LAJMI I FUNDIT:

PDK në Prizren: LVV e ka sjellë arsimin në buzë kolapsit total, jemi në përgatitje të kallëzimeve penale

PDK në Prizren: LVV e ka sjellë arsimin në buzë kolapsit total, jemi në përgatitje të kallëzimeve penale

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, ka akuzuar Komunën e Prizrenit për gjendjen në arsim.

Sipas PDK-së, situata në arsim është duke degraduar, transmeton Telegrafi.

“DKA, asnjëherë që nga pas lufta nuk ka qenë e instrumentalizuar dhe e politizuar më keq se në këtë qeveri. Ka tash e tre vjet që në këtë drejtori e ka humbur kuptimin fjala arsim dhe institucion arsimor. Në këtë drejtori, nuk dihet më se kush çfarë detyre ka, pasi çdo veprim bëhet me direktiva politike të VV-së”, thuhet në reagimin e PDK-së.


Më poshtë reagimi i plotë:

“PDK Dega në Prizren, njëjtë sikurse qytetarët e Komunës së Prizrenit, jemi të shqetësuar për gjendjen e rëndë që e ka kapluar arsimin në Komunën e Prizrenit. Komisioni për Arsim i PDK-së, pasi ka analizuar hollësisht situatën e krijuar, në këtë fillim vit shkollor edhe ashtu të vështirë për shkak të pandemisë, ka konstatuar se qeveria komunale, me veprimet e veta e ka sjellë arsimin në Prizren buzë kolapsit total. Situata në arsim dita ditës po degradon. DKA, asnjëherë që nga pas lufta nuk ka qenë e instrumentalizuar dhe e politizuar më keq se në këtë qeveri. Ka tash e tre vjet që në këtë drejtori e ka humbur kuptimin fjala arsim dhe institucion arsimor.

Në këtë drejtori, nuk dihet më se kush çfarë detyre ka, pasi çdo veprim bëhet me direktiva politike të VV-së. Vendimet merren nga të autorizuarit e kryetarit dhe nënshkruhen kuturrum nga drejtoresha e instrumentalizuar e DKA-së. Komisioni për arsim i PDK-së në mesin e shumë parregullsive ka veçuar të flas këtë radhë për tri çështje:

1. Për konkurset dhe pasojat e veprimeve jo ligjore;
2. Për komisionet vlerësuese të konkurseve dhe
3. Për keqpërdorimet e subvencioneve të kësaj drejtorie.

1. Konkurset për mësimdhënës dhe humbja e orëve mësimore

Konkurset të cilat shpallen nga DKA në Prizren, tash më nuk janë temë e interesimeve të mësimdhënësve të diplomuar për të konkuruar, por janë temë e prokurorisë, për parregullsitë dhe për marifetet që po bëhen përmes këtyre konkurseve. Vetëm gjatë vitit 2018 janë shpallur 5 konkurse të rregullta për 59 vende të lira të punës dhe që të 5 këto konkurse, janë shpallur në mënyrë të kundërligjshme duke u mbështetur gjoja në Ligjin e Punës dhe në Udhëzimin Administrativ të kësaj ministrie me nr. 07/2017, duke anashkaluar Ligjin e Arsimit Parauniversitar 04/L-032 dhe aktet nënligjore të këtij ligji.

Kështu gjatë vitit 2018 janë shpallur konkurset me nr. 3526/2018, nr. 2719/2018, nr. 226/2018 dhe që në të gjitha këto konkurse të jashtëligjshme me gjoja për vende të lira të punës me afat të caktuar kur janë pranuar 59 mësimdhënës dhe që të gjithëve pastaj në kundërshtim me ligjet në fuqi, kontrata njëvjeqare u është vazhduar duke u shëndrruar në kontrata të përhershme. Vlen të theksohet rasti i 72 mësimdhënësve të pranuar në mënyrë të rregullt ku disa kishin filluar punën, kur DKA pa arsye valide ligjore vendos të anuloj konkursin, duke shkaktuar humbje kohe të shumë mësimdhënësve nëpër organet e drejtësisë.

Si pasojë e këtyre vendimeve të DKA-së në vitin shkollor 2018/2019, nuk janë mbajtur shumë orë mësimore. Po me këtë avaz ka filluar edhe viti shkollor 2019/2020 ku vetëm në gjysmëvjetorin e parë, janë humbur 25 mijë orë mësimore, pa llogaritur kohën e pandemisë.

Gjatë kësaj kohe, për shkak të menaxhimit të dobët, në 23 shkollat e Prizrenit, nuk është mbajtur as edhe një orë mësimore, siç është rasti në shkollat: Piranë, Kushnin, Kabash, Velezhë, gjimnazin ‘’Remzi Ademaj’’ e në shkolla tjera.

Ndërkaq në fund të vitit shkollor, në mënyrë të kundërligjshme, drejtoresha e instrumentalizuar e DKA-së me anë të rekomandimeve për vlerësim të nxënësve, më 17 qershor 2020 të gjitha shkollave, që nuk i kanë mbuluar orët mësimore i urdhëron që të notohen nxënësit pa i ndjekur fare mësimet. Shkaktar i mungesës së mësimdhënësve që kushtëzuan humbjen e orëve ishin manipulimet me konkurse.

Me këtë rast një pjesë të përgjegjësisë e bart edhe Inspektorati i Arsimit në kuadër të MASHT-it, i cili nuk ka reaguar lidhur me këto parregullsi. Çka është më e keqja, këto rekomandime u lëshohen mësimdhënësve në mënyrë klandestine pa kaluar nëpër drejtoritë e shkollave.

Konkursomania ka vazhduar edhe në vitin shkollor 2019/2020 dhe 2020/2021. Të përmendim konkursin nr. 3677/2020 të datës 28.09.2020, i cili vështirë se mund të quhet konkurs, sepse ka shumë lëshime të qëllimshme që tentojnë të manipulojnë identitetin e mësimdhënësit. Kështu në këtë konkurs të muajit shtator 2020 janë shpallur vende të punës të cilat do të skadonin më 30 qershor dhe 31 gusht 2020, që vetvetiu është nonsens. Është vepruar në këtë mënyrë për të pasur më vonë arsyetim, kinse të gabimeve teknike për ta anuluar këtë konkurs më lehtë dhe për t’i rehatuar militantët e VV-së pa konkurs dhe në mënyrë klandestine.

Në kuadër të shkeljeve të shumta ligjore, e në lidhje me konkursomaninë e DKA-së në Prizren, vlen të theksohet edhe një rast specifik që është në kundërshtim me të gjitha normat ligjore të Arsimit Parauniversitar, e ai është konkursi i brendshëm nr. 3678/2020, i datës 28.09.2020, që është në kundërshtim me nenin 17 pika 2 te Ligjit të punës nr. 03/L-212 dhe kontratës kolektive për mësimdhënës, në emër të cilit ligj thirret DKA-ja. DKA, ka qenë e obliguar t’i sistemoj, duke e ditur që një numër i madh i stafit ekzistues për shkak të zvogëlimit të numrit të nxënësve kanë mbetur pa normë, DKA hap konkurs të brendshëm për t’i rehatuar militantët partiak.

Mund të përmendim disa lëndë siç janë: Histori, Gjeografi, Fizikë, Kimi, Gjuhë Angleze e të tjera, për të cilat lëndë ka mësimdhënës, te cilëve nuk u është plotësuar norma dhe për të njëjtat vende, janë hapur konkurse të brendshme. Konkurset e shpallura nga DKA për vendet e caktuara të punës, pa u shqyrtuar me stafin e brendshëm dhe kërkesat e shkollave për planifikim dhe orët e lira, nuk shqyrtohet nga stafi i brendshëm, por DKA konsultohet me drejtor (këshilltar të jashtëm, drejtor shkollash të caktuar që dyshohet se janë të dëgjueshëm për partinë), të cilët në mënyrë të jashtëligjshme nxjerrin njoftime për anulime të konkurseve.

2. Për komisionet vlerësuese të konkurseve

Një tjetër shqetësim i Komisionit për Arsim i PDK-së, është edhe mënyra e emërimit të komisioneve të vlerësimit për mësimdhënësit që konkurojnë për vende të punës. Ky fenomen më së miri shihet në konkurset e këtij viti, ku në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ të MASHT-it nr. 17/2009, komisioni rekrutues në bazë të këtij UA thuhet se: DKA me vendim përcakton dy anëtarë të komisionit që duhet të jenë zyrtarë nga DKA dhe njëri anëtar duhet të jetë drejtori i shkollës përkatëse. Por DKA në Prizren, për arsye për ne të panjohura me dy këmbët e shkel ligjin dhe i cakton anëtarë të këtyre komisioneve drejtorë të shkollave, për të cilët ne kemi dyshime.

Në anën tjetër anëtarët e këtyre komisioneve nuk kanë legjitimitet ligjor për të kryer këtë funksion. Ky komision në mënyrë të pautorizuar, pyetjet e hartuara nga vet ata, në mënyrë selektive, u’a shpërndanë kandidatëve jashtë hapësirave ku mbahen intervistat, siç kemi rastin me shpërndarje të rasteve publike nga vet radhët e këshilltarëve të VV-së, me qëllim që ata të pranohen në punë.
Imponohet pyetja ku janë institucionet përkatëse, të cilat do të duhej të kujdeseshin për këto parregullsi. Për këto parregullsi komisioni ynë po mbledh fakte dhe të dhëna, ku nuk përjashtohet mundësia për t’i dorëzuar në prokurori, si tentim për ta shpëtuar arsimin në Prizren.

3. Për keqpërdorimet e subvencioneve të kësaj drejtorie

Kulminacioni i shkeljeve ligjore dhe i keqpërdorimeve që po bëhen në DKA, ne mendojmë se është veprimi i dhënies së bursave për studentë, ku në tërësi është vepruar në mënyrë të jashtëligjshme. Së pari subvencionet e DKA-së janë marrë nga zyra e Kryetarit të Komunës dhe studentët i kanë dorëzuar dokumentacionet për këtë bursë në zyrën e Kryetarit si dhe secili prej kandidatëve kanë shkuar në Shtëpinë e Bardhë. Kuptohet ky veprim antiligjor ka ndodhur që Lëvizja Vetëvendosje, të manipuloj me rininë e shëndoshë prizrenase, t’i joshë ata me bursa dhe më pas t’i përdorë si vegla politike.

Kjo mënyrë e vepruar nga Kryetari Haskuka, është e dëmshme për shoqërinë dhe qytetarët e Prizrenit. Komisioni për Arsim i PDK-së mendon se është vepër penale me të cilën duhet të merren organet e shtetit dhe ne nuk do të hezitojmë të ushtrojmë kallëzime penale.

Të nderuar qytetarë të Prizrenit, shumë të respektuar mësimdhënës të Prizrenit: Lëvizja Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore me premtime boshe i futi në lajthitje qytetarët, duke premtuar se:

-Do ta bëjë depolitizimin e arsimit, përkundrazi e politizoi skajshmërisht dhe po ia zë frymën arsimit për çdo ditë;
-VV premtoi se do të jenë transparente të gjitha konkurset dhe ato i centralizojë duke i sjellë në zyrë të kryetarit;
-VV premtoi shujtat për nxënës të shkollave fillore dhe nuk e bëri realitet;
-VV premtoi shujtat për mësimdhënës të shkollave dhe nuk e bëri realitet as këtë premtim;

-VV premtoi se në asnjë shkollë nuk do të ketë ushtrues të detyrës së drejtorit dhe sot më shumë ka ushtrues se drejtorë në shkollat e Prizrenit, madje duke ushtruar detyrën më shumë se dy vite;
-VV premtoi pagat jubilare të mësimdhënësve dhe as këtë nuk e bëri realitet.

Dhe për fund, Komisioni për Arsim i PDK-së është duke i përgatitur disa kallëzime penale për parregullsitë në arsim, për të cilat do të njoftohet opinioni publik me kohë. Andaj i ftojmë të gjithë arsimdashësit që të na bashkëngjiten dhe ta shpëtojmë arsimin në komunën e Prizrenit dhe ta shpëtojmë ardhmërinë e qytetit tonë historik”, përfundon reagimi./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Kalo në kategori