LAJMI I FUNDIT:

Krasniqi: Jemi dakorduar që të votojmë për Komisionet parlamentare

Krasniqi: Jemi dakorduar që të votojmë për Komisionet parlamentare
Foto: Arkiv

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se tashmë janë dakorduar që sot të votohen Komisionet parlamentare në seancën që pritet të mbahet në ora 15:00.

Krasniqi ndër të tjera tha se pas shumë diskutimeve janë krijuar kushtet për mbajtjen e seancës dhe funksionalizimin e Komisioneve parlamentare.

“Ne diskutuam gjerë e gjatë, kryesisht për rrjedhën procedurale të seancës së kaluar, dhe mbledhjes së kaluar të Kryesisë. U dakorduam që të vazhdojmë sot seancën për t’i votuar komisionet sepse edhe shumica parlamentare u dakordua që duhet të ketë një ndryshim procedural. Fillimisht duhet t’i japim vlefshmërinë rregullores së kaluar për këtë legjislaturë. Ajo i rregullon numrin e Komisioneve, sepse siç e thamë edhe në seancë për neve ishte një problem i madh, në kuptimin legal dhe procedural, votimi i një vendimi i cili bie në kundërshtim me rregulloren. Rregullorja në Nenin 69 i parasheh 16 komisione dhe ne duhet ose të krijojmë fillimisht një rregulloreje të re, ose të shpallim të vlefshme atë rregulloren paraprake, pastaj ta shmangim nenin 69 që i përcakton komisionet. Pastaj të flasim për përbërjen. Pas diskutimeve të shumta u pajtuan edhe shumica parlamentare me kërkesat dhe sugjerimet tona, dhe besoj se janë krijuar kushtet që seanca të thirret në ora 15:00 në mënyrë që të funksionalizohen edhe Komisionet parlamentare për të mundësuar një punë më efikase të Kuvendit të Kosovës”, tha Krasniqi.


Gashi: Ka konsensus të plotë për Komisionet parlamentare, seanca në orën 15:00
Lexo po ashtu Gashi: Ka konsensus të plotë për Komisionet parlamentare, seanca në orën 15:00

Pas mbledhjes së Kryesisë, edhe shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se kanë arritur konsensus të plotë mes pozitës dhe opozitës lidhur me votimin e 14 komisioneve parlamentare.

“Mund të konkludojmë se pas mbledhjes së kryesisë disa keqkuptime u sqaruan dhe ka konsensus të plotë që në ora 15:00 të vazhdojmë me seancën dhe të vazhdojmë me 14 komisione”, u shpreh Gashi.

Ndryshe, sot Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë por nuk u arrit të votohet për Komisionet parlamentare në mungesë të votave dhe konsensusit pozitë-opozitë. /Telegrafi/