LAJMI I FUNDIT:

Qendra PEN: Pas daljes nga karantina, 65 për qind e punëtorëve kanë vazhduar të mbesin pa punë

Qendra PEN: Pas daljes nga karantina, 65 për qind e punëtorëve kanë vazhduar të mbesin pa punë
Foto: Ilustrim

Peer Education Networks (PEN) nga një hulumtim i bërë lidhur me shëndetin mendor gjatë pandemisë COVID-19, thekson se tranzicioni prej jetesës së lirë dhe pa kufizime në karantinim ka bërë që njerëzit të përjetojnë ndjenja të përziera, jo gjithmonë të mira.

Sipas PEN, 65 për qind e punëtorëve kanë vazhduar të mbesin pa punë edhe pas daljes nga karantina.

“Pas daljes nga karantina, hulumtimi tregon se vetëm 34.8 për qind janë punësuar apo kanë vazhduar punën e tyre të mëparshme, dhe pjesa tjetër prej 65.2 për qind fatkeqësisht kanë mbetur të papunësuar. Kjo është njëra prej dëmeve të dukshme ekonomike e sociale që ka ndodhur gjatë kësaj kohe”, thuhet në njoftimin e PEN-it, përcjell Telegrafi.


Po ashtu, në këtë hulumtim, vetëm 26.4 për qind e pjesëmarrësve kanë qenë të punësuar.

“Padyshim pandemia ka ndikuar edhe në situatën ekonomike dhe sociale te të gjithë. Statistikat tregojnë që gjatë kësaj kohe, vetëm 26.4 për qind pjesëmarrës kanë qenë të punësuar, ndërsa 73.6 për qind kanë qenë të papunësuar”, vijon njoftimi.

Në hulumtim kanë marrë pjesë 164 persona. Për nga mosha, 90.2 për qind e tyre kanë qenë të moshës 16-24 vjeç, 9.01 për qind të moshës 27-37 vjeç dhe 0.6 për qind të moshës 38-48 vjeç. /Telegrafi/