LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni: Hotelierët kanë problem me ndihmat për pagat, kërkojnë ndryshime ligjore

Maqedoni: Hotelierët kanë problem me ndihmat për pagat, kërkojnë ndryshime ligjore

Një numër i madh i hoteleve në shtet do të jenë të detyruar që përkohësisht t’i mbyllin objektet e tyre, ndërsa të punësuarit t’i paraqesin si të papunë nëse nuk bëhen ndryshime në Ligjin për ndihmë financiare të punëdhënësve të prekur nga kriza e koronës në pjesën e pagave për tetor, nëntor dhe dhjetor të vitit 2020.

Siç njoftoi Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit e Odës Ekonomike të Maqedonisë, shumica e kompanive nga ky sektor, por para së gjithash hotelet, nuk do të kenë mundësi që ta shfrytëzojnë ndihmën. Përveç kësaj konsiderojnë edhe se siç është e definuar tani në pakon e katërt të masave, vetëm pjesërisht do t’i zbusë efektet negative dhe pasojat nga kriza e koronës.

“Një numër i madh i kompanive nga sektori i hotelerisë dhe ai turistik, para së gjithash objektet hotelierike, përballen me problem rreth shfrytëzimit të masës – Ndihmë financiare punëdhënësve për pagesë të pagave (tetor, nëntor dhe dhjetor), e cila njëherësh është edhe masa e parë nga pakoja e katërt e masave ekonomike e cila filloi që të realizohet. Problemi qëndron në kushtet të cilat janë përcaktuar në Ligjin për ndihmë financiare të punëdhënësve të goditur nga kriza shëndetësore-ekonomike e shkaktuar nga KOVID-19, për shkak të pagesës së pagave për tetor, nëntor dhe dhjetor të vitit 2020. Për këtë qëllim, Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë, kërkon ndryshim të Ligjit me fshirjen e alinesë 2 dhe alinesë 3 nga neni 3, paragrafi 3, nga Ligji”, njoftoi Shoqata e Hotelerisë dhe Turizmit.


Për shkak të kësaj situate, shton Shoqata, një numër i madh i punëtorëve nga sektori hotelerisë dhe turizmit vullnetarisht largohen nga puna dhe kërkojnë punësim në sektor tjetër, ndërsa në disa hotele numri i të punësuarve është ulur për shkak të karakterit sezonal.

Kërkesa është dorëzuar deri te organet kompetente shtetërore me pritje se do të shqyrtohet dhe do të dilet në vigjilje subjekteve afariste nga sektori i turizmit dhe hotelerisë.