LAJMI I FUNDIT:

Gjermania, me nivelin më të ulët të imigracionit brenda dekadës

Gjermania, me nivelin më të ulët të imigracionit brenda dekadës

Numri i të huajve në Gjermani u rrit me 1.8 për qind në vitin 2020.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave, kjo është rritja më e vogël në dhjetë vjetët e fundit.

Në Gjermani janë regjistruar një shumë totale prej 11.4 milionë personash pa pasaportën gjermane.


Numri i të huajve në Gjermani u rrit me 1.8 për qind, apo 204 mijë vitin e kaluar krahasuar me një vit më parë.

Rritja e lehtë në vitin kur filloi pandemia COVID-19 lidhet me një rënie në imigracionin neto: regjistri qendror i të huajve regjistroi vitin e kaluar 740 mijë të huaj të ardhur dhe 479 mijë të huaj që ishin larguar vitin e kaluar. Nga kjo rezulton një imigrim neto prej rreth 262 mijë persona për vitin 2020. Në vitin 2019, u regjistruan 923 mijë të ardhur dhe 547 mijë të larguar.

Sipas informacionit, në fund të vitit 2020 jetonin në Gjermani rreth 107 mijë ose 2.2 për qind më shumë të huaj nga vendet e Bashkimit Evropian sesa një vit më parë. Shkalla e rritjes ishte kështu në nivelin e vitit të kaluar, me 2.3 për qind.

Rritja e popullsisë së huaj nga vendet jashtë BE-së, nga ana tjetër, më shumë se u përgjysmua në krahasim me vitin e kaluar. Ajo u ul nga 3.3 për qind në vitin 2019, në 1.5 për qind në vitin 2020. /DW/