LAJMI I FUNDIT:

Malishevë: Reduktohet puna në administratë, Kuvendi komunal ndërprenë të gjitha aktivitetet

Malishevë: Reduktohet puna në administratë, Kuvendi komunal ndërprenë të gjitha aktivitetet

Pas shpalljes së gjendjes emergjente në shëndetësi, vendimeve të Qeverisë së Kosovës dhe infektimit të katër personave me virusin korona (COVID-19), Komuna e Malishevës ka marrë vendim të reduktoj punën e administratës komunale, përkatësisht zvogëlimin e stafit në maksimum. Po ashtu edhe Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka marrë vendim për pezullimin e të gjitha aktiviteteve të saj.

“Të gjitha këto masa janë në kuadër të zbatimit të vendimeve qeveritare me qëllim të parandalimit të COVID-19.

Me qëllim të zbatimit të të gjitha vendimeve dhe rekomandimeve, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i ka mbajtur dy takime. Fillimisht është mbajtur një takim i kryetarit me kryesuesin e KK të Malishevës, Rrahim Morina dhe përfaqësuesit e subjekteve politike në kuvend, të cilët janë njoftuar me situatën e krijuar dhe më pas është mbajtur edhe takimi i shtabit për menaxhimin e situatës me COVID-19.


Në takimin e fundit, ju është bërë apel qytetarëve, të cilët kanë nevojë për shërbime shëndetësore, që përjashtuar rastet e rënda, të mos vizitojnë Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ndërsa rastet për dyshime që potencialisht mund të jenë të prekur me COVID-19, apo familjarët e të prekurve, të thërrasin urgjencën në Malishevë, dhe ekipet shëndetësore do ti vizitojnë në shtëpi dhe ju ofrojnë ndihmën e nevojshme”, thuhet në njoftimin për media.

Po ashtu, ju bëhet thirrje kompanive furnizuese, që ti kontaktojnë personat përgjegjës për furnizim me medikamente dhe ushqime, për të lejuar futjen e tyre në Malishevë, pasi Malisheva është në karantinë të plotë. Për furnizim me mallra ushqimore, kompanitë luten ta kontaktojnë Valon Mazrekun, drejtor për financa, në numrin e telefonit 044 233 886, ndërsa për furnizim me barna, të kontaktojnë drejtorin e shëndetësisë, Liridon Hoti, në numrin e telefonit 045 976 170. /Telegrafi/