LAJMI I FUNDIT:

Djaloshi që e përmbushi premtimin

Djaloshi që e përmbushi premtimin

Ngjarjet që kanë ndodhur në vitin 1981 në një burg të Irlandës Veriore, me të burgosurit e IRA-s (Armata e Republikës së Irlandës), e kanë tronditur opinionin britanik. Të burgosurit kanë qenë kriminelë dhe terroristë, por trajtimi i tyre në burg është i papërshkrueshëm. Kushtet e burgut kanë qenë tmerrësisht johumane, kurse sjellja e gardianëve tejet shtazarake. Ndaj këtyre të burgosurve është aplikuar metoda e hakmarrjes, edhe pse ligji nuk e lejon një gjë të tillë pasi që anëtarët e IRA-s kishin marrë dënimet me shumë vjet burg. E tërë kjo e keqe e papranueshme ka ndodhur në një shtet demokratik, siç është Britania e Madhe.

Për këtë arsye, të burgosurit kërkojnë përmirësimin e kushteve në burg dhe, mbi të gjitha, kërkojnë që t’iu njihet statusi i të burgosurve politikë. Por, Margaret Thatcher, kryeministrja e atëhershme, e cila për një fije floku shpëtoi nga vdekja që ia kishte përgatitur IRA në Brajton, nuk pranoi kërkesën e këtyre të burgosurve. Si rezultat, të burgosurit hynë në grevë urie dhe 10 prej tyre vdiqën.

IRA, si organizata më sekrete që ka njohur bota deri sot, nuk qëndroi duarkryq në këtë ngjarje dhe, si hakmarrje, vrau 16 gardianë të këtij burgu. Shtypi britanik shkroi për këto ngjarje dhe publiku u trondit.


Gjatë kësaj kohe, në Londër një djalosh 12 vjeçar i racës së zezë, i përcolli ngjarjet të cilat e tronditën dhe ia ndryshuan jetën. Ai u betua se kur do të rritej do ta bënte një film për këto ngjarje.

Djaloshi, i quajtur Steve McQueen u rrit, shkoi në akademi të arteve dhe në vitin 2008 e bëri filmin e tij të parë që u quajt ‘Hunger’ (Uria). Pra, e përmbushi premtimin me plot sukses. Pastaj vazhdoi me filma tjerë me të cilët dëshmoi se është regjisor i nivelit të lartë. Në mesin e shumë filmave e bëri edhe regjinë e filmit ‘12 years slave’.

‘Hunger’ është film në të cilin Steve McQueen ka arritur ta paraqes tmerrin që ka ndodhur në burg me anëtarët e IRA-s dhe urrejtjen që e kishte kapluar shoqërinë në Irlandën Veriore. Filmi shquhet për shumë gjëra, përfshirë skenën 17 minuta të gjatë ku paraqitet dialogu në mes Boby Sandsit, rolin e të cilit e luan Michael Fassbender, dhe një prifti. Dialogu është skenë e pandërprerë në të cilin regjisori, për mrekulli, ia arrin të paraqet shumë elemente që shpjegojnë situatën e atëhershme, qëllimin e grevës së urisë dhe të konfliktit në Irlandën Veriore në mes katolikëve dhe protestantëve.

Ky film, pos pamjes së politikës ekstreme, ka arritur që ta paraqes dhe një segment tjetër të rëndësishëm që është eksplorimi, po ashtu ekstrem, i trupit dhe mendjes së njeriut. Aktori Michael Fassbender ka ‘agjëruar’ disa javë duke aplikuar dietë ekstreme për ta luajtur rolin e njeriut që shihet para vdekjes e që vjen si rezultat i mungesës së ushqimit. Filmi prek ndjenjat e njeriut dhe ky është sukses i regjisorit.

Kur shikohet ‘Hunger’, nuk mund të mos e bëni pyetjen: Pse ne nuk e kemi një film të këtillë? Ajo që ka ndodhur e që shihet në këtë film nuk duhet të jetë temë e panjohur për shqiptarët që kanë qenë të burgosur politikë në Jugosllavi dhe sidomos ata në Shqipëri gjatë sundimit komunist. Por, ne për këtë temë nuk kemi as libra të mirëfilltë e lëre më filma të cilët realizohen më vështirë.