LAJMI I FUNDIT:

Zëvendëskryeministri Bislimi takohet me Lajçakun, bisedojnë për marrëveshjet e deritashme me palën serbe

Zëvendëskryeministri Bislimi takohet me Lajçakun, bisedojnë për marrëveshjet e deritashme me palën serbe

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka zhvilluar sot në Bruksel takime me Miroslav Lajçakun – emisar Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Bislimi, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se qëllimi i takimit ishte informimi i plotë nga ana e z. Lajçak dhe ekipit të tij mbi të gjitha takimet e deritanishme në dialog dhe çështjet e ngritura, si dhe marrëveshjet e dakorduara mes palës kosovare dhe asaj serbe.

Postimi i plotë i zëvendëskryeministrit Bislimi:


“Bashkë me ambasadorin në detyrë të Republikës së Kosovës në Bruksel, z. Astrit Zemaj dhe me sekretarin e parë të ambasadës, z. Fitor Murati patëm dy takime të njëpasnjëshme me z. Miroslav Lajçak dhe gjithë ekipin e tij. Qëllimi i takimit ishte informimi i plotë nga ana e z. Lajçak dhe ekipit të tij mbi të gjitha takimet e deritanishme në dialog dhe qështjet e ngritura, si dhe marrëveshjet e dakorduara mes palës kosovare dhe asaj serbe. Takimet ishin dakorduar në funksion si të informimit të plotë ashtu edhe përgatitjes më të mirë të palës kosovare.

Poashtu delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga Kryeministri Kurti, një nga 17 takimet e dy ditëve në vijim do ta ketë sërish me z. Lajçak. Në asnjërin nga këto takime nuk ka negociim, por janë takime informative.

Pas kthimit në Kosovë, menjëherë do informoj liderët e partive politike parlamentare për përmbajtjen e diskutimeve”, ka shkruar Bislimi.

Për takimin e sotëm ka shkruar edhe Lajçak në rrjetin social Twitter, ku theksoi se një ndër çështjet që janë diskutuar ka qenë edhe çështja e dialogut Kosovë-Serbi.

“Diskutim i thellë, i gjerë, por mbi të gjitha i dobishëm me Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, në lidhje me dialogun – historinë, gjendjen dhe rrugën që na pret përpara”, shkroi Lajçak. /Telegrafi/