LAJMI I FUNDIT:

Biden ndërpret fondet për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën

Biden ndërpret fondet për ndërtimin e murit në kufi me Meksikën

Qeveria e re amerikane ka vendosur t’i japë fund financimit me urgjencë të murit kufitar me Meksikën.

Muri në kufirin jugor të SHBA-së ishte premtimi kryesor i ish-presidentit, Donald Trump, në fushatën e vitit 2016.


Miliarda dollarë u shpenzuan për të forcuar mbrojtjen kundër emigracionit të paligjshëm.

Gjatë kohës së tij në pushtet, u zëvendësuan rreth 600 km barriera kufitare dhe u shtruan 130 km kufi i ri për të ndalur emigrantët që deklarohej se përhapnin krimin në vend.

Në vitin 2019 u shpall edhe emergjenca kombëtare përgjatë Meksikës për të financuar me shpejtësi pjesën e mbetur.

Por presidenti, Joe Biden, njoftoi të enjten Kongresin se do të presë fondet publike dhe do ta rishikojë projektin e murit.

“Mendoj se nuk është e përligjur shpallja e një emergjencë kombëtare në kufirin jugor. Gjithashtu, administrata ime nuk do të shpenzojë për ndërtimin e murit asnjë para tjetër të taksapaguesve amerikanë,” informoi presidenti Biden.

Në kuadër të axhendës më miqësore ndaj emigracionit, qoftë ky edhe i paligjshëm, demokrati ka firmosur këto javë një sërë dekretesh që zhbëjnë politikat e republikanëve.