LAJMI I FUNDIT:

Thaçi: Me SHBA-të do t’i përmbyllim proceset e rëndësishme për Kosovën

Thaçi: Me SHBA-të do t’i përmbyllim proceset e rëndësishme për Kosovën

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në 76 vjetorin e zbarkimit të aleatëve në brigjet e Normandisë, ka thënë se populli i Kosovës ndjehet krenar që iu takon vlerave të përbashkëta qytetëruese, liridashëse dhe paqedashëse me SHBA-në dhe popullin amerikan.

Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se së bashku me SHBA-të Kosova ka përfunduar projektet kapitale historike për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe do t’i përmbyllë edhe proceset tjera të rëndësishme që janë para saj.

“Ndjehemi krenar që si popull i takojmë vlerave të përbashkëta qytetëruese, liridashëse dhe paqedashëse me SHBA-në dhe popullin amerikan.  Së bashku me SHBA-në kemi përfunduar projektet kapitale historike për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe do t’i përmbyllim edhe proceset tjera të rëndësishme që janë para nesh”, ka thënë Thaçi.


Postimi i plotë i Thaçit:

“Në 76 vjetorin e zbarkimit të aleatëve në brigjet e Normandisë, sot përkujtojmë me nderim burrat dhe gratë e kombeve të lira të prira nga SHBA-ja, që sakrifikuan jetën e tyre për lirinë dhe të ardhmen demokratike të popujve dhe kombeve të Evropës.

6 qershori i vitit 1944, si datë themeltare për çlirimin e Evropës nga nazifashizmi, është dëshmi historike se vlera sublime e sakrificës për liri tejkalon çdo regjim dhe ideologji sunduese mbi të. Është dëshmi historike e rolit dhe përkushtimit amerikan për rrezatimin e lirisë dhe demokracisë përballë çdo autokracie e diktature, përkushtim që e kemi parë edhe ne në Kosovë më 24 mars 1999.

Po në këtë muaj, ne kujtojmë sakrificën dhe ditët e lavdishme të luftës për liri, që në qershor të 1999-ës kulmuan me zbarkimin e trupave të NATO-s të udhëhequra nga SHBA-ja, për t’i dhënë fund pushtimit dhe gjenocidit serb mbi Kosovën dhe popullin tonë.

Ndjehemi krenar që si popull i takojmë vlerave të përbashkëta qytetëruese, liridashëse dhe paqedashëse me SHBA-në dhe popullin amerikan.

Së bashku me SHBA-në kemi përfunduar projektet kapitale historike për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe do t’i përmbyllim edhe proceset tjera të rëndësishme që janë para nesh”, ka shkruar Thaçi. /Telegrafi/