LAJMI I FUNDIT:

Quni priti në vizitë ambasadorin e Hungarisë në Kosovë – pajtohen që të vazhdojë bashkëpunimi në funksion të paqes

Quni priti në vizitë ambasadorin e Hungarisë në Kosovë – pajtohen që të vazhdojë bashkëpunimi në funksion të paqes

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, priti sot ambasadorin e Republikës së Hungarisë në vendin tonë, Jozsef Bencze në vizitën e tij të parë në Ministrin e Mbrojtjes.

Në fillim, ambasadori Bencze vlerësoi lart rëndësinë e partneritetit në mes dy ministrive duke shprehur gatishmërinë e shtetit hungarez dhe institucioneve të saj në mbështetjen e mëtejme të FSK-së për arritjen e objektivave të saj.


Ministri Quni, nga ana e tij falënderoi për vizitën dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e deritashme të Hungarisë në të gjitha fushat, përmes kontributit me kontingjentin ushtarak në kuadër të KFOR-it, në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të Ministrisë së Mbrojtje dhe FSK-së.

Ai gjithashtu kërkoi ofrimin e eksperiencës për procesin reformues të FSK-së si dhe eksperiencën e zbatuar të institucioneve hungareze për procesin integrues euroatlantik në NATO.

Ministri Quni, në vazhdim theksoi se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja, janë në proces të realizimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, proces i cili zhvillohet në transparencë të plotë, dhe si gjithmonë, në koordinim të plotë me partnerët tanë.

Në fund të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë. Në takimin përkatës, Ministri Quni shoqërohej nga këshilltari i tij poltik, Feriz Trezhnjeva, kurse ambasadori Bencze shoqërohej nga sekretari i dytë i ambasadës hungareze, Zoltan Gulyas.

Marrëveshja dypalëshe e bashkëpunimit në mes Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës (ish-Ministrisë së FSK-së) dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Hungarisë, është nënshkruar më 10 qershor 2016 në Budapest.

Marrëveshja përcakton bashkëpunimin në fushën e arsimimit dhe stërvitjes, shkëmbimit të përvojave në menaxhimin e burimeve njerëzore, menaxhimin e krizave, rrugën e integrimeve euroatlantike etj. /Telegrafi/