LAJMI I FUNDIT:

Molliqaj: Reagim brutal i policisë dhe arrestime të dhunshme për një parullë

Molliqaj: Reagim brutal i policisë dhe arrestime të dhunshme për një parullë

Policia e Kosovës ka arrestuar sot kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqajn dhe disa anëtarë të këtij subjekti politik, pasi ata kanë protestuar sot para Stacionit të Policisë së Kosovës në qendër, duke shkruar në murin e këtij objekti “Për partitë tubime, për qytetarët dënime”.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, përmes një postimi në Facebook,  ka thënë se ata sot kanë hasur në një reagim brutal dhe krejt të pakuptimtë të Policisë.

“Përmes aksionit të sotëm e denoncuam standardin e dyfishte mbi respektimin e masave për pandeminë. Iu drejtuam Policisë së Kosovës me parullën: ‘Për partitë tubime, për qytetarët dënime’”, ka shkruar Molliqaj.


Molliqaj thotë se kanë hasur në një reagim brutal dhe krejt të pakuptimtë. “Për një parullë të shkruar, pati arrestime të dhunshme e procedime penale”.

“Për neve vazhdon të mbetet shqetësuese censura e përbrendësuar e Policisë rreth respektimit të rregullave. Edhe një herë, nuk kërkojmë të mos mbahen tubimet, veç zbatim të njëjtë për secilin”.

“Në anën tjetër, parullës e aksionit s’ka pse i frikësohet kush. Ato janë kushti dhe mundësia për demokracinë”, ka shkruar Molliqaj. /Telegrafi/