LAJMI I FUNDIT:

​Selmanaj takim virtual me ambasadorët e BE-së, ankohet për mos heqjen e vizave

​Selmanaj takim virtual me ambasadorët e BE-së, ankohet për mos heqjen e vizave

Zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj sot ka zhvilluar një bisedë virtuale me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Ambasadorin Tomas Szunyog dhe ambasadorët e BE-së në Kosovë, rreth ri-organizimit të strukturave të ish Ministrisë së Integrimit Evropian në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Selmanaj njoftoi ambasadorët për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Zyrën e Kryeministrit nga kryeministri Avdullah Hoti, si dhe përpilimin e organogramit të ri të Zyrës së Kryeministrit.

Ai potencoi se strukturat organizative të ish Ministrisë së Integrimit Evropian do të ruajnë strukturën e tyre të plotë dhe funksionet të cilat i kanë ushtruar deri tani me qëllim të ruajtjes së njohurive dhe përvojës që është zhvilluar ndër vite.


Gjatë kësaj bisede, zëvendëskryeministri Selmanaj theksoi faktin që zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim (MSA) dhe Agjenda e Reformave Evropiane (ARE2) janë të rëndësishme për të siguruar rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.

Ai, po ashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC) si parakusht i nevojshëm për zbatimin dhe monitorimin efektiv të reformave dhe Planit të Veprimit për ARE 2.

Selmanaj, në fund të takimit shprehu pakënaqësitë e tij në lidhje me procesin e stërzgjatur të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke thënë se një rezultat pozitiv lidhur me liberalizimin e vizave do të hapte mundësitë për zbatimin e reformave të domosdoshme për Republikën e Kosovës./Telegrafi/