LAJMI I FUNDIT:

Nordstream 2, siguria energjetike dhe gjeopolitika e Gjermanisë – SHBA me interesa sigurie apo ekonomike?

Nordstream 2, siguria energjetike dhe gjeopolitika e Gjermanisë – SHBA me interesa sigurie apo ekonomike?

Nordstream 2 pritet të shtojë sigurinë e Gjermanisë për furnizimin me gaz. Por faza përfundimtare e ndërtimit po sjell kërcënime për sanksione nga SHBA e kundërshtime të forta në BE, shkruan Auron Dodi.

Së fundi janë tre senatorë të njohur amerikanë, midis tyre ish-kandidati republikan për president të SHBA (2016) nga Teksasi, Ted Cruz, që kërcënojnë me sanksione “asgjësuese” një port në veri të Gjermanisë. Në një letër javën e kaluar (05.08.) ata e kërcënojnë portin Sassnitz, në landin e Mecklenburg-Vorpomeranisë se do t’a shkëpusin nga “pikëpamja komerciale dhe financiare” nga SHBA.

Më tej ata shkruajnë se do të ndalojnë hyrjen e drejtuesve dhe aksionerëve të portit në SHBA e do t’u ngrijnë atyre pasurinë nën juridiksionin amerikan, po të mos u përmbahen ata sanksioneve që kanë vendosur SHBA ndaj firmave që po ndërtojnë Nordstream 2.


Është fjala për gazsjellësin prej 1.225 km të gjatë, që do të sjellë gaz nga Siberia dhe Shën Petersburgu drejtpërdrejt në Greifswald të Gjermanisë. Porti gjerman i Sassnitzit vihet aktualisht në shënjestrën amerikane pasi në të janë stacionuar dy anije ruse, për të ngarkuar tubat e depozituar atje. Aty ndodhen edhe rreth 140 punëtorë të tubacionit Nordstream 2.

Kërcënimet amerikane për sanksione nuk janë të reja. Në mes të korrikut, ministri i Jashtëm amerikan, Mike Pompeo deklaroi se gazsjellësi i Detit Baltik do të preket këtej e tutje nga një ligj, që lejon masa ndëshkimore kundër sipërmarrjeve që bëjnë biznese me Rusinë, Iranin apo me Korenë e Veriut. Ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump pyeti në twitter javët e fundit se kur Gjermania blen gaz nga Rusia, a ka kuptim që amerikanët ta mbrojnë Gjermaninë me trupat e tyre?

Gjermania ruan qetësinë

Përgjigjja nga Gjermania për letrën e senatorëve amerikanë ishte në linjën e reagimeve të mëparshme gjermane.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas deklaroi pas një takimi (11.08.) në Moskë me homologun rus Lavrov, se “asnjë shtet nuk ka të drejtë t’i diktojë Bashkimit Evropian politikën e vetë energjetike”.

Maas tha se i ka transmetuar Pompeo-s se “sanksionet midis partnerëve (janë) qartësisht rruga e gabuar”.

Ndërsa industrialistë gjermanë të Shoqatës Federale të Industrisë Gjermane (BDI) e kritikuan me këtë rast ashpër “ndikimin në rritje të SHBA në projektet e furnizimit me energji të Evropës” që “rëndon seriozisht marrëdhëniet transatlantike”.

Në janar të këtij viti (13.01.), kancelarja Angela Merkel tha gjatë një vizite në Moskë se ajo “nuk i konsideron të drejta sanksionet jashtëterritoriale”.

Nga radhët e socialdemokratëve është kërkuar trajtimi nga gjykatat i veprimeve amerikane.

Por kjo është e vështirë, pasi për momentin sanksionet amerikane “jashtëterritoriale” nuk janë vendosur, amerikanët vetëm kërcënojnë me to.

SHBA: interesa sigurie apo interesa ekonomike?

Amerikanët thonë se gazsjellësi është rrezik sigurie për Evropën. Presidenti Trump nënshkroi në dhjetor vjet një ligj, që e ndëshkon me sanksione çdo firmë që e ndihmon Gazpromin rus ta përfundojë gazsjellësin në BE.

Por shumë vëzhgues mendojnë se veprimet amerikane shpjegohen me një drojë të SHBA se ato do të shesin më pak gaz të lëngët në BE, kur të përfundojë gazsjellësi i ri nga Rusia.

Evropianolindorët: të shqetësuar dhe aktivë

Kritikët e këtij projekti të furnizimit të drejtpërdrejtë të Gjermanisë dhe Evropës me gaz nga Rusia janë të shumtë.

Më të vendosurit kundër Nordstream 2 janë Polonia, Shtetet Baltike dhe Ukraina. Ato kundërshtojnë faktin që si tubacion nënujor Nordstream 2 i anashkalon vendet tranzit të Lindjes. Ato druhen edhe se Rusia mund të sigurojë monopol për gazin në tregun evropian të energjisë, duke i marrë shtetet e varura nga furnizimi peng.

Për ta parandaluar këtë, fuqia kryesore ekonomike e ish-Bllokut lindor, veç protestave deri në Shtëpinë e Bardhë për Nordstream 2, ka ndërmarrë disa hapa.

Polonia synon të ndërtojë deri në fund të vitit 2022 një gazsjellës të ri, që do të lidhë Poloninë me fushat e gazit të Norvegjisë.

Njëkohësisht, autoriteti polak i mbikëqyrjes së karteleve, UIKOK, ka shpallur gjoba si kundër Gazpromit rus, ashtu edhe kundër koncernit francez Engie, që merr pjesë në Nordstream 2: 48 milionë Euro kundër Gazpromit dhe 38 milionë Euro kundër Engie-së.

Polonia u kishte kërkuar atyre dokumente për Nordstream 2 (që nuk ia dhanë), sepse sheh të prekura interesat e saj.

BE dhe burimi i skepticizmit ndaj Nordstream 2

Dyshimet dhe skepticizmi ndaj Nordstream 2 u forcuan në fund të vitit 2005, kur Rusia i bllokoi gazin Ukrainës, për shkak të llogarive të papaguara.

Në situatën e papritur për të, për të plotësuar nevojat e saj, Ukraina, përmes së cilës gazi rus kalonte për në BE, kufizoi sasinë e gazit për në BE.

Pasoja qenë ndërprerje të shkurtra të furnizimit të BE me gaz rus.

Që atëherë filluan të shtohen zërat për pavarësi më të madhe energjetike nga Rusia në Evropën Qendrore dhe sidomos Lindore.

Vetëm pak muaj më parë, në prill 2005, kur qe nënshkruar marrëveshja për tubacionin e parë Nordstream midis ish-kancelarit Gerhard Schröder dhe Presidentit Vladimir Putin, ky projekt vlerësohej i rëndësishëm në BE.

Në ceremoninë e nisjes së punimeve për gazsjellësin Nordstream 2 në nëntor 2011, i pranishëm qe edhe kryeministri i atëhershëm francez, François Fillon.

Por kjo nuk e pengoi Presidentin (e ri) të Francës, Emmanuel Macron që të ndryshonte papritur qëndrimin ndaj Nordstream 2 (dhe Gjermanisë në këtë çështje).

Në shkurt 2019, Macroni konstatoi që BE ishte angazhuar për përfitime të Gjermanisë në projektin e ndërtimit të Nordstream 2.

Përfituesja kryesore e gazsjellësit është Gjermania. Ndërhyrja e tij bëri që Komisioni Evropian të shtojë kushtet për gazsjellësin, duke e vështirësuar së tepërmi kompromisin.

E drejta e Gjermanisë për biznes dhe interesat politike

Për një kohë të gjatë, nga funksionarë të CDU-së në pushtet u deklarua se Nordstream 2 është një projekt “thjesht i sektorit privat” të ekonomisë. 30% e projektit financohet nga aksionerë dhe 70 për qind nga bankat.

Ndërtimin e tij e mbështesin koncerne gazi si Gazpromi rus, Uniper dhe Wintershall me qendër në Gjermani, Gasunie nga Holanda dhe Engie nga Franca.

Që kemi një projekt “thjesht ekonomik” këtë e theksoi edhe Presidenti rus, Vladimir Putin në vizitën në Gjermani në gusht 2018.

Por rezultoi që ky projekt furnizimi me gaz rus prek interesa politike.

Nga njëra anë, ish-Presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert, i ftuar në një forum në maj 2019 tha se vendimi për ndërtimin e Nordstream 2 qe marrë sipas parimit “Germany first”, Gjermania e para.

Në të njëjtën frymë, historiani i njohur gjerman, Heinrich August Winkler kërkoi para pak muajsh në një intervistë për 75 vjetorin e Luftës së Dytë Botërore që të tregohet përmbajtje nga marrëveshje me Rusinë mbi kokat e të tjerëve.

Ai tha se kjo zgjon në Lindje të Evropës kujtime të aleancës së Gjermanisë naziste me Bashkimin Sovjetik, në Luftën e Dytë Botërore.

Nga ana tjetër, një ekonomi e madhe dhe e fuqishme si Gjermania duhet të ketë të drejtë të blejë gaz atje ku dëshiron.

Pas braktisjes së energjisë bërthamore dhe largimit të vendosur nga qymyri si burim energjetik në Gjermani, siguria e furnizimit me gaz merr rëndësi të re.

Me përfundimin e Nordstream 2, Gjermania do të plotësojë 23 për qind të nevojave të saj me gaz nga Rusia. Kjo është kuotë më e lartë nga aktualja (rreth 9,6 për qind), por ende larg një varësie për gaz nga Rusia.

Me marrëveshjen për gazsjellësin Nordstream 2 Gjermania siguron qasje të drejtpërdrejtë në rezervat ruse të gazit. Kjo është një përparësi strategjike. Ajo i jep Gjermanisë siguri më të madhe për furnizimin me gaz, pasi tensione eventuale politike mes Rusisë e shteteve tranzit për gazin nuk do ta preknin më furnizimin e Gjermanisë.

Një projekt para përfundimit

Në të njëjtën kohë, kancelarja Merkel është angazhuar që Ukraina të mos përjashtohet si vend tranzit për gazin rus që vjen në Evropë.

Gjatë vizitës së Putinit në Berlin, në gusht 2018, kancelarja tha se për përfshirjen e Ukrainës kanë nisur bisedime midis BE, Rusisë dhe Ukrainës.

Kërcënimi i amerikanëve me sanksione gjithsesi e ka ngadalësuar ndërtimin, pasi nga projekti janë tërhequr firma. Por 94% e gazsjellësit tashmë ka përfunduar. Kanë mbetur 160 km në territorin gjerman.

Në janar të këtij viti, Presidenti rus Valdimir Putin tha se punimet për Nordstream 2 do të përfundojnë “në fund të këtij viti ose tremujorin e parë të vitit të ardhshëm”. /DW/

Në trend Ekonomi

Më shumë
“Urdhëro Hykmete, skena për ty” -  vazhdon përplasja e Muratit dhe Bajramit për kontratat njëburimore

“Urdhëro Hykmete, skena për ty” - vazhdon përplasja e Muratit dhe Bajramit për kontratat njëburimore

Ekonomi
Murati reagon ndaj kritikave të opozitës për tenderët, thotë se Prokuroria Speciale po lufton Kurtin dhe jo korrupsionin

Murati reagon ndaj kritikave të opozitës për tenderët, thotë se Prokuroria Speciale po lufton Kurtin dhe jo korrupsionin

Ekonomi
Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Ekonomi
Bajrami publikon të dhëna për kontratat njëburimore: Hekuran, ku janë shpifjet?

Bajrami publikon të dhëna për kontratat njëburimore: Hekuran, ku janë shpifjet?

Ekonomi
Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Ekonomi
Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Ekonomi
Kalo në kategori