LAJMI I FUNDIT:

Disa nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2020 – në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut

Disa nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2020 – në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut

Krahas COVID-19, në planin politik Maqedonia e Veriut këtë vit u anëtarësua në NATO, Shqipëria u përfshi nga protestat, ndërsa në Kosovë kreu i shtetit u akuzua nga Gjykata Speciale me seli në Hagë për krime lufte gjatë luftës së vendit me Serbinë.

Gjendja e shkaktuar nga pandemia e coronavirusit të ri (COVID-19), respektivisht rastet e konfirmuara, viktimat, si dhe masat kufizuese kundër përhapjes së pandemisë në mbarë botën, përfshirë edhe në rajon, shënuan këtë vit në largim 2020.

Krahas pandemisë COVID-19, në planin politik, Maqedonia e Veriut këtë vit u anëtarësua në NATO, por Bullgaria vendosi veto për fillimin e negociatave të vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Shqipëria u përfshi nga protestat, ndërsa në Kosovë kreu i shtetit u akuzua nga Gjykata Speciale me seli në Hagë për krime lufte gjatë luftës së vendit me Serbinë.


Maqedonia e Veriut

13 janar – Dokumentari “Toka e mjaltit” (Honeyland) nga regjisorët Tamara Kotevska dhe Ljubomir Stefanovski, i xhiruar në Maqedoninë e Veriut, fitoi dy nominime për “Oscar”, respektivisht për dokumentarin më të mirë dhe filmin më të mirë të huaj.

26 janar – Xhiruesit e dokumentarit “Toka e mjaltit” (Honeyland), Samir Luma dhe Fejmi Daut, u shpallën fitues të Çmimit të Kinematografisë më të Mirë, që u nda nga Shoqata Amerikane e Kinematografëve (ASC) në Los Angeles.

26 shkurt – Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, njoftoi rastin e parë të coronavirusit në vend, pas çka deri më sot nuk kaloi asnjë ditë pa raste të reja të regjistruara të këtij virusi.

16 mars – Maqedonia e Veriut mbylli të gjitha vendkalimet kufitare në vend në mënyrë që të parandalojë përhapjen e coronavirusit.

18 mars – Për të parandaluar përhapjen e COVID-19, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, për herë të parë në historinë e vendit shpalli gjendje të jashtëzakonshme.

27 mars – Maqedonia e Veriut zyrtarisht u bë vendi i 30-të anëtar i NATO-s.

14 qershor – Presidenti Pendarovski pasi disa herë zgjati gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të gjendjes me coronavirusin, më 14 qershor hoqi plotësisht masën.

26 qershor – Bazuar në rekomandimet e Komisionit për Sëmundjet Infektive, autoritetet qeveritare vendosën të hapin të gjitha vendkalimet kufitare për lëvizjen e papenguar të pasagjerëve dhe automjeteve pa teste PCR dhe pa referim në izolim shtëpiak.

15 korrik – Mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare që zgjatën tre ditë për shkak të votimit sipas protokolleve për mbrojtjen nga COVID-19, ku fitues doli koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM).

31 gusht – Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e votoi qeverinë e re të kryesuar nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, pjesë e të cilës janë edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe partnerët parazgjedhor të LSDM-së, BESA dhe Partia Liberale Demokratike (PLD).

12 nëntor – Kombëtarja e futbollit e Maqedonisë së Veriut në Tbilisi fitoi ndaj Gjeorgjisë, me çka për herë të parë në histori u kualifikua në Kampionatin Evropian të Futbollit 2020.

17 nëntor – Bullgaria vendosi veto ndaj kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave aderuese me BE-në, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi çështjet historike midis dy vendeve.

8 dhjetor – Pasi nuk e ndryshoi vendimin për veto ndaj kornizës negociuese për fillimin e negociatave me BE-në, pas Këshillit të Ministrave të BE-së në Bruksel, Qeveria e Maqedonisë së Veriut veton e vënë nga Bullgaria e vlerësoi si një “gabim të papërgjegjshëm gjeostrategjik”, duke deklaruar se “e ardhmja maqedonase është evropiane”.

Shqipëri

15 janar – Shqipëria shpalli persona të padëshiruar dy diplomatë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Tiranë, për shkak “të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre”.

11 shkurt – Kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku realizoi takime me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.

11-12 shkurt – Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, realizoi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u takua me zyrtarë të lartë të vendit, përfshirë presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

26 shkurt – Ndahet nga jeta në Tiranë në moshën 99-vjeçare Nexhmije Hoxha, e veja e ish-diktatorit Enver Hoxha, e cila gjatë regjimit komunist (1944-1991) ka mbajtur poste të ndryshme në institucionet dhe organizatat e kohës, ndërsa pas përmbysjes së sistemit komunist ka kryer disa vite burg me akuzën e abuzimit të fondeve.

5 mars – Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, zhvilloi vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u prit me ceremoni shtetërore nga homologu i tij shqiptar, Ilir Meta, si dhe u takua me zyrtarë të tjerë të lartë të vendit.

8 mars – Konfirmohen rastet e para me coronavirus në Shqipëri, ndërkohë vdekja e parë u shënua më 11 mars.

24 mars – Pasi ishin vendosur disa masa si kufizimi i lëvizjes së qytetarëve, ndalimi i transportit urban dhe mbylljes institucioneve arsimore, Këshilli i Ministrave i Shqipërisë vendosi shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjithë vendin për shkak të pandemisë COVID-19.

17 maj – Aksioni për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë u shoqërua me tensione dhe përplasje mes policisë dhe disa artistëve, qytetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile që kundërshtuan vazhdimisht planet e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e një godine të re për teatrin në të njëjtin vend ku ndodhej godina që u shemb.

3 korrik – Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohë në takimet me drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar u diskutua për çështjet e rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve, zhvillimet në rajon dhe çështje të tjera.

27 korrik- Kuvendi i Shqipërisë votoi kundër shkarkimit të presidentit Ilir Meta, pasi më herët shtëpia ligjvënëse kishte ngritur komision hetimor që kishte për qëllim kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e presidentit Meta me dekretin për zgjedhjet lokale të datës 30 qershor të vitit 2019, si dhe veprimeve dhe procedurës të ndjekur në kuadër të emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

30 korrik – Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshimet kushtetuese që lidhen me procesin e reformës zgjedhore, duke vendosur përfshirjen e listave të hapura për zgjedhjet parlamentare, ndryshime që më pas u konkretizuan edhe në Kodin Zgjedhor më datë të datës 5 tetor. Sipas ndryshimeve, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen më 25 prill të vitit 2021, do të aplikohet sistemi i votimit me lista të hapura, ku votuesve u jepet mundësia të zgjedhin partinë dhe kandidatin për deputet.

22 gusht – Në Shqipëri në Njësinë Administrative Laç, Bashkia Kurbin, filluan punimet e projektit të financuar nga Turqia për ndërtimin e 524 apartamenteve për familjet që u prekën nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar, projekt i cili zhvillohet nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI) me udhëzim të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ndërkohë projekti zbatohet nga kompania turke Albayrak.

6 shtator – Presidenti Meta vendos me dekret që zgjedhjet parlamentare në Shqipëri të mbahen më datë 25 prill të vitit 2021.

2 tetor – Mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës u mbajt mbledhje e përbashkët në Tiranë, ku u nënshkruan13 marrëveshje dhe protokolle të reja bashkëpunimi në fushën e transportit hekurudhor, sigurisë, arsimit dhe në fushën e shëndetësisë.

5-6 tetor – Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës (BeH), Shefik Xhaferoviç, realizoi vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u takua me drejtuesit e lart të vendit, si presidentin Meta, kryeparlamentarin Ruçi dhe kryeministrin Rama.

20 tetor – Shqipëria konfirmoi se është dakorduar me Greqinë që t’i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e kufizimit të zonave detare mes dy vendeve, shqyrtim i cili në gjykatën ndërkombëtare u konfirmua gjatë vizitës në Tiranë të ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, vizitë e cila u prit me protesta nga shqiptarët e Çamërisë.

27 tetor – Në Shqipëri u riatdhesuan 5 shtetas shqiptarë, 4 fëmijë dhe një grua, të cilët kishin qëndruar në kampe në Siri, pas një operacioni të kryer nën koordinimin e disa institucioneve të Shqipërisë dhe me mbështetjen e autoriteteve të Libanit.

26 nëntor – Shqipëria shënoi përvjetorin e parë të tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin më 26 nëntor 2019, që ishte një nga tërmetet më shkatërrimtar në dekadat e fundit dhe si pasojë e të cilit 51 persona humbën jetën, 913 të tjerë u plagosën, mijëra të tjerë u ndikuan në shëndetin e tyre, si dhe 202.291 persona u prekën në vend.

28 nëntor – Me rastin e 108-vjetorit vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë që festohet si Dita e Flamurit dhe Pavarësisë, në vend u organizuan ceremoni me pjesëmarrjen e kufizuar të zyrtarëve dhe qytetarëve për shkak të pandemisë COVID-19.

29 nëntor – Shqipëria shënoi 76-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, ndërsa me rastin e kësaj dite u zhvilluan disa ceremoni dhe aktivitete në të gjithë vendin. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte pjesëtare e Koalicionit Antifashist Botëror dhe 76 vite më parë u çlirua nga pushtuesit nazifashistë pas një lufte 5-vjeçare.

3-4 dhjetor – Nën organizimin e Kryesisë Shqiptare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) u mbajt takimi i Këshillit Ministror të kësaj organizate. Në takimin vjetor, kryediplomatët e shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së vlerësuan gjendjen e sigurisë në zonën euroatlantike dhe atë euroaziatike, si edhe punën e organizatës në të gjitha fushat e veprimtarisë së saj. Në fund të punimeve, sekretarja e re e Përgjithshme e OSBE-së u zgjodh Helga Schmid.

8 dhjetor – 25-vjeçari Klodian Rasha humbi jetën pas ndjekjes nga policia në orarin që përkonte edhe me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, ngjarje e cila shkaktoi reagime të shumta të zyrtarëve, partive politike, aktivistëve të shoqërisë civile dhe qytetarëve, si dhe arrestimin e punonjësit të policisë, Nevaldo Hajdaraj.

9 dhjetor – Në Shqipëri pas vdekjes së të riut pas ndjekjes nga policia, filluan protestat që u mbajtën disa ditë me pjesëmarrjen kryesisht të të rinjve, që u shoqëruan edhe me akte dhunë dhe tensione, ku si pasojë u plagosën dhjetëra policë dhe u shkaktuan dëme në ndërtesat e institucioneve.

10 dhjetor – Në lidhje me vdekjen e të riut Klodian Rasha, dha dorëheqjen ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj.

16-18 dhjetor – Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, njëherësh kryetare e Kuvendit, Vjosa Osmani, zhvilloi vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u takua me drejtuesit e lartë të vendit, me presidentin Meta, kryeparlamentarin Ruçi dhe kryeministrin Rama.

Kosovë

20 janar – Nënshkruhet Letra e Qëllimit ndërmjet kompanisë ajrore prestigjioze gjermane ‘Lufthansa’ dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, e cila mundëson hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.

31 janar – Hapet pika e re e përbashkët kufitare Bellanoc-Stançiq mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

02 shkurt – Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mbyllin pas gati katër muajsh bisedime përpjekjen për një marrëveshje për të bashkëqeverisur.

03 shkurt – Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 66 vota për, 0 kundër dhe 10 abstenime votuan qeverinë e re të Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti.

07 shkurt – Në moshën 86 vjeçare, ndërron jetë ikona e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha.

14 shkurt – Kosova dhe Serbisë në Mynih të Gjermanisë nënshkruan dy letra të shprehjes së interesit, atë për autostrada dhe atë për hekurudha, përmes së cilave të dy vendet shprehën gatishmërinë për hapjen e rrugëve ekzistuese, por edhe për ndërtimin e rrugëve të reja që lidhin dy shtetet me rajonin dhe me BE-në.

03 mars – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, takon presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë në Washington, takimi i cili u thirr nga emisari special i SHBA-ve për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

13 mars – Konfirmohen në Kosovë dy rastet e para të infektuar me koronavirus, shtetase e Italisë e moshës 20-vjeçare dhe një shtetas i Kosovës 77-vjeçar.

17 mars – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkarkon ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP) nga radhët e LDK-së, Agim Veliun për shkak se Veliu në një intervistë u deklarua “kundër qëndrimit të kryeministrit të Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”.

20 mars – Qeveria e Kosovës heq tarifën 100 për qind për lëndën e parë ndaj mallrave serbe dhe boshnjake dhe paralajmërohet se nga muaji prill fillon parimi i reciprocitetit politik dhe ekonomik me Serbinë.

25 mars – Me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan për rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, në një seancë të iniciuar nga partneri i koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

01 prill – Qeveria në detyrë e Kosovës merr vendim për heqjen e tarifës 100 për qind për mallrat me origjinë nga Serbia dhe fillimin e zbatimit gradual të reciprocitetit, si parim me marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa vendos për heqjen e kësaj tarife për produktet me origjinë nga Bosnja e Hercegovina pa vendosur asnjë masë reciprociteti me të.

29 prill – Duke pasur parasysh gjendjen e rënduar të shkaktuar nga pandemia COVID-19, Ministria e Financave dhe Transfereve në emër të Qeverisë së Kosovës merr vendim për ndarjen e ndihmës financiare në shumën prej 500 mijë euro për komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

03 qershor – Me 61 vota për, 24 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi i Kosovës votoi qeverinë e re me kryeministër Avdullah Hotin, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe, si dhe parti të vogla të minoriteteve.

22 qershor – Serbi i Kosovës, Darko Tasiq, dënohet me një vendim të shkallës së parë me 22 vjet burgim për krime lufte kundër civilëve shqiptarë të kryera gjatë luftës së fundit në Krushë të Madhe afër Prizrenit. Më 1 dhjetor, Gjykata e Apelit uli dënimin e tij nga 22 në 11 vjet burg, gjë e cila ditë më vonë u përcoll me protesta nga familjarët e viktimave të masakrës së Krushës së madhe dhe Krushës së Vogël.

24 qershor – Prokuroria e Specializuar njofton se ka ngritur aktakuzë prej dhjetë pikash në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë më 24 Prill, duke akuzuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe disa të tjerë “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”.

29 qershor – Kryeministri shqiptar, Edi Rama, bëri vizitë dyditore në Kosovë, gjatë së cilës ai u takua me udhëheqës institucionalë dhe politikë për të mbështetur Kosovën pas ngritjes së aktakuzës ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-pjesëtarëve tjerë të UÇK-së.

10 korrik – Udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës zhvilluan një takim virtual me kryeministrin Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në të cilin u ra dakord për të vazhduar dialogu mbi normalizimin e marrëdhënieve, i filluar nga BE-ja.

13 korrik – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, fillon procesin e intervistimit në Hagë, që zgjati për katër ditë me radhë.

15 korrik – Tetë vjet pasi u vendos gurthemeli i saj, fillon në qendër të Prishtinës ndërtimi i Xhamisë së Madhe, financuar nga Fondacioni i Dianetit Turk.

27 korrik – Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar me Organizatën Evropiane të Policisë – EUROPOL.

04 shtator – Nënshkruhet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Washington, në prani të presidentit të SHBA-së, Donad Trump.

24 shtator – Prokuroria Speciale arrestoi ish-komandantin e UÇK-së, Salih Mustafën dhe e transferoi atë në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, i akuzuar me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të cilat janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare.

25 shtator – Prokuroria e Specializuar arreston dhe transferon në Hagë kryetarin dhe nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të punës së Gjykatës Speciale në Hagë.

09 tetor – Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, viziton Kosovën ku u prit nga zyrtarë të lartë të shtetit dhe dha mbështetjen e Greqisë për rrugën evropiane të Kosovës.

04 nëntor – Ish-kryetari i Kuvendit dhe ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, arrestohet dhe transferohet në Hagë me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Në të njëjtën ditë aktakuza ju konfirmua edhe njërit nga themeluesit e UÇK-së dhe shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi. Selimi u dorëzua vullnetarisht, ndërsa një ditë më vonë u transferuar në paraburgim në Hagë.

05 nëntor – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, jep dorëheqje nga pozita e tij pasi i konfirmohet aktakuza e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe transferohet për në paraburgim në Hagë. Po kështu në të njëjtën ditë aktakuza u konfirmua edhe për kryetarin e Partisë Demokratike, Kadri Veseli, i cili u dorëzua vullnetarisht dhe u transferua në Hagë. Të njëjtën ditë Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë bënë publike aktakuzën kundër tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

05 nëntor – Pas dorëheqjes së presidentit Thaçi, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, zyrtarisht merr postin e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, në përputhje me detyrimet kushtetuese.

9 nëntor – Presidenti i dorëhequr i Kosovës, Hashim Thaçi, u paraqit në sallën e gjyqit në Hagë për herë të parë dhe u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Në të njëjtën ditë edhe ish zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u deklarua i pafajshëm për akuzat e krimeve të luftës në paraqitjen e tij të parë në Hagë.

10 nëntor – Ish-udhëheqësi i Shërbimit Informativ të UÇK-së, Kadri Veseli, u deklarua i pafajshëm për akuzat e krimeve të luftës në daljen e tij të parë në sallën e gjyqit para Dhomave të Specializuara të Kosovës.

16 nëntor – Ekspertët nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), së bashku me Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe Komisionin e Qeverisë së Serbisë për Personat e Zhdukur, gjetën mbetje njerëzore në Kizhevak, afër Rashkës, Serbi. Institucionet dyshojnë për varr masiv me trupa të vrarë të shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

18 nëntor – Pas rreth 13 muajve të vështirë me shumë rezultate të pafavorshme, Kosova fiton në futboll kundër Moldavisë me rezultat 1 me 0 dhe mbetet në Grupin C në kuadër të Ligës së Kombeve.

29 nëntor – Mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetarë të komunave Podujevë dhe Mitrovicë e Veriut. Kryetar i ri i Podujevës u zgjodh Shpejtim Bulliqi nga Vetëvendosje, ndërsa kryetar i Mitrovicës së Veriut u zgjodh Milan Radojeviq nga Lista Serbe.

30 nëntor – Fillojnë gërmimet në kërkim të mbetjeve njerëzore në Kizhevak afër Rashkës. Ato ndërpriten 11 ditë më vonë për shkak të kushteve jo të mira të motit, ndërsa do të vazhdojnë në pranverë të vitit 2021.

14 dhjetor – Gjyqtari i procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës bën publike konfirmimin e aktakuzës kundër kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe nënkryetarit të saj Nasim Haradinaj, për pengimin e punës së kësaj gjykate. /Anadolu Agency/

Në trend Botë

Më shumë
Trump padit televizionin CBS, kërkon dëmshpërblim prej 10 miliardë dollarësh shkaku i intervistës me Harrisin

Trump padit televizionin CBS, kërkon dëmshpërblim prej 10 miliardë dollarësh shkaku i intervistës me Harrisin

Amerika
Gjeneralët e Putinit po kthehen kundër njëri-tjetrit

Gjeneralët e Putinit po kthehen kundër njëri-tjetrit

Evropa
Diga dymijë vjeçare romake shpëtoi qytetin spanjoll nga përmbytja e madhe

Diga dymijë vjeçare romake shpëtoi qytetin spanjoll nga përmbytja e madhe

Evropa
Pamje të pazakonta nga Hawaii: Bie borë në majën më të lartë si pasojë e ajrit të ftohtë dhe lagështisë

Pamje të pazakonta nga Hawaii: Bie borë në majën më të lartë si pasojë e ajrit të ftohtë dhe lagështisë

Amerika
Polonia do të dorëzojë aeroplanët e mbetur MiG-29 në Ukrainë - sapo të marrë zëvendësimet nga aleatët e saj

Polonia do të dorëzojë aeroplanët e mbetur MiG-29 në Ukrainë - sapo të marrë zëvendësimet nga aleatët e saj

Botë
Evropa pret me ankth rezultatin e zgjedhjeve në SHBA

Evropa pret me ankth rezultatin e zgjedhjeve në SHBA

Amerika
Kalo në kategori