LAJMI I FUNDIT:

GLPS: Ndëshkimi i zyrtarëve publik mbetet problematik, shumë nga ta janë dënuar me kusht ose me gjobë

GLPS: Ndëshkimi i zyrtarëve publik mbetet problematik, shumë nga ta janë dënuar me kusht ose me gjobë

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka publikuar sot analizën ligjore të realizuar nga Drejtësia Sot, për trajtimin institucional të rasteve të mosdeklarimit dhe deklarimit të rrjeshëm të pasurisë ndaj zyrtarëve të lartë publik në Kosovë gjatë vitit 2019.

Në këtë analizë janë 20 raste penale të zhvilluara ndaj zyrtarëve të lartë publik gjatë vitit 2019 lidhur me veprën penale “mos raportimi, ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.


Të gjeturat nga kjo analizë tregojnë se në Kosovë gjatë vitit 2019 kishte mungesë të trajtimit të mirëfilltë të këtyre rasteve.

Pavarësisht se bëhet fjalë për një vepër penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, si pasojë e trajtimit të tillë institucional, përfundimet e proceseve gjyqësore kanë qenë simbolike, me dënime minimale, gjë që nuk jep sinjal se korrupsioni po luftohet me seriozitet.

“Nga analiza është identifikuar se disa nga aktakuzat e ngritura për këto raste, nuk janë hartuar në nivel profesional duke mos i kushtuar vëmendje respektimit të elementeve obligative, përshkrimit të gjendjes faktike në dispozitivin e aktakuzës, mos saktësimit të të gjitha rrethanave të veprës penale, mungesën e referimit në dispozitat ligjore të cenuara në dispozitivin e aktakuzës, si dhe emërtimin ligjor të veprës penale në kundërshtim me ligjin”, thuhet në rekomandimet e nxjerra nga kjo analizë.

Më tej thuhet se sa i përket trajtimit të këtyre rasteve nga gjykatat, së pari është shqetësuese neglizhenca e caktimit dhe mbajtjes së shqyrtimeve fillestare jashtë afatit ligjor.

“Pastaj, nga rastet e analizuara rezulton se ndëshkimi i zyrtarëve të lartë publik është tejet “problematik” për gjyqtarët, pasi këta zyrtarë në asnjë rast nuk janë dënuar me dënim me burg efektiv, por kryesisht janë dënuar me kusht dhe me gjobë në shuma mjaft minimale, si dhe me vërejtje gjyqësore”, thuhet në analizë. /Telegrafi/