LAJMI I FUNDIT:

Osmani: E kemi detyrim kushtetues ta nxjerrim Ligjin anti COVID-19

Osmani: E kemi detyrim kushtetues ta nxjerrim Ligjin anti COVID-19

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka detyruar Kuvendin që ta nxjerr ligjin kundër pandemisë.

Osmani ka deklaruar se ligji kundër pandemisë nuk është çështje dëshire, transmeton Telegrafi.

“Nuk është çështje dëshire. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese e kanë peshën e Kushtetutës. E kemi detyrim që ta nxjerrim këtë ligj. Nuk është që na u ka tek, është i domosdoshëm, nga aspekti kushtetues por edhe human. Obligimin tonë karshi kësaj na e ka dhënë Gjykata Kushtetuese, duhet ta marrim me seriozitet”.


Osmani ka thënë se projektligjin e kanë hartuar ekspert më të mirë që ka vendin.

“E kemi obligim që ta nxjerrim ligjin, është në procedura të Kuvendit sepse opinioni i Qeverisë nuk është obligues për ne. Ideja ka qenë që të mos presim edhe dy muaj por ta trajtojmë më shpejt sepse nuk ka asgjë më urgjente sesa krijimi i bazës ligjore për masa efektive që kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve. Kjo iniciativë nuk u përkrah sepse iniciues ishte propozuesi. Sikur të veproja me logjikën e inateve nuk do ta votoja fare rishikimin e buxhetit, as marrëveshjet ndërkombëtare sepse do të më mjaftonte adresa e propozuesit”, u shpreh ajo. /Telegrafi/