LAJMI I FUNDIT:

Kadrijaj: Viktimat e dhunës seksuale dhe familjet e tyre po kalojnë një ri-traumatizim

Kadrijaj: Viktimat e dhunës seksuale dhe familjet e tyre po kalojnë një ri-traumatizim
Time Kadrijaj

Në Kuvendin e Kosovës është duke u zhvilluar debat parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje me rastin e fushatës senzibilizuese në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj tha se Kuvendi dhe deputetët janë marrë shumë pak me këtë temë e cila kërkon vazhdimisht t’i kushtojmë rëndësi dhe kujdes të veçantë.

“Dhuna në familje është njëra nga fenomenet që padyshim është shumë e përhapur në shoqërinë tonë, e që fatkeqësisht ne si Kuvend dhe deputetë jemi marrë shumë pak me këtë temë, edhe pse kjo duhet të jetë aktuale dhe ne duhet vazhdimisht ti kushtojmë rëndësi dhe kujdes të veçantë. Dhuna në familje ndodh mes partnerëve të ngushtë që jetojnë bashkë në familje, për fat të keq po kemi shumë raste të dhunës të raportuara në organet e drejtësisë”, tha deputetja Kadrijaj.


Deputetja e pozitës thotë se shumë gra po kanë frikë ta paraqesin dhunën në familje.

“Shumë prej grave nuk i paraqesin rastet e abuzimit sepse kanë frikë se partnerët e tyre të dhunshëm do t’i dëgjojnë dhe se më pas dhuna do të përshkallëzohet dhe ato nuk do të lejohen të largohen nga shtëpia”.

Kadrijaj ka shprehur shqetësimin edhe për gjendjen e vështirë të grave të dhunuara gjatë luftës.

“Situata është veçanërisht e vështirë për viktimat e dhunës seksuale të kryera gjatë luftës në Kosovë 1998-1999. Ky është një ri-traumatizim jo vetëm i viktimave, por edhe i fëmijëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes”, tha ndër të tjera Time Kadrijaj./Telegrafi/