Armenda Filipaj KFF Prishtina, dhe dardanët: Flutur Mustafa dhe Erjona Bilalli. Asnjëherë nuk mburrem me këtë emision, sepse të tillë duhet të ketë më shpesh, por për të qenë realist, vazhdimisht shumica e ftesave për të qenë gratë në emision, refuzohen. Megjithatë, është super fenomen kur shohim faktin që kemi gra super të suksesshme në sport dhe jo vetëm”, ka shpjeguar tutje Syla.

Gratë dhe paraqitja e tyre në televizion ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm me kalimin e viteve dhe tani ka shumë portale, redaksi dhe televizione të ndryshme që kanë punësuar gra që merren pikërisht me raportimin e sportit. Në shumë emisione në Kosovë për vite me radhë, drejtohen nga prezantues prej të dy gjinive.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës më vitin 2011 në numrin e përgjithshëm të sportistëve femrat përbënin 25 për qind, ndërkohë që vetëm 16 për qind të tyre ishin të punësuara nëpër organizata apo klube sportive. /Uranik Emini/ Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
Haaland rrezikon të dënohet me burg në Zvicër

Haaland rrezikon të dënohet me burg në Zvicër

Ndërkombëtare
Bëhet viral goli i tretë i Harry Kane ndaj Augsburgut

Bëhet viral goli i tretë i Harry Kane ndaj Augsburgut

Bundesliga
Real Madridi i përgjigjet interesimit të Arsenalit për Arda Guler

Real Madridi i përgjigjet interesimit të Arsenalit për Arda Guler

Ndërkombëtare
Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Ndërkombëtare
Pas suksesit ndërkombëtar kompania kosovare ZiuuRugs befason Zhegrovën dhe Muric me dhurata të personalizuara

Pas suksesit ndërkombëtar kompania kosovare ZiuuRugs befason Zhegrovën dhe Muric me dhurata të personalizuara

Sport vendor

"Nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar" - gazetari rumun shumë kritikues ndaj tifozëve

Përfaqësuesja e Kosovës
Kalo në kategori