LAJMI I FUNDIT:

Evropa reagon ndaj rritjes së rasteve me COVID-19

Evropa reagon ndaj rritjes së rasteve me COVID-19

Italia, Franca dhe Sllovenia njoftojnë për shtimin e rasteve të infektimeve dhe marrin masa të reja përballë pandemisë.

Qeveria italiane miratoi një projekt-buxhet prej rreth 40 miliardë eurosh për masa të reja kundër coronavirusit dhe forcimin e ekonomisë së sëmurë.

Qeveria njoftoi se kabineti kishte miratuar si projektligjin e paraqitur nga ministri i Financave, Roberto Gualtieri për vitin buxhetor 2021 edhe buxhetin shumëvjeçar deri në vitin 2023.


Zgjaten kontratat e përkohshme të mjekëve

Planet parashikojnë “një rritje të konsiderueshme të buxhetit” për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe stabilitetin ekonomik të Italisë.

Rreth katër miliardë euro janë planifikuar për sistemin shëndetësor dhe do të përdoren edhe për zgjatjen e kontratave të përkohshme për 30,000 mjekë dhe infermierë.

Rreth gjashtë miliardë euro do të jepen për shkollat dhe universitetet, katër miliardë euro janë caktuar për ndihmë në sektorët e përfshirë nga kriza e ekonomisë.

Përveç kësaj, qeveria e qendrës së majtë të kryeministrit Giuseppe Conte dëshiron të shtojë fondin e veçantë për papunësinë.

Shuma të mëdha janë planifikuar për familjet.

Po ashtu një reformë tatimore dhe mbështetje për Jugun e varfër të vendit. Sipas raporteve shpenzimet do të financohen pjesërisht përmes borxhit dhe pjesërisht me ndihmën e Bashkimit Evropian.

Francë – shtetrrethim natën

Situata e pandemisë në Francë po vazhdon të përkeqësohet prej disa javësh.

Por për shkak rritjes së numrit të infektimeve të reja brenda 24 orësh me 32.427 raste ditën e shtunë, një vlerë maksimale kjo që nga fillimi i testimit në shkallë të gjerë në Francë, në vend janë vendosur masa shtetrrethimi për orët e natës.

Gjendja e shtetrrethimit është shpallur për Parisin dhe tetë qytete të tjera më të mëdha dhe nga ora 21:00 deri në 6 të mëngjesit njerëzit lejohen të dalin jashtë vetëm për probleme madhore.

Sllovenia heq dorë nga gjurmimi i vargut të infeksioneve

Për shkak të rritjes së shpejtë të numrit të infeksioneve me virusin korona, Ministria e Shëndetit e Sllovenisë e ka ndërprerë gjurmimin e kontakteve të njerëzve që kanë rezultuar pozitivë me coronavirus.

Sipas njoftimeve Drejtoritë e Shëndetit nuk janë më në gjendje të përballojnë numrin e madh të rasteve.

Sidoqoftë ata që pas testimit rezultojnë pozitivë do të vazhdojnë të informohen për infeksionin e tyre nga Drejtoritë e Shëndetit dhe të urdhërohen të hyjnë në karantinë dhe të informojnë personat që kanë qenë në kontakt.

Në Slloveni u bënë të njohura të dielën 726 infeksione të reja me virusin korona, kurse një ditë më parë ishin regjistruar 897 raste.

Numri i rasteve aktive në këtë vend me dy milionë banorë pothuajse është dyfishuar brenda një jave. /DW/