LAJMI I FUNDIT:

Ekspertët: Amfilohije u bë vet viktimë e predikimit ruso-ortodoks

Ekspertët: Amfilohije u bë vet viktimë e predikimit ruso-ortodoks

Kleriku ortodoks prorus, Amfilohije Radoviq u varros të dielën pas komplikimeve shëndetësore nga COVID-19.

I njohur për interpretimin ekstremist ortodoks e pansllavist, mitropoliti Amfilohije, i takonte krahut ortodoks që nuk e njihte COVID-19.

Në maj të këtij viti, ai kishte deklaruar në Manastirin e Ostrogut të Malit të Zi, se “para se të gjendet vaksina, ja ku e kemi (Kishën) vaksinën që vepron/mjekon ndërshekuj”.


“Besimi ortodoks mjekon edhe sot, dhe jam i bindur se me bekimin e Zotit, përmes eshtrave të Shën Vasilit, të cilin e puthim dhe e vlerësojmë se, virusi do të shërohet”, kishte deklaruar ai.

Politologu Ramush Tahiri dhe eksperti i sigurisë Agim Musliu, thonë për KosovaPress se Rusia ka ndikuar edhe në interpretimin për COVID-19 tek liderët fetarë ortodoksë, sidomos në Mal të Zi.

“Amfilohije Radoviq, më herët e kishte mohuar virusin COVID-19, dhe si shumë të tjerë mendonte se është një komplot ndërkombëtar”, ka thënë Ramush Tahiri, duke shtuar se, “varrimi i tij u bë sipas traditës ortodokse, pa maska, duke e puthur kufomën e tij, gjë që paraqet rrezik të përhapjes së virusit në Mal të Zi”.

Në anën tjetër, Agim Musliu ka shtuar se, naiviteti i pikëpamjeve radikale ruso-ortodokse të Amfilohije Radoviçit e viktimizoi në fund edhe vet atë.

Përmes ndikimit rus, amfilohije rrëzoi Gjukanoviqin

“Amfilohije për hir të Putinit e mohoi COVIDd-19, por vdiq nga virusi. Me qëllim të përmbysjes së pushtetit në Mal të Zi, përkatësisht zëvendësimit të pushtetit pro-NATO me të kundërtin, përkatësisht me atë prorus, kleri i kishës ortodokse proruse në Mal të Zi, e mohonte në vazhdimësi COVID-19”, ka thënë Musliu për KosovaPress.

Sipas të dy ekspertëve, përmbi interesa të shëndetit publik, kleri serb me në krye Amfilohijen, kishin vënë realizimin e qëllimeve ruse në Ballkan. Madje, politologu Tahiri ka thënë se “Kleri serb, gjithmonë që nga fillimi, mirëpo edhe kleri malazez, kur është krijuar Mali i Zi, ndihmën kryesore e kanë pasur nga Rusia, me qëllimin e zgjerimit të sllavëve dhe vet rusëve në tri detet. Edhe sot, ndikimi i politikës ruse, jo në Kishën Ortodokse Serbe, por në disa elementë të kishës serbe është evident”.

Agim Musliu thotë se shërbimet sekrete ruse e udhëheqin edhe kishën ruse, por edhe të tjerët që janë të ndikuar nga kisha ruse.

“Është e dokumentuar që ata thoshin që nuk ka një virus të tillë, sepse frikësoheshin se do të dështonin ato protestat e tyre që kishin nisur për ta rrëzuar Milo Gjukanoviqin nga pushteti. Prandaj, e mohuan virusin. Këtë model e morën nga Rusia, përkatësisht nga interpretimi ekstrem i besimit ortodoks. Madje, unë besoj se kjo ka dalë pikërisht nga kuzhinat e shërbimeve sekrete ruse, sepse ata e kanë fjalën kryesore edhe se çfarë deklarohet kleri ortodoks rus, dhe pastaj edhe kleri ortodoks i vendeve të tjera ku ata kanë ndikim”, ka nënvizuar Musliu.

Rusia e kohës së Vladimir Putinit e ka rritur keqpërdorimin e besimtarëve me qëllim të ndikimit të influencës malinje në Ballkanin Perëndimor.

“Rusët e kanë ditur se disa klerikë ortodoksë serbë kanë qenë të përfshirë në veprimtari edhe me kriminelë lufte në ish-Jugosllavi, prandaj ata i përdor për vazhdimin e kaosit në këtë rajon. Kurse, më ekstremi nga gjithë këta ka qenë Amfilohije Radoviç”, ka thënë Musliu.

Qëndrimet ekstreme proruse Amfilohije Radoviq i kishte shfaqur disa herë. Gjatë vitit të fundit, ai kishte mallkuar malazezët të cilët nuk i bëheshin besnikë “Nënës Rusi”.

Në fund të gushtit në Mal të Zi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ku partia e Gjukanoviqit humbi pushtetin. Paraprakisht, gjatë tërë vitit në këtë shtet ishin organizuar protesta në emër të “mbrojtjes së kishës serbe në Mal të Zi”, gjë që çoi në ndikim rezultati zgjedhor.

Në vitin 2016, kur në këtë shtet po mbaheshin zgjedhje të tjera parlamentare, shërbimet sekrete ruse kishin provuar që me puç, ta rrëzonin qeverinë malazeze. Për këtë, gjë që do ët përfundonte me atentat, ishin të përfshirë edhe elementë çetnikë serbë, mirëpo edhe njerëz të strukturave të sigurisë së Serbisë.

Nuk ka rrezik eksplicit nga ndikimi rus në Kosovë

Kosova nuk ka rrezik që të ketë pasojat e Malit të Zi, tonë ekspertët. Megjithatë, ata nuk përjashtojnë tendencat e ndryshme të Rusisë kundrejt Kosovës.

Politologu Ramush Tahiri mendon se Rusia nuk mund të destabilizojë Kosovën, duke marrë parasysh që nuk kanë ndikim tek shqiptarët.

“Politika ruse ndikon përmes mediave dhe proceseve të ndryshme shoqërore, që në mënyrë të padukshme, që pastaj në mënyrë të pavetëdijshme të realizohen qëllimi themelor i politikës ruse – destabilizimi”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, Agim Musliu, duke u pajtuar me faktin e Kosova është një ndër vendet me antiruse jo vetëm në Evropë, por edhe në botë, ka thënë se rusët element destabiliteti në Kosovë e shohin pikërisht elementin klerikal ortodoks.

“Rusia në radhë të parë përmes mashës se vet – kishës serbe dhe vet Serbisë, krijon destabilitet për Perëndimin. Kosova dhe Ballkani në përgjithësi janë dëm anësor. Pra qëllimi është kundërshtimi i integrimit të mëtejmë të shteteve të Ballkanit Perëndimor në NATO e Bashkimin Evropian. Prandaj, duke marrë parasysh këtë, Kosova duhet të ndihmohet në radhë të parë nga Evropa, sepse me një Ballkan jo stabil as ajo nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm”, ka përfunduar Musliu.

Në trend Lajme

Më shumë
Arrestimi i të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it, Elshani: Nuk do të ndalemi

Arrestimi i të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it, Elshani: Nuk do të ndalemi

Drejtësi
Vëllau i Liridona Ademajt: Fëmijët janë të brengosur nga fakti që e panë se si babai i tyre e shtrëngoi për krahu nënën e tyre që të kryhet më lehtë vrasja

Vëllau i Liridona Ademajt: Fëmijët janë të brengosur nga fakti që e panë se si babai i tyre e shtrëngoi për krahu nënën e tyre që të kryhet më lehtë vrasja

Lajme
Policia e Kosovës pajiset me automjete të reja, për mbështetje të Njësive speciale-policore gjatë operacioneve dhe aksioneve të veçanta

Policia e Kosovës pajiset me automjete të reja, për mbështetje të Njësive speciale-policore gjatë operacioneve dhe aksioneve të veçanta

Siguri
Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e tre personave për shpërdorim të pasurisë

Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e tre personave për shpërdorim të pasurisë

Kronika e Zezë
Abazoviq: Në katër vitet e fundit në Ballkan nuk janë kryer punë, me Trump do të ndryshojë situata

Abazoviq: Në katër vitet e fundit në Ballkan nuk janë kryer punë, me Trump do të ndryshojë situata

Lajme
Ekspertët e çështjeve të drejtësisë: Zhbërja e Speciales mision i pamundur

Ekspertët e çështjeve të drejtësisë: Zhbërja e Speciales mision i pamundur

Lajme
Kalo në kategori