LAJMI I FUNDIT:

Këndi i çokollatave në kryeqytet

Këndi i çokollatave në kryeqytet

E vetmja gjë që nuk ka nevojë për diskutim: këndi i çokollatave është pjesa e preferuar i shumicës së njerëzve. Është ky kënd i ëmbël që të tërheqë, duke ta bërë të pamundur të rezistosh. Interesante sesi përherë e gjejmë një justifikim për ta shijuar sado pak.

Kur gjendemi aty, format e shijet e ndryshme – të shumta në numër, të krijojnë edhe një konfuzitet se çka të përzgjedhim. Por një gjë është e sigurt – të gjitha duken të mrekullueshme.

E tillë është edhe kjo kthinë e këndshme në Prishtinë. Zgjedhje të pafundme, e shije të paharrueshme.


Është pikërisht pëlqimi për çokollata që e ka shtyrë Bleta Zeqirin, që të hapë kësi lloj dyqani.

“Njëherë ka qenë importim i çokollatave. Por duke e pa kërkesën, kemi filluar të trajnohemi jashtë vendit. Pas shumë trajnimeve që kemi pasur në Evropë dhe Amerikë, kemi filluar që të prodhojmë diçka tonën. Nuk kemi pasur makineri siç posedojmë sot. Na sot jemi me një objekt prodhimi më të madh e më të sofistikuar. Por normal, çdo ditë i përvetësojmë shijet tona dhe recetën tonë. Gjithmonë ka qenë dëshira e madhe për të bërë diçka të bukur dhe shpresoj që ja kemi dalë. Për të ardhur te kjo e bukura, kanë kaluar vite e vite. Sot bëhen 14 vjet prej që ne funksionojmë dhe operojmë në Kosovë”, thotë Zeqiri.

Të prodhosh çokollatë, do të thotë edhe të kesh ide të krijosh shije të reja. E kur nuk mungon pasioni, dëshira për punë, e mbi të gjitha pëlqimi për to, nuk mungon as suksesi.

Ndërsa, kur duam t’i bëjmë dhuratë dikujt, çka mund të jetë më e mirë sesa ta ëmbëlsosh dikë?

“Na kemi shumë lloje. Tash i posedojmë diku rreth 80 lloje të çokollatave. Thjesht kemi qejf të lujmë me ide dhe normal këtu përfshihet edhe familja, e cila më ndihmon në krijimin e brendit të çokollatave”, përfundon Zeqiri. /Telegrafi/