LAJMI I FUNDIT:

Beqiri porosit Vetëvendosjen: Pushteti nuk mbahet me dhunë

Beqiri porosit Vetëvendosjen: Pushteti nuk mbahet me dhunë

Sekretari i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka reaguar ndaj tendosjes së raporteve të koalicionit qeverisës pas mocionit të mos besimit për Qeverinë Kurti, për shkak të shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike Agim Veliu.

Beqiri, përmes një postimi në Facebook, ka porositur Lëvizjen Vetëvendosje se pushteti mbahet vetëm me partnerë të brendshëm dhe se pushteti nuk fitohet dhe as nuk mbahet me dhunë.

Postimi i plotë i Beqirit:


“Të dashur miq,

Sigurisht që po bashkëndjejmë me të gjithë qytetarët tanë, edhe ne me familjet tona po i kalojmë këto ditë të rënda si edhe shumë qytetarë të shteteve të ndryshme nga pandemia Covid-19. Shërim sa më të shpejtë të prekurve nga kjo pandemi.

Kë saj gjendje iu shtua edhe kriza politike- qeverisëse, e që LDK me asnjë veprim nuk ka kontribuar për këtë, përkundrazi .

LDK u themelua në vite të rënda, rrugëtuam për 30 vite bashkë për qytetarët tanë dhe me qytetarët tanë.

Na linçuan, sulmuan, maltretuan, plagosën e vranë viteve të 90-ta, na sulmuan, plagosën dhe vranë edhe pas luftës por nuk u dorëzuam KURRË.

Po na linçojnë e sulmojnë edhe tani, emisar e komisar brenda dhe jashtë Kosovës, militant të koordinuar e orkestruar. Kot e kanë, LDK dhe Kosova janë mbi të gjitha.
Pushteti mbahet veç me partner të brendshëm, e bashkëpunime e partneritet të jashtëm.

Si në çdo vend demokratik, edhe në Kosovë, pushteti me dhunë as nuk fitohet dhe as nuk mbahet.

Shtëpia pa miq nuk mbahet.

Miqësia Kosovë-SHBA e përjetshme!”, ka shkruar Beqiri. /Telegrafi/