LAJMI I FUNDIT:

Raporti i Korrupsionit nga OEAK dhe USAID: Vetëm 3 për qind e bizneseve i besojnë në tërësi sistemit gjyqësor në Kosovë

Raporti i Korrupsionit nga OEAK dhe USAID: Vetëm 3 për qind e bizneseve i besojnë në tërësi sistemit gjyqësor në Kosovë

Korrupsioni mbetet një ndër dukuritë negative që pengon veprimtaritë e bizneseve, e rrjedhimisht edhe zhvillimin e mirëfilltë ekonomik që ndikohet fuqishëm nga sektori privat dhe se vetëm 3 për qind e bizneseve i besojnë në tërësi sistemit gjyqësor në Kosovë.

Kështu u tha në studimin mbi perceptimin e korrupsionit në vend, prezantuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe mbështetur nga Programi i USAID për Drejtësi Komerciale.

Drejtor ekzekutiv i OEAK-ut, Arian Zeka tha se ky studim u shërben edhe partnerëve institucional dhe joinstitucional si dokument udhërrëfyes sa i përket nivelit të perceptimit të korrupsionit brenda komunitetit të sektorit privat, por në të njëjtën kohë edhe nivelit të korrupsionit të ballafaquar nëpër institucione të ndryshme.


Ai potencoi se këtë vit, ky studim sjellë edhe dy risi, siç janë përfshirja e vlerësimit të pandemisë COVID-19 në rritjen e korrupsionit, si dhe me fokus të veçantë trajton perceptimin dhe korrupsionin e ballafaquar edhe në marrëdhëniet ndër-biznesore brenda sektorit privat.

Tutje, Zeka tha se gjyqësori është hallkë e rëndësishme në zinxhirin e luftës kundër korrupsionit, prandaj rritja e besimit në sistemin gjyqësor inkurajon bizneset për raportimin e rasteve të korrupsionit.

Vjosa Shkodra, zëvendësdrejtoreshë e Programit të USAID për Drejtësi Komerciale theksoi se studimet e tilla shërbejnë si burim i rëndësishëm i informacionit. Ndërsa, duke u ndërlidhur me objektivat e projektit të Drejtësisë Komerciale, Shkodra tha se prioritet është zvogëlimi i mundësive për korrupsion si dhe parandalimi i korrupsionit, derisa theksoi se sa i përket mundësive të krijuara për bizneset, sundimi i mirëfilltë i ligjit në vend do të hapte rrugë për integrim të tregjeve edhe me shtetet evropiane, si dhe do të krijonte një klimë më të mirë ekonomike për të gjitha bizneset.

Ajo theksoi se themelimi i Gjykatës Komerciale mund të ndikojë pozitivisht në tërheqjen e investimeve të huaja, si dhe do të gjenerojë vende të reja të punës dhe do të rris besimin e qytetarëve dhe bizneseve në sistemin gjyqësor.

Besimi i sistemit gjyqësor nga bizneset | Burimi: OEAK dhe USAID

Të gjeturat e këtij studimi u prezantuan nga Andina Vllahiu-Kelmendi zyrtare e politikave në Odën Ekonomike Amerikane, si dhe Diar Ramadani, përfaqësues i Programit të USAID për Drejtësi Komerciale, të cilët theksuan se ekziston nevojë për rritjen e ndërgjegjësimit të bizneseve dhe qytetarëve rreth luftimit të korrupsionit, si dhe rreth mënyrave se si mund të reformohet sistemi gjyqësor që ka ndikim direkt në luftën ndaj kësaj dukurie mjaft negative në ekonomi dhe shoqëri.

Studimi mbi Perceptimin e Korrupsionit u krye përmes një ankete me një pjesëmarrje prej 364 respondentëve përfaqësues të bizneseve nga sektor të ndryshëm në vend, që është një mostër dukshëm më e madhe krahasuar me vitet e mëparshme.

Anketa e vitit 2020 tregon se rreth 60 për qind respondentë e shohin pandeminë COVID-19 dhe korrupsionin si dy çështjet kryesore me të cilat po ballafaqohet vendi.

Edhe këtë vit, rreth 42 për qind të të anketuarve besojnë se krahasuar me pesë vite më parë, korrupsioni në Kosovë është rritur, që është një vlerë përafërsisht e njëjtë edhe me studimin e vitit 2019. Gjithashtu, rreth 40 për qind e bizneseve të anketuara besojnë se shpërthimi i pandemisë COVID-19 ka pasur një ndikim në rritjen e niveleve të korrupsionit.

Çështjet kryesore me të cilat ballafaqohet so biznesi në Kosovë | Burimi: OEAK dhe USAID

Anketa e vitit 2020 zbulon se Qeveria besohet të jetë institucioni më i korruptuar, pikëpamje kjo e rreth 70 për qind të bizneseve të anketuara, ndjekur nga gjykatat me 57 për qind. Megjithatë, studimi tregon një kontradiktë në mes të nivelit të perceptimit të korrupsionit dhe nivelit të transparencës së institucioneve, meqë afër 60 për qind e respondentëve kanë vlerësuar Qeverinë si institucionin më transparent, ndjekur nga ndërmarrjet publike me 55 për qind, si dhe gjykatat me 50 për qind. Përafërsisht 40 për qind e të anketuarve raportojnë se kanë hasur në korrupsion, që është një rritje prej 20 për qind krahasuar me studimin e vitit 2019. Ndërsa, mbi 45 për qind prej tyre kanë renditur komunat si institucionet parësore ku është hasur korrupsioni, ndjekur nga 35 për qind të cilët kanë vlerësuar Administratën Tatimore të Kosovës.

Për herë të parë, këtë vit anketa ka matur edhe perceptimin e korrupsionit brenda sektorit privat, pra për marrëdhëniet dhe transaksionet në mes të bizneseve, rezultatet nga e cila zbulojnë se rreth 70 për qind e të anketuarve besojnë se ka korrupsion në sektorin privat. Rreth 30 për qind prej tyre janë ballafaquar me korrupsionin, ndërsa 40 për qind nuk kanë hasur në ndonjë formë të korrupsionit. Vlen të theksohet se ngjashëm me sektorin publik, ekziston një hendek në mes të korrupsionit të perceptuar dhe atij të ballafaquar. /Telegrafi/