LAJMI I FUNDIT:

Indiferentizmi i gjermanëve për vendimin e Trumpit

Indiferentizmi i gjermanëve për vendimin e Trumpit

Trumpi nuk i pyeti gjermanët për tërheqjen e trupave, atyre u mbetet vetëm ta regjistrojnë vendimin e tij. Por vetëbesimi i Gjermanisë së ribashkuar nuk duhet nënvlerësuar, shkruan Auron Dodi.

Presidentit amerikan Donald Trump nuk ia kthyen dot mendjen as Republikanët e partisë së tij. As Kongresi. Dhe as letrat që u shkruan amerikanëve kryeministrat e landeve të Baden-Vyrttembergut, Rheinland-Pfalzit, Hessenit dhe Bavarisë, ku janë stacionuar më shumë trupa amerikane. Të mërkurën e kaluar (28.07.), ministri amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper deklaroi në Uashington se do të nisë “për punë javësh” tërheqja e trupave amerikane nga Gjermania.

Por nëse administrata amerikane kishte llogaritur që tërheqja nga shteti „më i amerikanizuar” evropianoperëndimor, nga Gjermania, do të pritej këtu me keqardhje maksimale, kjo deri tani nuk gjen mbështetje.


Siç dihet, qeveria federale gjermane deklaroi zyrtarisht vetëm se e regjistron vendimin amerikan për tërheqje. Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes e Gjermanisë deklaruan, se “qeveria federale e merr në konsideratë këtë vendim dhe do ta koordinojë zbatimin me landet federale, me qeverinë e SHBA dhe me NATO-n”.

Tërheqja amerikane, temë elektorale në Gjermani?

Ndërsa reagimi i opinionit gjerman është thuajse indiferent. Në një sondazh të institutit të njohur demoskopik britanik Yougov rezulton se 47 përqind e gjermanëve e mbështesin tërheqjen e pjesshme të trupave amerikane nga Gjermania. Pra që amerikanët të tërhiqen pjesërisht nga Gjermania, këtë e mbështet një shumicë relative e gjermanëve, tërheq vëmendjen gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Nga partitë politike në mënyrë konfrontuese e pritën lajmin elementë apo parti të majta. Kryetari i grupit parlamentar socialdemokrat në Bundestag, Rolf Mützenich kërkoi, si përgjigje, që të rishqyrtohen planet për blerje armatimesh (te amerikanët). Kurse partia E Majta kërkoi tërheqje të plotë të amerikanëve nga Gjermania.

Kjo i çon vëzhguesit në përfundimin se qëndrimi ndaj pranisë amerikane në Gjermani, mund të kthehet në një temë polarizuese mes të majtëve dhe konservatorëve, në zgjedhjet parlamentare në vjeshtë 2021 në Gjermani.

Ky reagim ka të bëjë vetëm pjesërisht me veprimet e Trumpit. Është e vërtetë, me ardhjen e Trumpit, SHBA janë bërë për gjermanët pak të parashikueshme në veprime. Por në fakt, në Gjermani ka pasur gjithmonë dy kampe për qëndrimin ndaj SHBA.

Dy vështrimet për SHBA në opinionin gjerman

Një pjesë e madhe e gjermanëve i kanë parë (dhe i shohin) amerikanët përherë si çlirues dhe mbrojtës të sigurisë gjermane. Por brezi i Luftës së Dytë Botërore, me kujtimet e para për këtë, po shuhet. Dhe tërheqja graduale, e trupave amerikane nga Gjermania në dekadat e fundit – nga 250.000 ushtarë amerikanë në vitin 1985 në 34.500 sot – i ka zbehur lidhjet e ushtarëve amerikanë me rajonet gjermane, ku ata qenë më parë pjesë e jetës në lande, ku organizonin p.sh. aktivitete sportive, parada etj.

Ndërsa një pjesë tjetër e gjermanëve i ka parë amerikanët gjithmonë si fuqi hegjemoniste, militariste, jo në dobi të paqes në botë.

Njëkohësisht, vendimi i Trumpit erdhi papritur për gjermanët, të paktën për përmasat e tërheqjes. Pritej që amerikanët të tërhiqnin një pjesë të 34.500 ushtarëve, që kanë të stacionuar këtu. Por lajmi i parë ishte për tërheqjen e një numri më të vogël trupash. Në medie u fol për 9.500 ushtarë, jo për 11.900, sa pritet të tërhiqen tani. Deri javën e kaluar nuk qe deklaruar as se do të largohen nga Shtutgarti, për në Mons të Belgjikës, Komandat Qendrore të SHBA për Evropën dhe Afrikën.

Pse vendosi Trumpi të tërheqë trupa nga Gjermania?

Fakt është që Gjermania nuk është më në vijën e frontit, si në Luftën e Ftohtë. Këtë ua tha edhe ministri i Jashtëm amerikan Mike Pompeo kongresistëve amerikanë, kur ata e kritikuan tërheqjen.

Megjithatë kjo nuk duket arsye bindëse për këtë tërheqje.  Aq më tepër kur amerikanët kanë investuar edhe së fundi qindra miliona dollarë në kazermat e tyre në Gjermani.

Shumë vëzhgues besojnë se fillesën vendimi e ka në pakënaqësinë tipike, që Trumpi ka me Gjermaninë. Ndoshta edhe te një mungesë kuptimi e tij me kancelaren Merkel. Dhe në faktin se më pak se 100 ditë nga zgjedhjet presidenciale në SHBA, ai dëshiron të kthejë ushtarë në atdhe,  siç kishte premtuar në fushatën elektorale. 5.600 ushtarë amerikanë nga Gjermania do të kthehen në SHBA.

Nga Amerika u ofruan dy argumentime për vendimin. Presidenti Trump deklaroi se “ne shkurtojmë, pasi ajo (Gjermania) nuk i paguan faturat e saj. Është shumë e thjeshtë: janë keqbërës”. Trumpi është i pakënaqur që Gjermania nuk shpenzon 2 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen. Por: një pjesë të trupave nga Gjermania ai po i transferon në Itali dhe Belgjikë, vende që investojnë edhe më pak se Gjermania për mbrojtjen.

Pse nuk investon Gjermania 2 përqind të PBB për mbrojtjen?

Faktikisht prania amerikane i ka mundësuar Gjermanisë që të zhvillohet si fuqi paqësore dhe jo militariste, në përputhje me mësimet e historisë, pas Luftës së Dytë Botërore. Mbrojtja e trupave amerikane ka qenë një ombrellë ideale për këtë. Nën këtë ombrellë u ngjiz në ADN-në gjermane pas Luftës së Dytë Botërore një mendësi pacifiste, e pranishme edhe sot: luftën e bëjnë shtete të tjera, për sigurinë Gjermania kontribuon me trupa paqeruajtëse dhe me fonde për rindërtimin.

Ndërkohë, me ribashkimin e Gjermanisë në vitin 1989, ky pozicionim i Gjermanisë ka qenë gjithnjë e më shumë i pamjaftueshëm për aleatët.

Së fundi Gjermania i ka rritur dukshëm shpenzimet për mbrojtjen. Gjermania shpenzon për mbrojtjen 1,38 përqind të PBB ose mbi 49,3 miliardë dollarë. Por investimet bëhen graduale dhe kuota e dy përqindshit si shtet i NATO-s nuk do të arrihet para vitit 2031.

Nga ana tjetër, ministri amerikan i Mbrojtjes Esper e paraqiti tërheqjen e pjesshme nga Gjermania si rezultat të reflektimeve strategjike. Shefi i Pentagonit e prezantoi tërheqjen si një përpjekje për të modernizuar konceptin për stacionimin e ushtrisë, pas dy dekada luftërash. Ai tha se për këtë është reflektuar gjatë. Me këtë riorganizim, sipas Esperit, forcohet edhe kërcënimi ndaj Rusisë. Pasi nga Italia trupat shkojnë më lehtë në Detin e Zi. 1000 ushtarë amerikanë do të transferohen edhe në Poloni, sipas një marrëveshjeje që u arrit këto ditë, për të qenë më pranë kufirit me Rusinë.

Gjermania mbetet e rëndësishme për SHBA

Rreth 24.000 ushtarë amerikanë do të mbeten në Gjermani. Dhe infrastrukturën e tyre këtu amerikanët nuk do ta prekin. Jo vetëm sepse edhe transferimi i vendosur tashmë do të kërkojë „disa miliarda dollarë”. Por qarqe në SHBA kujdesen të mos e humbasin si aleate Gjermaninë e ribashkuar.

Dhe sipas parimit që çdo gjë që ndodh ka dy anë, disa analistë e shohin tërheqjen e pjesshme amerikane nga Gjermania si shans zhvillimi për Gjermaninë: për një rol të ri të Gjermanisë në botë, edhe në fushën e sigurisë.

Njëkohësisht, argumenti i Trumpit se Gjermania po ndëshkohet, sepse nuk paguan sa duhet për mbrojtjen, tërheq vëmendjen. Kjo pasi Italia dhe Belgjika investojnë për mbrojtjen shumë më pak se Gjermania. A kemi këtu një veprim inati të presidentit amerikan ndaj Gjermanisë? Me keqardhje, kryetari i bashkisë së Shtutgartit Fritz Kuhn, tha se “për shkak të një teke” Trumpi „u jep fund dekadave të bashkëpunimit” me një aleat.

Por ka pak gjasa që ky të jetë fundi i bashkëpunimit. „Asgjë nuk hahet kaq e nxehtë sa gatuhet”, thonë në Gjermani. Të presim si do të zbatohet vendimi nga administrata Trump.  Përndryshe: ekipi i kandidatit presidencial demokrat Joe Biden ka deklaruar se po i fitoi Bideni zgjedhjet, ai do ta rishikojë vendimin. /DW/

Në trend Botë

Më shumë
Kanada ia dorëzoi forcave ukrainase sistemin ushtarak NASAMS

Kanada ia dorëzoi forcave ukrainase sistemin ushtarak NASAMS

Evropa
Shefi i NATO-s takohet me Trumpin - shumë pak dihet se çka diskutuan

Shefi i NATO-s takohet me Trumpin - shumë pak dihet se çka diskutuan

Evropa
Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Evropa
Zëvendëspresidentja e Filipineve: Kam porositur vrasjen e presidentit nëse më vrasin mua

Zëvendëspresidentja e Filipineve: Kam porositur vrasjen e presidentit nëse më vrasin mua

Azia
Grenell mund të jetë i dërguari special i Trumpit për luftën në Ukrainë

Grenell mund të jetë i dërguari special i Trumpit për luftën në Ukrainë

Evropa
Ndryshimet klimatike dhe ndotja do të vrasin 30 milionë njerëz në vit deri në fund të shekullit

Ndryshimet klimatike dhe ndotja do të vrasin 30 milionë njerëz në vit deri në fund të shekullit

Botë
Kalo në kategori