Mësimdhënësit në Kosovë po kërkojnë nga institucionet shëndetësore që të futën në listën me prioritet për vaksinimin kundër COVID-19, për shkak siç thonë, rrezikshmërisë për t’u infektuar, por edhe për mbarëvajtjen e procesit mësimor në nivel të duhur.
Të hënën më 12 prill, në të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar dhe universitar, përjashtuar ciklin e ulët, nga klasa e parë deri të pestën, pas një jave pushimi, kanë filluar procesi i mësimor në formën online. Vendimi për zhvillimin e mësimit online, nga data 12 prill deri më 18 prill, e ka marrë Qeveria e Kosovës, si një nga masat për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.
Nxënësit nga klasat një deri në pesë, aktivitetin mësimor po e zhvillojnë me prani fizike në shkolla. Ndërkaq, institucionet parashkollore do të vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19.
Ndërsa, për javën e ardhshme vendimi për aktivitetin mësimor do merret varësisht prej rekomandimeve nga organet kompetente, por edhe në dakordim me të gjitha drejtoritë komunale, duke pasur parasysh rrethanat specifike të së cilës komunë, ka thënë në një konferencë për media, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci.
Problemi i zëvendësimit të mësimdhënësve të infektuar
Kimete Dida, drejtoreshë në shkollën fillore “Ismail Qemajli” në Prishtinë, thotë se aktualisht në këtë shkollë, një mësimdhënës është i infektuar më coronavirus. Por, Dida tregon se tri javë më parë nëntë mësimdhënës kanë qenë të infektuar dhe kjo ka paraqitur problem në zëvendësimin e tyre.
“Për të pasur mundësi që procesi të zhvillohet në mënyrë normale, unë apeloj që të gjithë arsimtarët të vaksinohen, sikurse sektori i shëndetësisë edhe arsimi duhet të jetë prioritet. Ne e falënderojmë Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, që kanë sjell studentë të Masterit dhe kemi arritur të zëvendësojmë kolegët që kanë qenë të infektuar më coronavirus ose ata që nuk punojnë qe një vit, për shkak të ndonjë sëmundjeje kronike”, thekson Dida.
Zyrtarë të MASHTI-it deri në momentin e publikimit të këtij raporti, nuk kanë dhënë ndonjë informatë se sa është numri i mësimdhënësve të infektuar me coronavirus dhe në çfarë forme po realizohet zëvendësimi i tyre.
Edhe Isak Bregaj, drejtor në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë, kërkon vaksinimin e arsimtarëve kundër coronavirusit, sepse siç po thotë ai, zëvendësimi i mësimdhënësve të prekur nga COVID-19 po shkakton probleme në mbarëvajtjen e procesit mësimor.
“Zëvendësimi është problem sepse e kemi mësimdhënës që janë liruar nga puna nga Ministria e Arsimit që nga muaji shtator i vitit të kaluar dhe nuk kanë sjellë zëvendësim fare. Seriozisht është problem. Kemi disa mësime zgjedhore që po mundohemi t’i adaptojmë”, tha Bregaj.
SBASHK: Mësimdhënësit duhet të vaksinohen
Numri i mësimdhënësve që janë liruar nga puna me pagesë, për shkak të moshës dhe sëmundjeve kronike është afër 300, tha kryetari i Sindikatës se Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj.
Ai tregon se ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia që të imunizohen punëtorët arsimorë, në mënyrë që mësimi më pas të mund të zhvillohet nga objektet shkollore. Jasharaj tha se në nivel vendi, në sistemin e arsimit janë të përfshirë mbi 28 mijë punëtorë dhe nga ky numër, 23 mijë janë mësimdhënës.
“Ministri Vitia ka shprehur gatishmërinë që sektori i arsimit të jetë prioritet për vaksinim. Por, është mirë që vaksinimi në sektorin e arsimit të fillojë atëherë kur Qeveria e Kosovës të arrijë të sigurojë numrin e duhur për të vaksinuar të gjithë punëtorët e arsimit. Nuk do të ishte mirë të fillohet me vaksinim nëse nuk ka numër të mjaftueshëm për të gjithë punëtorët e arsimit, sepse në të kundërtën do të kemi selektime të cilat nuk i dëshirojmë”, tha Jasharaj.
Nagavci: Prioritet, mësimdhënësit e moshuar dhe ata me sëmundje kronike
Lidhur me vaksinimin e mësimdhënësve, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci është shprehur se prioritet do të jenë punëtorët e këtij sektori që janë më në moshë dhe ata me sëmundje kronike. Por, ajo nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur mund të fillojë procesi i imunizimit të kësaj kategorie të shoqërisë.
“Sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve, kjo do të trajtohet me prioritet, duke i respektuar rekomandimet e organeve kompetente, duke pasur parasysh se cilat janë prioritetet në raport me vaksinimin e mësimdhënësve. Pra, prioritet do të kenë ata me sëmundje kronike dhe ata në moshë më të shtyrë”, është shprehur Nagavci.
Por, në bazë të Planit shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19 mësimdhënësit hyjnë në grupin me rrezik të lartë. Në bazë të këtij plani, ata do të vaksinohen në fazën e dytë, ku janë të përfshirë 17 për qind e popullsisë se përgjithshme, ku po ashtu bëjnë pjesë grupmoshat 65 deri 79 vjeç, personat me sëmundje kronike si dhe forcat e sigurisë të përfshira në menaxhimin e pandemisë.
Në Kosovë, që nga fundi i muajit mars, është duke u realizuar procesi i vaksinimit kundër coronavirusit. Fillimisht, janë vaksinuar punëtorët shëndetësorë, kurse tashmë po vaksinohen edhe personat me sëmundje kronike dhe ata mbi moshën 80-vjeçare.
Më 28 mars, në Kosovë arriti kontingjenti i parë me 24.000 doza të vaksinës së AstraZenecas. Këto vaksina, Kosova i mori falas përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe një ditë më pas, i pari që u vaksinua ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. /rel/Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëQeveria aprovon rritjen e pensioneve për invalidët, veteranët dhe pjesëtarët e UÇK-së
Qeveria emëron Lyra Osmanin Inspektore të Përgjithshme, kurse Avni Kastratin drejtor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës
Në Belgjikë po trajtohet ankesa e vrasësve të Enver Hadrit, Qeveria ndan 100 mijë euro për familjen
Osmani pas takimit me zëvendës-sekretarin amerikan: Lajm i shkëlqyeshëm, Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun strategjik
Akuzat e Berishës ndaj Majkos, reagon SPAK
Kurti publikon fotografi nga tubimi në Ferizaj: Vazhdojmë krah për krah, e cep më cep
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Elon Musk nuk është fans i Liverpoolit, por i rivalit të tyre më të madh në Ligën Premier
Trump paralajmëron 'pushtimin' e Grenlandës, vjen reagimi i kryeministrit të ishullit
Zarf i zi në Big Brother VIP Albania 4
Përmasa gjigante: Granit Xhaka në mbështetje të Gjestit
FSK-ja shkoi në veri të vendit për një varrim, Maqedonci u zotua te KFOR-i se nuk kishte provokim
Rina publikon fotografi krah Feros: Akoma s’ka konkurrencë, 2025