Nga: Fatmira Nikolli
Vloçisht, 1948. Tri baraka të mbuluara me mushama, vende-vende të shpuara strehojnë nga 1300 deri në 1600 të burgosur. Brenda tyre vjen erë e rëndë. Krevatet kanë vetëm nga tri dërrasa. Është korrik kur një djalosh 28-vjeçar u bashkohet aty të dënuarve që kanë tre muaj në kamp. Quhet Arshi Pipa dhe nuk njeh asnjë. Prej mundimeve e urisë, portretet e tyre i kanë humbur tiparet. Të dënuarit, nuk kanë mundësi të lahen a të pastrohen, ka për të gjithë vetëm një pus, ndërsa ujë të pijshëm, fare pak. Janë bashkë të dënuarit politikë e ata për krime ordinere. Këta të fundit mbahen më mirë se intelektualët, sepse cilësohen proletarë. Ka shumë raste vjedhjesh dhe dënohen ata që ankohen, më shumë se sa ata që vjedhin. Ushqimi në kamp është i pakët, të burgosurit punojnë larg, dhe kur shohin ara me misër vrapojnë të marrin ndonjë kalli e ta hanë edhe pse rojet i godasin me shkelma kokës. Nuk kanë këpucë e çizme, shpesh ecin zbathur, shkojnë larg për të hapur kanale, ndaj këmbët u enjten dhe shpesh, vdesin shpejt.
Arshi Pipa i mban këto shënime fshehurazi, në letra cigareje. Jeta e tij është thyer në mes dhe ai e dokumenton atë. Kishte qenë profesor, filozof, kritik, poet, por kohët e lirisë dhe vetë fëmijëria tashmë janë të largëta.
Kishte lindur në një familje të mirë. I ati, Mustafai nga Libohova ishte gjyqtar i shkolluar në Stamboll; ishte njohur e martuar me Hatixhenë dhe qenë vendosur në qytetin e saj në Shkodër. Kishin dy djem e katër vajza. Arshiun e patën dërguar të merrte mësimet e para në Kolegjin e Jezuitëve, ku përvetësoi herët greqishten e vjetër e latinishten, gjuhët që e shoqëruan gjithë jetën, siç na dëshmojnë sot përkthimet e lëna në dorëshkrim. Shumë i lidhur me familjen e tij të madhe, nga të gjithë veçonte të vëllanë, Muzaferin, e ndërsa ai kishte nisur studimet për jurisprudencë në Padova të Italisë, Arshiu më 1938 shkoi në Firence për Letërsi e Filozofi. I rregullt në shkollë e i dhënë pas mësimeve, rioshi e shfrytëzonte edhe kohën e lirë për të lexuar. “Nuk kemi ardhë këtu për ahengje e dafrungë, por për më studjue. Dhe më parë se gjithshka asht detyra. E detyra jonë asht studimi e mbarimi i universitetit!”, u thoshte ai miqve kur e ftonin të dilte.
Arshi Pipa ishte në vitin e dytë të studimeve, kur nisi lufta dhe Shqipëria u pushtua. Më 1941 kur kthehej, vendi kontrollohej nga fashistët dhe grupet e rezistencës qenë ngritur. I vëllai ishte arrestuar, sepse pat kundërshtuar pushtimin dhe ishte internuar në ishullin famëkeq Ventotene më 1940 si shumë shqiptarë të tjerë. Në këto kohë të vështira për familjen, ai zgjedh të rrijë me të, i tërhequr nga lufta dhe të ndërtojë profilin e tij intelektual. Punon një vit mësues në Gjimnazin e Tiranës, përgatit tezën e diplomës për filozofin frëng, Henri Bergson, punon në gjimnazin e Shkodrës dhe më pas vendoset me gjithë familjen në Tiranë.
Në kryeqytet, më 1944 Pipa themelon revistën “Kritika” që doli katër numra me synim nxitjen e kritikës letrare në Shqipëri, pasi është konsultuar me dijetarin Aleks Buda siç del nga një letër e 23 marsit që ruhet në arkivin e familjes Buda. “Gjithsesi nuk besoj t’ia kem dalë plotësisht”, i shkruan profesorit, “por mendoj se në numrin i dytë do të jetë më i pasur dhe i ndryshëm”.
Internimi i vëllait ishte vetëm një arsye pse Pipa nuk u angazhua në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, kundërshtimi i modelit totalitar dhe filozofisë marksiste ishte arsyeja tjetër. “Jam rritur në një familje që mund të konsiderohet demokratike, me urrejtje për diktaturën e çfardo tipi qoftë ajo”, do të shprehej ai në një intervistë të pas 1990-ës ku tregonte se i kishte lexuar Marksin, Leninin, Gramshin, Stalinin dhe se e njihte ideologjinë e tyre. Djaloshi i diplomuar në filozofi, i dhënë pas Spinozës e Kantit, i cilësonte të papërfillshëm ideologët marksistë. Madje, për Stalinin mendonte se qe pa ndonjë farë niveli, ndaj imponimi i stalinizmit në Shqipëri e mbante larg nga lufta e udhëheqësit e saj. E ndonëse i ishte propozuar të bëhej pjesë e lëvizjes nacionalçlirimtare, nuk pranoi.
Në mbarim të luftës, Arshi Pipa ishte profesor e pjesë e Institutit të Studimeve, kur Partia Komuniste bëhet vendimmarrëse dhe nis goditjen e kundërshtarëve. Çështja e parë e bujshme ishte i famshmi “Gjyq i Deputetëve” ku u dënuan politikanë elite që kërkonin vendosjen e një sistemi demokratik qeverisjeje. Avokat i tyre ishte caktuar Muzafer Pipa, që për shkak të padrejtësive që po bëheshin në gjyq, pati përplasje me gjykatësin. Vëllai i Arshiut më tej mbrojti në gjyq edhe klerikët katolikë, çka shënoi fundin e tij.
Është viti 1946 dhe vetë Arshi Pipa është vënë në survejim, ai nuk e di dhe e kundërshton regjimin në disa mënyra. Një ligjëratë për Migjenin, poetin e mjerimit, një koment mbi poezinë e Faustit “Kënga e Plebishtit”, janë cilësuar si akte rebelimi dhe ai ulet në detyrë e dërgohet në Durrës si mësues, ku çdo lëvizje e Arshiut i raportohet Sigurimit të Shtetit nga një student i tij, i cili madje e provokon duke e pyetur për Majakovskin dhe për Stalinin, për të cilët Arshiu flet pa vlerësim.
Kulmi shënohet në një mbrëmje letrare, ku një prej recituesve flet për ndërtimin e një fabrike. “Do e ndërtojmë me slogane”, thotë me ironi një djalë në të djathtë të tij, Arshiu qesh në shenjë aprovimi dhe teksa një poezi patetike interpretohej, zhvillohet një dialog parodizues buzëqeshjesh dhe ironish. Në fund ata përshëndeten, djaloshi ikën dhe vetëm më pas, Arshiu mëson se e kish përqeshur sistemin me Nako Spiron, një prej drejtuesve komunistë. “Rebelimi” i tij dhe qëndrimi i të vëllait në gjyqin kundër deputetëve bëjnë që Arshiu të arrestohet në prill të 1946-ës.
E akuzojnë për veprimtari kundër pushtetit me grupe tradhtare dhe në nëntor e dënojnë me dy vjet burg në Durrës. Sipas një studimi të Andi Pinarit e Indrit Qehajaj, mbi të cilin bazohet ky artikull, dënimi ishte arbitrar, çka pranohet më vonë edhe nga hetuesit. Por, ndërsa ai vuante dënimin, hetimi për të vijon dhe një dokument i 5 dhjetorit 1947 e cilëson dënimin e parë minimal, me argumentin se autoritetet nuk kanë pasur prova të mjaftueshme. Me pretendimin se ende nuk ishte zbuluar thellësisht organizata tradhtare-sabotore e deputetëve ku ai bënte pjesë, duke i shtuar akuzës edhe vëlla Muzaferin si tradhtar dhe armik i popullit, bëhet një proces i dytë gjyqësor.
Ka një lum akuzash për të: pjesë e organizatës socialdemokrate, i lidhur me klerikët dhe partitë tradhtare të Ballit Kombëtar dhe Lëvizjes së Legalitetit, kundërshtar i reformave e sabotator në sektorin e librit shkollor, propagandues i një ndërhyrje të armatosur nga anglo-amerikanët që do rrëzonin pushtetin, drejtues revistash fashiste. Akuzohet që bënte mbledhje të rregullta në Liceun e Tiranës, se i mblidhte studentët në shtëpinë e tij për t’u bërë propagandë kundër pushtetit, që u thoshte se pushteti ishte shtypës e terrorist, se reformat po shkatërrojnë vendin dhe po varfërojnë popullin e se në drejtim janë vendosur njerëz të paftë.
Pipa nuk i pranon akuzat. Mohon të ketë pasur dijeni për një organizatë kundra pushtetit e përgënjeshtron deklarimet e dëshmitarëve. “Pakënaqësitë e mia ndaj pushtetit popullor unë i kam shprehur dhe janë të njohura”, shprehet Arshiu dhe kërkon ballafaqim, pasi ndonjë prej dëshmitarëve as e njeh fare, e me disa të tjerë ka folur vetëm për çështje letrare e jo politike. Thotë se studentëve u ka dhënë mësim privat dhe mbase nuk i kanë kuptuar fjalët e tij.
Për Arshi Pipën kërkohej dënim maksimal, por ai nuk i pranon krimet për të cilat akuzohet. Hetuesi e kërcënon se do të përfundojë si i vëllai nëse nuk dëshmon çfarë i kërkohet. Arshiu e merr vesh në këtë mënyrë vdekjen e Muzaferit tre muaj më pas. Ishte arrestuar dhe kishte humbur jetën në tortura. Për të mbuluar krimin, e kishin hedhur nga dritaret e ndërtesës ku zhvilloheshin hetimet në Shkodër dhe vdekjen e kishin mbuluar si tentativë arratisjeje. Të motrat nuk kishin mundur t’ia thoshin, sepse e dinin sa e donte Arshiu të vëllanë dhe ishin të vetëdijshme për shëndetin e dobët të tij.
Më 20 dhjetor 1947 Arshi Pipa ridënohet nga Gjykata me 20 vite burg. Shkruan një elegji për të vëllanë, ku e pranon vdekjen e tij dhe betohet të gjejë forcë. Në Vloçisht, kushtet e këqija të burgut i vuan më shumë për shkak të inflacionit në mushkëri. Sheh se fshatarët e dënuar shihen me më pak përçmim se intelektualë si ai. Ndaj shpesh, intelektualët vishen si fshatarë për t’i shpëtuar dhunës. Kampi i Vloçishtit i duket një kamp shfarosjeje!
Përfiton nga një amnisti e Enver Hoxhës më 1949 dhe i ulen 10 vite burg. Pas një viti në kamp, sëmundja i rëndohet dhe shtrohet në spitalin e burgut në Durrës (1950). E dërgojnë në burgun e Gjirokastrës (1952), më pas në burgun e Tiranës. Sëmuret sërish. Shtrohet sërish në spitalin e burgut. Kohë më vonë e çojnë në burgun e Burrelit, ndër më të tmerrshmit e kohës. Aty ka vetëm një pus, por të burgosurit nuk kanë me se ta marrin ujin, nuk u jepet enë, as kovë, as litar. Përdorin ç’të munden për ta nxjerrë, por është i ndotur. Shpesh herë del me krimba. Të burgosurit sëmuren, qindra prej tyre gjejnë vdekjen. Shtrirë në një dyshek të shtruar në çimento, në një fletore ku shihej portreti i Stalinit, shkruan një vepër filozofike. “A do të kisha imagjinuar ndonjëherë që njeriu, kjo qenie që Zoti e krijoi sipas shëmbëlltyrës së vet, mund të jetë kaq afër kafshës? Tashti po e kuptoja se ç’domethënie kishin ato hyjni pagane, gjysmë njeri e gjysmë kafshë, si centaurët e sirenat! Në burg kam njohur gjithë poshtërsinë e njeriut, gjithçka që është trashëgim shtazor tek ai, nga egoizmi i egër që arrin të urojë vdekjen e shokut për t’i vjedhur bukën, te frika e marrë shtazore që errëson jo vetëm arsyen, por deri edhe ndjenjat”. E shkruan në gjuhën italiane “Skicën e një konceptimi mbi jetën plotësuar me mbigjeniun” prej ku janë shkëputur fjalitë, sepse gardianët nuk do e kuptonin gjuhën, nëse arrinin t’ia gjenin.
I dobët dhe i sëmurë, arrin të dalë i gjallë prej aty në prill të 1956-ës. Ka ruajtur shënimet e 10 viteve të veta në burgje në letra cigaresh. I ka nxjerrë nga burgu të fshehura në rrobat e palara. Ndërsa veprën e filozofike e nxjerr të fshehur në një dyshek të vjetër që rojave nuk u shkon në mendje ta kontrollojnë.
Rreket të shijojë lirinë me të ëmën e motrat. Mendon se vuajtjet mbaruan, por e kupton që nuk është krejt e vërtetë. Si ish-i burgosur ka vështirësi të gjejë punë. Të tjerëve u jepeshin punë fizike, por ai është i dobët e i pafuqi. Pas shumë mundimesh e caktojnë mësues në një shkollë shtatëvjeçare në Shkodër, por kjo nuk e kënaqte. Kërkon ta lërë punën me pretekstin se është i sëmurë. Sistemi veçse bëhet më i fortë dhe ai vendos të arratiset, bashkë me një nga motrat. Në një libër të studiuesit Uran Kalakula, kushtuar Pipës, shënohet se ai dhe motër Fehimeja, u ndihmuan nga një fshatar që kishte shtëpinë pranë kufirit. Arshiu e kaloi lumin e Bunës me not e matanë bregut e priti motra. Shkojnë në Muriqan, arrijnë të kalojnë kufirin shqiptar dhe paraqiten pranë postës jugosllave, ku qëndrojnë disa kohë në hetuesi në Tivar. Kanë fat dhe jugosllavët nuk i kthejnë mbrapsht. Lirohen dhe i drejtohen Sarajevës ku ndodhet i fejuari i Fehimes me familjen e tij. Para se të ikin, kanë marrë me vete kujtimet: letrat e cigareve me shënime e motra i kish qepur nëpër rrobat e saj. Gjatë muajve shtator-nëntor 1957 kur janë në Sarajevë i kanë renditur fletët. Arshi Pipa ëndërron Perëndimin, ndaj ikën së pari në Romë dhe më pas në Amerikë. Atje, pasi mëson gjuhën angleze, nis të ngjisë shkallët e karrierës në universitet. Si fillim jep lëndën e filozofisë dhe filozofinë e fesë e krishterë. Në një dokumentar të Televizionit Publik Shqiptar në vitet 1990, Arshiu shprehet se njohuritë e tij për sa i përket fesë ishin të pakta, vetëm disa gjëra që mbante mend nga Kolegji i Jezuitëve. Arshiu u bë një pedagog mysliman që jepte filozofi të krishterë.
Letrat e cigareve i përgatit dhe i bën libër që botohet në Romë në vitin 1959. E quan “Libri i Burgut” dhe tregon në të vuajtjet dhe torturat. Mundi të rikthehet në atdhe 30 vite më vonë. E, megjithatë, vetëm pas vdekjes së tij, motra tjetër, Nedreti, përkthen nga italishtja dhe boton veprën e tij filozofike, për të njohur më mirë të vëllanë me të cilin jetoi aq pak, sepse ai u arratis e ajo e shkoi jetën në internime. Ai ia doli të bëhej i fortë dhe ia doli të mbetej njeri. Nëse do të pyetej se çfarë i bëri komunizmi Arshi Pipës, përgjigjen do ta gjenim te vepra e tij filozofike të cilën e shkroi në burg. “Kanë prangosur trupin tim, por nuk kanë mundur të prangosin mendimin tim. Dhe – gjë vërtet e mrekullueshme – kur trupin tim e kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë… Më kanë mbyllur në këtë burg që të vuaj. Unë nuk u mbaj mëri atyre që më kanë bërë të vuaj, madje i falënderoj, dhe sinqerisht. Ka të drejtë të mallkojë vuajtjen ai që shtypet nga ajo. Por, ai që e mund, do të duhej ta bekonte. Ndërsa njëra degjeneron në vuajtje, tjetra ripërtërihet. Poshtë ajo të çon te krimbi, lart te hyjnia…” /GSh/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A