LAJMI I FUNDIT:

Për historinë e zgjedhjeve dhe të manipulimit

Për historinë e zgjedhjeve dhe të manipulimit

Nga: Aurel Plasari

Qysh se pati lindur, procesi elektoral nuk lindi vetëm, por tok me manipulimin për binjak. Mund të shihet një nga shembujt më të bukur të historisë në këtë tabelë më se pesë shekuj të vjetër: është skema që dëftonte procesin e ndërlikuar të zgjedhjes së kreut të shtetit të Venedikut, d.m.th. dogjës së Republikës.

Me gjasë i bie të ketë qenë procesi zgjedhor më i ndërlikuar që ka regjistruar historia, i përftuar enkas për të shmangur çdofarë mundësie manipulimi. Për ta bërë tabelën të kuptueshme po e tregoj procesin siç përshkruhet prej vetë kronikale dokumentare të Republikës.


Kur duhej zgjedhur dogja i ri, ai që quhej Këshill Madhor i Republikës dhe që kishte rreth 100 anëtarë mblidhej dhe vendoste në një kuti aq gogla sa ç’ishin anëtarët mbi 30 vjeç: ky qe kufiri minimal i moshës për kreun e shtetit. Goglat, me emrin e anëtarit, quheshin “ballotte”, nga ka ardhur edhe termi në përdorim sot “balotazh”.

Më i riu anëtar i Këshillit delte herët në mëngjes në sheshin e Shën Markut dhe merrte për dore të parin fëmijë që ndeshte, mes moshës 8 dhe 10 vjeç. E fuste në sallën e madhe të Këshillit dhe aty fëmija duhej të nxirrte me dorën e vet nga kutia 30 gogla. Të 30 anëtarët e zgjedhur kështu, që quheshin tanimë “zgjedhës”, qëndronin në sallë dhe, nëpërmjet shortit, thjeshtoheshin në 9. Këta të 9 mblidheshin në një dhomë të mbyllur dhe, me votë të së paku 7 prej tyre, zgjidhnin 40 anëtarë të tjerë. Këta 40 mblidheshin dhe, nëpërmjet shortit, thjeshtoheshin në 12. Këta të 12 mblidheshin dhe, me votë të së paku 9 prej tyre, zgjidhnin 25 anëtarë të tjerë. Këta të 25 mblidheshin dhe, nëpërmjet shortit, thjeshtoheshin përsëri në 9. Këta të 9, me votë të së paku 7 prej tyre, zgjidhnin 45 anëtarë të tjerë. Këta të 45, gjithnjë nëpërmjet shortit, thjeshtoheshin në 11. Këta të 11, me votë të së paku 9 prej tyre, zgjidhnin 41 anëtarë të tjerë, të cilët do të ishin zgjedhësit e vërtetë të dogjës së Republikës. Të 41-tët mblidheshin në një sallon të veçantë, ku çdonjëri syresh hidhte në kuti një pusullë me një emër kandidati dhe, nëpërmjet një procesi tjetër, prej asaj kutie do të delte dogja i ri që duhej të ishte i votuar nga së paku 25 anëtarë ndër 41.

Zor se ndonjë mendje njerëzore mund të gjente marifete për ta manipuluar një proces të tillë të konceptuar enkas për t’u ikur mundësive te manipulimit. E megjithëkëtë procesi mund të manipulohej, sepse tok me të kishte lindur edhe shitblerja e votës.

Shteti i Venedikut ishte republikë aristokratike, anëtarësia në organin e saj politik, d.m.th. në Këshillin Madhor (1172-1797), ishte e drejtë e trashëgueshme dhe ekskluzive vetëm e familjeve patrice të regjistruara në Librin e Artë të Republikës. Si përfaqësues familjesh të tilla, anëtarët e Këshillit Madhor qenë të kamur, shpesh edhe tejmase të kamur, jo më të kishin nevojë për bukën e gojës a të vuanin nga skamja. Megjithëkëtë edhe ata e shitblinin votën.

Qe fjala pothuaj pa përjashtim për familje të mëdha tregtare, ngaqë Venediku nuk kishte, dhe pra nuk njihte, pronësinë e madhe të tokës. Dhe tregtari si tregtar: gjatë ndërkohëve të zhvillimit të procesit të ndërlikuar, që u përmend, anëtarët e Këshillit Madhor delnin për të pushuar e për të biseduar në oborrin e pallatit dukal. Ai copë oborr në venedishte quhej “brojo” dhe aty në “brojo” bëhej edhe pazari i votës.

Ata që donin ta shisnin votën ulnin mbi krah shallin e zi, i cili zakonisht mbahej mbi sup, mbi togën e zezë, që ishte petku i patricëve venedikas. Traktativat bëheshin shpejt-e-shpejt dhe me të pëshpëritur. Shitblerja nuk kryhej detyrimisht me pará, por edhe me premtime dorëzanie për zgjedhje në një funksion të lakmuar – ambasadorë, prokuratorë, avokadorë, magjistratë etj. – për shkak lidhjesh familjare ose krushqish.

Nga ky pazar në atë oborr që quhej “brojo” ose “broglio” u përftua në italishte dhe termi “broglio”, ai dëfton sot pikërisht manipulimin e votimeve.

Se desh harrova lidhur me ngjyrën e zezë të petkut të patricëve venedikas: e zeza në traditën e Venedikut nuk ishte ngjyrë zije, ngjyrë jazi, por ngjyrë feste dhe kremtimi. Ngjyra e zisë, d.m.th. e vdekjes, në Venedik ishte “il pavonazzo”, si me thënë ngjyra e mavi.