LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët shpenzojnë 385 milionë euro në vit në kafene, restorante e hotele

Shqiptarët shpenzojnë 385 milionë euro në vit në kafene, restorante e hotele
Klientët duke u shërbyer në hapësirat jashtë lokaleve | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Kur vjen puna për të thyer rekorde jemi të sigurt që asnjë shtet në botë nuk mund t’ia kalojë Shqipërisë për nga numri i bar-kafeve, të cilat i gjen në qendër të qyteteve, në çdo cep të lagjes, apo edhe anash rrugëve ndërmjet qyteteve.

Por, sa shpenzohet në një vit në bar-kafe, restorante e hotele?

Sipas Institutit të Statistikave, i cili publikon konsumin final të familjeve sipas grupeve kryesore për vitin 2018, viti i fundit kur janë në dispozicion të dhënat, shpenzimet totale për grupin e bar-kafe, restorante e hotele ishin rreth 385 milionë euro, duke shënuar një nivel rekord dhe duke u rritur më 11 për qind në raport me vitin e mëparshëm.


Ndonëse të varfër, shqiptarët nuk kursehen për kafe dhe vit pas viti, shpenzimet janë rritur, të nxitur dhe nga ardhjet e turistëve të huaj. Nga 2014-ta, rritja ka qenë e shpejtë.

Shpenzimet për bar-kafe, restorante e hotele përbëjnë 3.7 për qind të konsumit. Shqiptarët shpenzojnë për bar-kafe, restorante e hotele, më shumë sesa për arsimin, apo për pije e duhan.

Sipas të dhënave të tjera të INSTAT, numri i aktiviteteve që ofronin shërbim të pijeve arriti në 14,776 gjatë vitit 2018, duke u rritur me 4 për qind në raport me një vit më parë, pas një rënieje në vitin e mëparshëm.

Në raport me popullsinë, Shqipëria numëron 518 bare për çdo 100 mijë banorë, duke kapur rekord jo vetëm në Evropë, por edhe në botë. Ndërsa lë shumë pas vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, bazuar në të dhënat e Eurostat mbi numrin e aktiviteteve të shërbimit të pijeve dhe numrit të popullsisë, numri i bareve në Bashkimin Evropian në vitin 2017 nuk ishte më i lartë se 115 bare për çdo 100 mijë banorë.

Në vend të parë për sa i përket numrit të bareve në BE renditet Portugalia, e cila kishte 427 bare për çdo 100 mijë banorë.

Në top 5 vendet me numrin më të lartë pas Portugalisë, është Spanja me 392 bare për 100 mijë banorë, Greqia me 343, Kroacia me 240 dhe Italia me 211.

Nga ana tjetër, numrin më të ulët ndër vendet e BE-së dhe vendeve kandidate për t’u anëtarësuar e ka shënuar Serbia, ku sipas të dhënave të Eurostat në raport me popullsinë kishte vetëm 9 bar-kafe (aktivitete të shërbimit të pijeve) për 100 mijë banorë.

Kafenetë dhe restorantet përbëjnë 16 për qind të ndërmarrjeve në ekonomi, punësojnë rreth 50 mijë individë. Sektori është ndër më të rëndësishmit për punësimin, duke u krahasuar me industrinë e tekstileve e këpucëve, që ka gjithsej rreth 55 mijë të punësuar. 64 për qind e atyre që punojnë në bare e restorante janë meshkuj.

Ndërsa në vend numërohen rreth një mijë hotele, por informaliteti mbetet i lartë. /Monitor/