LAJMI I FUNDIT:

Varhelyi takohet me Osmanin: Kosova të vazhdojë me zbatimin e reformave

Varhelyi takohet me Osmanin: Kosova të vazhdojë me zbatimin e reformave

Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi, Olivér Várhelyi sot është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa kanë biseduar për rëndësinë e vazhdimit të zbatimit të reformave të Bashkimit Evropian (BE).

Kështu bëri të ditur Várhelyi përmes një postimi në Twitter. Ai ndër të tjera ka shkruar se kanë biseduar edhe për luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe bashkëpunimin në rajon.

“Kam theksuar rëndësinë e vazhdimit të implementimit të reformave të BE-së, luftën kundër korrupsionit – krimit të organizuar dhe bashkëpunimit në rajon – duke përfituar nga benefitet e planit ekonomik dhe të investimit”, ka shkruar Várhelyi, në Twitter.


Ndryshe, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani  sot ka nisur vizitën dy ditore në Bruksel ku do të zhvilloj një sërë takimesh.

Osmani të martën do të ketë një takim me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli. Gjatë qëndrimit në Bruksel, u.d. Presidentja e Kosovës, do të takohet edhe me deputetët e Parlamentit Evropian që janë në Grupin e Miqësisë së Kosovës në Parlamentin Evropian: Rainer Ëieland, zv.presidenti i PE-së, Lukas Mandl (EPP), Viola von Cramon- Taubade, raportuese për Kosovën në PE, Ilhan Kyuchyuk, nga Grupi Reneë dhe Andrey Kovatchev, nënkryetar i EPP-së.

Ndërkaq të martën mbrëma, Osmani do ta ketë një takim me emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak, ndërmjetësues në dialogun Prishtinë-Beograd.

Në ditën e dytë të qëndrimit në Bruksel, u.d. Presidentja Osmani të mërkurën do të takohet me presidenten e Dhomës së Përfaqësuesve Eliane Tillieux dhe presidenten e Senatit të Belgjikës, Stéphanie D’Hose. /Telegrafi/